PD ka bërtitur pas djegieve të mandateve, se mazhoranca e ka marrë pushtetin me blerje votash dhe futjes së personave të inkriminuar në Kuvend. Por, akuza duket se nuk mungojnë edhe në vetë radhët e PD-së.
Është ish-deputeti demokrat, Astrit Veliaj, i cili pasi u skualifikua si kandidat për deputet në qarkun e Beratit, shprehet se aty po kandidojnë persona me të shkuar kriminale.
“Kam pasur një raport të shëndetshëm me njerëzit që kanë pasur raport me të vërtete, kam qenë kritikë nga njerëz që janë të përfshirë në kriminele apo abuzime dhe aktualisht në PD në qarkun Berat kandidojnë persona të inkriminuar”, tha ish deputeti demokrat për Report Tv.
Ndërkohë, për Lulzim Bashën, Veliaj e vlerësoi për vlerat e tij perëndimore, por shtoi se nuk ka forcën e duhur për të ndëshkuar pandëshkueshmerinë dhe se kjo do të jetë një problem nëse ai merr qeverinë. Për këtë Astrit Veliaj tha se Basha le të rrijë kryetar partie, por nuk mund të jetë Kryeministër dhe se në atë post duhet propozuar një emër që është larg baltosjes nga politika.
“Marrëdhëniet me Bashën kanë qenë edhe larg edhe afër. Sa herë shkelte parimet rrija larg, sa herë i zbatonte afrohesha. Kam qenë gjithmonë kritikë për shkeljen e parimeve nga baza dhe i kam raportuar dhe nga Basha kam marrë përgjigjen “mos u përziej me këtë punë”. Por çështja nuk është këtu . Ata po bashkëpunojnë me njerëz që të ndajnë pushtetin imagjinar në të ardhmen. Këtë problem nuk e kam me bazën por me atë grup që ka kapur PD-në. Nuk mendoj se Basha është i pa informuar për të gjitha qarqet se çfarë ka ndodhur, por mosreagimi apo pamundësia e tij për të vepruar ka sjellë këtë. Basha nuk e ka forcën për të luftuar, është në një ngërç me vete. Ai është perëndimor, por i mungon kuraja për të luftuar pandëshkueshmërinë. Ai duhet të ndërgjegjësohet vetë që të krijojë një model qeverisje. Ai duhet ta ndërgjegjësojë veten e tij se do të rrezikojë një forcë politike me mosreagimin e tij. PD ka element që mund të zgjedhë emrat e duhur për të qeverisur. Kjo është një mundësi e artë për të që të bëjë ndryshimin. Një lider nuk duhet të mendojë për karrigen e tij, por akti e bën atë të madh dhe duhet mbyllur kjo histori “unë , unë dhe askush tjetër”. Ai nuk po kontrollon dot me bazën, ajo është shthurur. Basha nuk ka autoritetin pasi nuk ka ndëshkueshmëri ndaj pandershmërisë. Po ndahen parcelat e pushtetit gjatë natës”, tha Astrit Veliaj
Ish deputeti u shpreh se PD është parti e vlerave dhe se të larguarit apo ata që kanë 30 vite që japin kontribut në këtë parti të votojë atë, pasi është një logo e madhe dhe duhet të vijë në qeveri, por shtoi se duhet të ndryshojë mentaliteti dhe qasja e kreut të PD dhe kryesia të reflektojë këtë ndryshim në bazë. Ai madje hodhi edhe akuza se një mandat në këshillin bashkiak është shitur për 1500 euro.
“Ata që kanë kapur PD kanë bërë manovra të ndryshme dhe kanë trafikuar votën. PD është një logo e madhe se kushdo nga demokratë në këto 30 vite të votojnë PD për një ndryshim të madh. E kam denoncuar disa herë ata që kanë kapu PD dhe i kam çuar raportet tek kryetari, mos u merr me atë punë ti ka qenë përgjigja. Dhe në këshillin bashkiak kanë shkuar persona që kanë blerë mandatin me 1500 euro. Partia ka cenuar sistemin e vlerave demokrate në kontribute, ky është një fenomen i rrezikshëm. Nuk duhet të vazhdojë kjo frymë. Unë dua të ndryshojë mentaliteti dhe qasja e kreut të PD dhe kryesia të reflektojë këtë ndryshim në bazë”, tha ish deputeti demokrat në qarkun e Beratit