Kostoja e jetesës po rritet, duke krijuar pasiguri të re ekonomike në fund të dy viteve shumë të pasigurta.
Ekspertët thonë se rezultati mund të jetë më shumë tendosje mendore, stres dhe ankth. Kujtojmë se inflacioni në muajin shtator arriti 8.1 për qind, niveli më i lartë në 24 vjet që nga dhjetori i vitit 1998.
Në vetvete, inflacioni nuk është domosdoshmërisht i lidhur me përkeqësimin e shëndetit mendor. Ndikimi tek individët varet shumë nga situata financiare. Nëse të ardhurat e një personi nuk rriten së bashku me inflacionin, ata mund të përfundojnë në gjendje më të keqe financiare.
Dhe njerëzit, të ardhurat e të cilëve kryesisht shkojnë për gjërat bazë të domosdoshme si ushqimi dhe karburanti, duke i shtuar faktin që kanë të ardhura të ulëta, do priren të vuajnë më së shumti kur inflacioni është i lartë.
Rezultati i inflacionit të vazhdueshëm, pra, mund të jetë thellimi i pabarazisë ekonomike, një problem që ekzistonte shumë përpara pandemisë.
Një hap i rëndësishëm në kuadër të ndihmesës që mund t’i jepet individëve që ndikohen në shëndetin e tyre mendor gjatë kohës që njëkohësisht po ndiejnë një krizë financiare, është hartimi i politikave mbështetëse apo reformave në lidhje me shëndetin mendor.
Kështu sugjeron psikologia Valentina Telhaj. Në një komunikim për “Monitor”, ajo shton se, duhet t’i kushtohet rëndësi koordinimit shëndetësor, e të hartohen plane kombëtare shëndetësore siç kanë bërë Franca, Italia, Letonia dhe Holanda.
“Ne aktualisht kemi qendra komunitare të shëndetit mendor ku ofrohet mbështetja psikologjike nga profesionistë të trajnuar, ose referimi në shërbime shtesë, siç janë dhe shkollat për kujdesin ndaj fëmijëve nga stafi psiko-social, për të siguruar mirëqenien dhe për të referuar problematikat e konstatuara”, – thotë z. Telhaj.
Ndërsa sipas psikologut Endrit Tafa, kur flasim për ekonomi në shëndetin mendor nuk është vetëm pjesa e parasë.
“Është edhe një lloj zinxhiri që ne e quajmë ‘kaskada e mendimit’, që lidhet ngushtësisht me pjesën ekonomike” – thotë ai, duke nënkuptuar thellimin e problemeve nga shqetësimet ekonomike.
Çmimet e shtëpive, qirave, energjisë dhe ushqimeve janë rritur pas dy vitesh pasigurie mes jetës gjatë një pandemie. Mjekët kanë vërejtur më shumë stres dhe tendosje mendore te pacientët.
Arjana Rreli, mjeke psikiatër, thotë për “Monitor’ se stresi financiar i ndërthurur me të tjera pasiguri po mundojnë një pjesë të mirë të njerëzve, duke iu prishur balancat emocionale.
“Është brenda pritshmërive, lidhja e brishtë mes rritjes së çmimeve dhe shëndetit të lëkundur emocional e psikologjik. Në njëfarë mënyre, pas pandemisë, po shkojmë në traumën tjetër. Një traumë e cila zgjati dy vjet ku ka qenë e rrezikuar vetë ekzistenca jonë biologjike.
Te një numër i madh i njerëzve ka qenë e rrezikuar edhe ekzistenca ekonomike, për shkak të humbjeve të vendeve të punës.
Më pas, i shtohet një tjetër element stresues, ai i luftës në Ukrainë e cila drejtpërdrejt nuk na ndikon ne, për shkak të distancës fizike, mirëpo në mënyrë indirekte ka ndikuar në mirëqenien ekonomike të të gjithëve, duke qenë se në Europë është shënuar rritje çmimesh.
