Më 26 prill të 2016-s, Gazeta Shëndet Plus publikon një investigim (https://shendeti.com.al/skandali-miliona-euro-per-dializen-pacientet-me-buke-e-patate-dhe-carcafet-me-vete) ku me foto dhe dëshmi, pacientët e hemodializës ankoheshin ndaj kushteve të lavanterisë dhe ushqimit në Spitalin Amerikan, prej gushtit të këtij viti në pronësi 100 për qind të Klodjan Allajbeut, dhe që prej asaj kohe zotëron pjesën dërrmuese të ofrimit të këtij shërbimi nga privatët, por që paguhet nga buxheti i shtetit, si pjesë e koncesionit të dhënë.
Investigimi u pasua me një padi për shpifje të Spitalit Amerikan të ngritur ndaj gazetës në fjalë, ku në përpjekje për të vendosur vetulla, Klodjan Allajbeu nxorri edhe sytë. Procesi gjyqësor që u zhvillua tregoi mënyrën se si funksionon oligarku i shëndetësisë në Shqipëri.
Beteja ligjore zbuloi se para se t’i drejtohej gjykatës, Klodjan Allajbeu u përpoq të blejë autorët e investigimit. Siç tregon një investigim i BIRN në vitin 2017-të, (https://ëëë.reporter.al/2017/06/21/padia-kunder-shendet-plus-spitali-amerikan-i-ofroi-reklama-gazetes-kundrejt-lenies-rehat) Oriela Kosho, në atë kohë drejtore marketingu në biznesin gjakpirës të Klodjan Allajbeut pranoi se në këmbim të heqjes/fshirjes së investigimit u kishte ofruar gazetarëve një seri shkrimesh të sponsorizuara.
Në këto shkrime, sigurisht që do të paraqitej një realitet tjetër për shërbimet e Spitalit Amerikan nga kostoja dhe cilësia reale e tyre. Si ky investigim pasuan edhe të tjerë, që tregonin mashtrimin e madh në sistemin e shëndetësisë amerikane të Klodjan Allajbeut, që në të vërtetë vetëm për nga çmimet është amerikane. Për nga shërbimi, denoncimet e mediave dhe qytetarëve shpesh kanë provuar se është edhe më keq se spitalet publike.
Por, sa më shumë shtoheshin investigimet që denonconin abuzimet e Klodjan Allajbeut me shëndetin dhe jetën e shqiptarëve, aq më shumë ky i fundit shtrinte tentakulat në sistem përmes blerjes të konkurrencës në treg, si Spitali Hygeia dhe ngritjes së spitaleve e kompanive satelite, që qëllim kryesor kanë pasur dhe kanë ruajtjen e monopolist të Klodjan Allajbeut në shëndetësi.
Si ndodhi kjo? Së pari, përmes faturave të kripura me të cilat Alljabeu ngarkon shqiptarët edhe përmes ofrimit të shërbimeve bazike. Më pas, përdorimi i këtyre të ardhurave për të blerë media, institucione e politikanë.
Skema e blerjes së medias është e njëjtë; përmes reklamave, artikujve sponsorizues. Por, kjo skemë nuk ka funksionuar në të gjitha rastet dhe jo në të gjitha mediat. Për ato që nuk i binden pushtetit të parasë së Klodjan Allajbeut, ky i fundit aktivizon mediat e blera me sponsorizime fiktive, gazetarët mercenarë e të blerë me paratë e rrjepura nga qytetarët hallexhin.
Nëse sheh panoramën e gjerë të mediave dhe gazetarëve të blerë nga Klodjan Allajbeu, e përbashkëta tjetër e tyre është se me të njëjtin zell kanë mbrojtur edhe Arben Ahmetajn, sot i kërkuar nga SPAK për korrupsion masiv në dosjen e inceneratorëve.
Korrupsion, evazion, monopol në treg dhe pastrim parash
Rasti më flagrant që dyshohet se në çfarë niveli shkon korrupsioni i Klodjan Allajbeut një raport i Autoritetit të Konkurrencës, ku fshihen të dhënat për të mbuluar kapjen e tregut spitalor nga oktapodi i monopoleve.
Me një vendim të datës 23 shtator 2021, Autoriteti i Konkurrencës, i cili u hoqi gjobën 5 milionë euro kartelit të miellit, vendosi mbylljen e hetimit për tregun e shërbimit spitalor në Shqipëri. Krahas mbylljes së hetimit pa masa ndëshkuese, përqindja në shifra që mbulon Spitali Amerikan i ‘oktapodit’ Klodian Allajbeu në këtë treg, çuditërisht ishte censuruar, duke u zëvendësuar me “XX%”.
Të dhënat e siguruara nga Autoriteti i Konkurrencës, të dhënat e sektorit privat të shëndetësisë, kryqëzuar me bilancet financiare të kompanive të Klodjan Allajbeut, tregojnë se ky i fundit zotëron 85 për qind të tregut shëndetësor privat. Për vitin 2021, American Hospital dhe filiali i saj International Hospital raportonn një xhiro prej më shumë se 100 milionë eurosh.
Dyshimet për evazion fiskal lidhen me të ardhurat që ka deklaruar ndër vite Klodjan Allajbeu në Drejtorinë e Tatimeve. Mashtrimi i Allajbeut shkon deri aty sa ka deklaruar humbje prej 200 mijë eurosh nga spitalet edhe në 2020, vitin e pandemisë ku shqiptarët u dyndën në spitale për testet anti-covid, të cilat Allajbeu vetë e ofronte me 100 deri në 150 euro, çmim 7 deri në 15 herë më shtrenjtë se i njëjti shërbim që ofrohej nga shteti.
Në lidhje me pastrimin e parave, ajo që ngre dyshime është një transaksion të verës së këtij viti, kur Klodjan Allajbeu vendos të blejë për 24 milionë euro 86 për qind të aksioneve të kompanisë Balkan Alliance Healthcare B.V., e regjistruar në Holandë dhe që ka në pronësi Spitalin Amerikan.
Pra, Klodjan Allajbeu bleu nga Klodjan Allajbeu për 24 milionë euro një biznes që sipas deklaratave në tatime rezulton me humbje. Në fakt, ky transaksion ngjason si dy pika uji me skemën e përdorur nga Francesco Becchetti për të mashtruar ligjet, shmangur TVSH-në, kryer evazion fiskal dhe pastruar paratë. Për këtë skemë, Francesco Becchetti është dënuar nga drejtësia shqiptare me 17 vite burg, po për Klodjan Allajbeun kur do të veprojë SPAK…të paktën ta hetojë?/Voxnews