Inceneratorët janë bërë pjesë e raportit vjetor të Drejtorisë së Inspektimit Financiar Publik ku dy prej tyre ai i Fierit dhe Elbasanit rezultojnë se janë gjendur në shkelje dhe bashkë me to edhe institucionet shtetërore. Këto të fundit bërë pagesa jashtë programit, paradhënie TVSH-je apo shkelje të tjera.
Konkretisht sa i takon inceneratorit të Fierit raporti vlerëson se Ministria e Mjedisit e asaj kohe që ishte dhe autoriteti kontraktor nuk ka përllogaritur kosto shpronësimi të truallit privat. “Këto kosto nuk dokumentohet të jenë pjesë e analizës ekonomike dhe financiare të studimit të fizibilitetit” thuhet në raport.
I njëjti vlerëson se nga ana e ish-Ministrisë së Mjedisit, e më tej nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e AK (për periudhat respektive), dokumentohet që nga ana e Drejtorisë së Financës/Ministria e Mjedisit dhe Drejtoria e Menaxhimit Financiar dhe Buxhetit/MIE, është paguar paradhënie TVSH-ja, për periudhën Prill 2017 -Dhjetor 2017, për 9 këste mujore/periudha, në vlerën 94 096 278 lekë, pagesë kjo në kundërshtim me grafikun/skedulin e kësteve për likuidimet sipas Aneksit V të kontratës koncesionare, si dhe në kundërshtim me kërkesat e Ligjit nr.92/2014 “Për Tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Po kështu Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në cilësinë e AK(autoritetit kontraktor), nuk dokumenton që nëpërmjet strukturave përgjegjëse të saj të ketë kryer/ndjekur/monitoruar përmbushjen e detyrimeve të shoqërisë koncesionare, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
Shoqëria koncesionare nga ana tjetër nuk ka zbatuar kërkesat ligjore që rrjedhin nga ligji për taksat vendore, ajo e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe as nga TVSH-ja.
Sa i takon inceneratorit të Elbasanit Drejtoria e Inspektimit Financiar Publik ka konstatuar se kemi të bëjmë me një draft-Kontratë që nuk ka marrë formën e një akti juridik, pra nuk është kthyer në kontratë përfundimtare (me ekstremitete nr.11026/7-prot, datë 16.12.2014), në moszbatim të Ligjit nr.125/2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, neni 27 “Përmbajtja e kontratës”.
“Draft-Kontrata për Inceneratorin e Elbasanit, është nënshkruar me vlerën financiare të shprehur në valutë/ në monedhën Euro dhe jo në lekë, duke sjellë ekspozim në këtë mënyrë, të risqeve nga kursi i këmbimit, në kundërshtim me kërkesat e Udhëzimit nr. nr.2, datë 06.2.2012 “Për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit” pika 148, ku specifikohet se detyrimet merren përsipër në monedhën shqiptare” vlerëson raporti.
Po kështu është vërejtur se mungon Aneksi X që përcakton “Koston totale të investimeve”, si pjesë e kontratës.
“Aneksi A, i cili përcakton grafikun e punimeve (pranuar nga ana e AK, në gjuhë të huaj (version italisht), në kundërshtim me Kushtetutën e R.SH, neni 14 1, ku përcaktohet se: “Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është gjuha shqipe”. Nuk dokumentohet që Aneksi B të jetë nënshkruar nga palët kontraktore, si pjesë integrale e kësaj kontrate.
AK/MM ka bërë ndryshim/aneks të kontratës kocensionare (Aneksi D). Nga AK, nuk dokumentohet të jetë marrë miratimi paraprak nga Ministria e Financave, për ndryshimin e bërë për kontratën, në kundërshtim me pikën 6 të Ligjit nr.125/2013 “Për koncesionet/PPP në R.Sh”,i ndryshuar, neni 31, pika 3, gërma “a”,“b”, “c” dhe “d”, ku përcaktohen rastet e ndryshimit të kontratës së koncesionit/PPP” konstaton Drejtoria e Inspektimit Financiar Publik.
Po kështu vlera e kontratës së nënshkruar nga autoriteti kontraktor është 61. 1 mijë euro më e lartë sesa vlera me të cilën është shpallur oferta fituese.
“Kanë sjellë për pasojë përfitim të padrejtë nga ana e Subjektit Koncesionar, duke shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 66,111 Euro për buxhetin e shtetit. Nga kalkulimet/përllogaritjet e kryera mbi vlerat e detajuara të kësteve dhe vlerën totale të Aneksit B, këstet mujore paraqiten në vlerën e këstit 328.126 Euro për 66 periudha mujore dhe rezultojnë në shumën totale 21.656.316 Euro, pra me një diferencë (-4684 euro) më pak së vlera totale të kësteve e paraqitur në Aneksit B, prej 21.661.000 euro” thuhet në raport.
I njëjti vlerëson se Autoriteti Kontraktor /Ministria e Mjedisit ka likuiduar dy këste financimi në avancë, në moszbatim të paragrafit “Këstet për pagesë” (faqja 15) referuar Draft Kontratës datë 16.12.2014. ku përcaktohet se “…. Këstet për pagesë janë këstet e investimit që Qeveria Shqiptare nga AK /Ministria e Mjedisit do të paguajë si mbështetje financiare nga muaji i 7 i fillimit të punimeve. “.
Në vendin tonë janë aktualisht tre kontrata për inceneratorë. Një në Elbasan, një në Fier dhe një në Tiranë.
Koncesioni i trajtimit të mbetjeve Elbasan (Albtek Energy), me kosto totale prej 5.3 miliardë lekësh ka kapacitet përpunues do të jetë rreth 120-140 ton/ditë, sipas deklarime zyrtare në kontratë.
Inceneratori i Trajtimi i mbetjeve Fier (“Integrated Technology Ëaste treatment Fier”) ka një kosto totale prej 3.97 miliardë lekë. Kapaciteti përpunues 180-200 ton/ditë.
I treti është Trajtimi i mbetjeve Tirane (“Integrated Energy B.V shpk”), me kosto totale 31.17 miliardë lekë dhe kapacitet përpunues 550-800 ton/ditë./ Marrë nga Monitor