Kjo e rrezikon mirëqenien ekonomike të popullatës, e cila edhe ashtu është në kufi të ekzistencës”, – thotë dr. Rreli.
Pasojat – Arjana Rreli
“Është brenda pritshmërive, lidhja e brishtë mes rritjes së çmimeve dhe shëndetit të lëkundur emocional e psikologjik. Në njëfarë mënyre, pas pandemisë, po shkojmë në traumën tjetër. Një traumë e cila zgjati dy vjet ku ka qenë e rrezikuar vetë ekzistenca jonë biologjike. Te një numër i madh i njerëzve ka qenë e rrezikuar edhe ekzistenca ekonomike, për shkak të humbjeve të vendeve të punës. Më pas, i shtohet një tjetër element stresues, ai i luftës në Ukrainë e cila drejtpërdrejt nuk na ndikon ne, për shkak të distancës fizike, mirëpo në mënyrë indirekte ka ndikuar në mirëqenien ekonomike të të gjithëve, duke qenë se në Europë është shënuar rritje çmimesh. Kjo e rrezikon mirëqenien ekonomike të popullatës, e cila edhe ashtu është në kufi të ekzistencës”
Ndikimet e ekonomisë
Një pjesë e mirë e studiuesve të fushës pohojnë se, pabarazia ekonomike, ose një përçarje e madhe midis të pasurve dhe atyre që nuk kanë, është element negativ për shëndetin e një popullsie, duke përfshirë shëndetin mendor.
Në një studim të botuar në revistën “World Psychiatry” në vitin 2018, hulumtuesit shqyrtuan 26 studime mbi pabarazinë e të ardhurave në mbarë botën dhe zbuluan se dy të tretat thanë se me rritjen e pabarazisë së të ardhurave, rritej edhe depresioni.
Një rianalizë statistikore e 12 prej atyre studimeve tregoi se njerëzit në shoqëri shumë të pabarabarta kishin rreth 1.2 herë më shumë gjasa të përjetonin depresion krahasuar me njerëzit në shoqëri më të barabarta.
Shoqëritë e pabarabarta gjithashtu kanë shkallë më të lartë të skizofrenisë, kanë gjetur studimet, ndoshta sepse pabarazia ul kohezionin social dhe rrit stresin kronik për njerëzit vulnerabël.
Papunësia është gjithashtu jashtëzakonisht e dëmshme për shëndetin mendor të individëve. Barometri i stresit të jetës Holmes-Rahe, një mjet psikologjik që përdoret për të vlerësuar sa gjasa ka që dikush të përjetojë ndikime shëndetësore nga stresi, e rendit humbjen e një pune si ndryshimin e tetë më stresues të jetës që mund t’i ndodhë dikujt.
Shumë studime kanë gjetur ndikime negative të të qenët i papunë, duke filluar nga simptomat e ankthit dhe depresionit deri te vetëvlerësimi i ulët dhe humbja e mirëqenies.
Në një punim të vitit 2019 në “Journal of Vocational Behavior”, studiuesit përshkruajnë se si ata rianalizuan të dhënat nga më shumë se 300 studime mbi papunësinë dhe shëndetin mendor. Ata zbuluan se 34% e njerëzve të papunë përjetuan simptoma psikologjike, krahasuar me 15% të të punësuarve.
Stresi i akumuluar
Është e vështirë t’i themi dikujt që i është dyfishuar barra financiare të mos stresohet, apo të mos ketë ankth. Kështu shprehet dr. Arjana Rreli. Kohët e fundit, sipas saj, numri i pacientëve që shfaqin anën ekonomike si shqetësimin e tyre kryesor është shtuar. Dr. Rreli thotë gjithashtu se shqetësimi ekonomik vihet re kryesisht në familjet e reja, me fëmijë të vegjël.
Inflacioni është rritur në të kaluarën dhe kjo nuk është përkthyer gjithmonë në tendosje të madhe financiare dhe mendore. Por, sipas saj, stresi ekonomik tani vjen në një kohë të pazakontë, pas pandemisë që ndikoi shumë më tepër seç pritej fizikisht dhe mendërisht.
“Pagat shpesh rriten së bashku me inflacionin, duke lehtësuar një pjesë të stresit për konsumatorëve. Por kjo nuk ndodh shpesh në vendin tonë, sepse ka humbje vendesh pune. Por kostoja më e lartë e jetesës është vetëm një stresues mes shumë njerëzve që kanë përjetuar që nga fillimi i pandemisë COVID-19. Kjo do të thotë se shumë njerëz janë në fund të litarëve të tyre”, – thotë doktoresha.
Ndikime të tjera
Rritja e kostos ndikon edhe në planifikimin familjar, shumë çifte të reja tanimë hezitojnë të kenë fëmijë, jo pse nuk duan, por i kanë llogaritur kostot që vijnë më pas. Pa planifikim familjar bie lindshmëria, me rënien e lindshmërisë bie fuqia punëtore. Është një efekt zinxhir që prek të gjitha sferat shoqërore
“Kufizimet për shkak të ekonomisë së munguar ndikojnë te shëndeti mendor”
Flet Eduart Tafa, psikolog
Sëmundjet e shëndetit mendor po njohin përhapje më të madhe në popullatë kohët e fundit. Eksperti i fushës psikologjike, Eduart Tafa, deklaron se rritja e çmimeve në vend ka ndikuar negativisht në përkeqësimin e situatës.
Ai shton se kufizimet që po bëhen nga individë të të gjithë shtresave, për shkak të situatës së përkeqësuar të konsumit, do të ndikojnë drejtpërdrejt në një përshkallëzim të problematikave të shëndetit mendor.
Sa ndikon në shëndetin mendor të popullatës rritja e çmimeve të produkteve të ndryshme ushqimore ose karburantit, sipas vëzhgimeve tuaja?
Rritja e çmimeve ka një lidhje të fortë me shëndetin mendor, kjo na vjen pak e si një lloj stimuli apo nxitje nga paraardhësit tanë, sepse ndryshe nga më parë, problematikat kryesore ishin fizike dhe kishin mundësi t’i zgjidhnin.
Tani shumica e problematikave filtrohen në mendjen e njeriut dhe duke parë që, sot aksesi për mbijetesë është gjithmonë ekonomia, ka një dimension shumë të gjerë në ndikimin që ka te ne. Kur flasim për ekonomi në shëndetin mendor nuk është vetëm pjesa e parasë, por është edhe një lloj zinxhiri që ne e quajmë ‘kaskada e mendimit’, që lidhet ngushtësisht me pjesën ekonomike.
Një person i cili nuk ka mjaftueshmëri ekonomike apo një pronar, i cili ka një biznes me shumë punëtorë, në momentin që ka rritje çmimesh, do të thotë që do reduktojë vendin e punës. Kjo do të thotë që dikush do të mbetet pa punë, papunësia do të ndryshojë tërësisht cilësinë e jetesës së një individi.
Do të ulë shportën e konsumit, duke kufizuar një standard të mënyrës së jetesës së individit.
Përpos këtyre, ka dhe ndikime të tjera që shtresa vulnerabël normalisht i vuan më tepër, por ne kemi parë ndikim shumë të madh në shtresat që janë shumë mirë për arsye se cilësia e jetesës së tyre ndryshon dhe detyrohen të ndryshojnë shumë gjëra dhe çdo lloj kufizimi ndikon në shëndetin mendor të këtyre individëve.
Cilët janë sëmundjet e shëndetit mendor më të përhapura në popullatë vitet e fundit? Nga se janë shkaktuar kryesisht?
Në vitet e fundit jemi në gjurmët e post-COVID, i cili na ka lënë disa nga pasojat e veta shumë të mëdha, por për më tepër në përiudhën e COVID ne pamë disa nga çrregullimet e lidhura me të, që lulëzuan.
Në këtë rast, ishin p.sh. çrregullimet e ankthit, që janë ndër më të përhapurat në botë. Sot llogaritet që 1 në 4 persona vuan nga çrregullimet e shëndetit mendor, përkatësisht nga ankthi. Ne pamë disa nga llojet që dolën në sipërfaqe, pikërisht në këtë periudhë.
Kishim edhe OCD që ishte parësor dhe u lidh direkt me gjendjen e COVID, si obsesion i individit dhe frika nga infektimi e detyronte atë që të merrte masa mbrojtëse, duke u larë gjatë gjithë ditës. Kishim më pas edhe ankthin social, që njerëzit vazhduan të mbyllen në vetvete dhe të fshehin frikërat e tyre, apo ankthi për të mos dalë në mjedise të jashtme dhe nisën të krijonin zonat e rehatisë brenda familjeve.
Këto janë disa nga pasojat që ne kemi parë. Pasoja të mbivendosura ne kishim edhe shtimin e medikamenteve qetësuese, alkoolizmi, të gjitha këto i vumë re me një rritje të madhe. Pastaj faktorë të tjerë janë ai social, gjenetik, nga traumat e mëparshme, të cilat ndikojnë dhe në momentin që e gjejnë terrenin e përshtatshëm, menjëherë ato çelen dhe lulëzojnë.
Nëse ne nuk arrijmë t’i kapim në kohë, do të thotë që ato nuk ikin por zhvillohen brenda individit.
Cilët mund të jenë mekanizmat që të ndihmohen individët që kanë probleme të shëndetit mendor?
Mendoj se pjesa e stigmatizimit ka nisur të ulet, pasi e fushatat e ndërgjegjësimit janë shtuar. Informimi, megjithatë, do të ishte një mekanizëm i nevojshëm për prindërit, individët etj. Sot rrjetet e informacioneve janë më të zgjeruara, pra ne mund të gjejmë informacione mbi shëndetin mendor nga website, portale të ndryshme, apo e nëpërmjet profesionistëve.
Familjarët shpesh nuk arrijnë që të vlerësojnë individin, ata shikojnë vetëm shenjat e jashtme, simptomat janë brenda individit.
Një nga gjërat më kryesore është që në momentin që kemi një ankth të shtuar, apo një faktor stresues që i mbivendoset individit, pothuajse i ndryshon e gjithë struktura e jetesës: mbyllet në vetvete, izolohet. Ky është ndikimi që ne shohim si familjarë, dhe duhet t’i këshillojmë individit që të ndiqet drejt një vlerësimi psikologjik, për ta ndihmuar.
OBSH
Efektet e krizës aktuale ekonomike në shëndetin mendor janë të pranishme, mundësi për të forcuar politikat që jo vetëm do të zbusnin ndikimi i recesionit në efekte si vetëvrasjes apo dhe çrregullime të përdorimit të alkoolit, por gjithashtu do të reduktonin barrën që problemet ekonomike kanë te shëndeti mendor. Ka argumente të forta se ndikohet pozitivisht shëndetin publik nëpërmjet mbrojtjes sociale, programeve aktive të tregut të punës, mbështetjen ekonomike ndaj familjes, lehtësimin e borxhit dhe politikën efektive të përdorimit të alkoolit. Qeveritë duhet të marrin në konsideratë riorientimin e buxheteve për të mbrojtur popullatat tani dhe në të ardhmen, duke buxhetuar për masat që do mbajnë njerëz të punësuar, duke ndihmuar ata që humbasin punën dhe familjet e tyre për të kapërcyer efektet negative të papunësisë dhe duke mundësuar të papunëve për të rifituar shpejt punën. Qeveritë mund të konsiderojnë forcimin e politikave të tyre të alkoolit, veçanërisht duke rritur çmimin e alkoolit. Një politikë e tillë do të kishte efekt të veçantë në reduktimin e dëmit të modeleve të rrezikshme. Ofrimi i shërbimeve të shëndetit mendor duhet të forcohet, duke vazhduar përpjekjet për të zhvilluar kujdesin universal të shëndetit mendor, të mbështetur nga stimuj financiarë për kujdes të cilësisë së mirë në komunitet./Revista Monitor/