Partia Socialiste në pushtet apo siç e njohim ndryshe ‘Qeveria Rama 3’ mban kampion për zyrtarë e qeveritarë të dënuar e në qeli. Aktualisht Rama me qeverinë e tij ka në ‘qeli’ dy ministra. Njëri ende pa vendim gjykate dhe i dyti, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri që po vuan dënimin në burgun e Fierit.
Mos të harrojmë që ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është nga më të akuzuarit si njeriu më kryesor siç pretendohet në bashkëpunim me Alqi Bllakon në aferat e inceneratorëve, të cilat shkojnë 480 milion euro si kontrata të firmosura dhe mbi 600 milion euro në total, sipas vlerave që deklarojnë ekspertët.
Doni të dini mbështetjen e kryeministrit ndaj Bllakos e Kokës pasi dolën zbuluar tashmë?!
“Gjërat janë të ndara. Raportet njerzore, personale, janë një gjë, dhe raporti i punës, nga njëra anë, me raportin e secilit me ligjin janë gjë tjetër.
Në rast se ti bën diçka të papritur dhe të pa konsultuar me babain tënd, a ka babai yt përgjegjësi për ty?” Ja këtë thotë ‘baba Rama’, po Rama nuk e di që nuk mund të bëhet krahasimi me babain se babai dhe fëmija nuk e zgjedhin njëri-tjetrin, këta janë të zgjedhur nga Rama dhe të paguar nga ne. Rama nuk mund të marrë vetëm meritat dhe asnjë përgjegjësi, gjithë vitet në pushtet ka marrë veç merita të pamerituara dhe nuk mban asnjë përgjegjësi as ligjore e as morale, madje i braktis dhe i lë në baltë të afërmit e tij.
Partia Socialiste është treguar e “zgjuar” duke lënë edhe figura të tjera të rëndësishme të strukturës së saj “në baltë” kur ata kanë pasur problematika me drejtësinë.
Mund të themi se Saimir Tahiri është “kurbani” më i madh që PS bëri për hir të fasadës në mbështetje të drejtësisë.
Ajo çka po vihet re me qeverinë tonë është se do të ishte më mirë që mbledhjet, shfaqjet, apo kongresi i quajtur i tillë nga kryeministri ynë, të mbahej më mirë në dyert e SPAK-ut se në fund siç duket aty do përfundojnë të gjithë ‘peshqit’. Janë shumë zyrtarë të emëruar nga socialistët, drejtorë, ministra, sekretarë të përgjithshëm, ministra nën hetime dhe akuza të cilët nuk paskan fund. Jo më herët se ditën e djeshme u dënua me 10 muaj burg gjithashtu edhe ish-zv.ministrja e brendshme Rovena Voda e cila akuzohet se ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta,normalisht.
Përveç emrave më të lakuar si Koka, Tahiri e Bllako së fundmi ku siç pritej mbeten në “baltë” nga qeveria e tyre, edhe të tjerë si Jaeld Çela, Arben Ndoka, Valdrin Pjetri, Armando Prenga, Edlira Naqellari si e si shumë zyrtarë të tjerë ndër vite janë dënuar gjithashtu nga GJKKO ku ende vazhdohet të mos merret asnjë masë. Qeveria jonë vazhdon punën e daljet e saj përfaqësuar nga kryeministri ynë të cilit sja kalon askush për ironinë e satirën e përdorur në sy të popullit për të hequr vëmendjen nga çështjet e vërteta të cilat kanë me të vërtetë rëndësi.
Kujtojmë se ish-drejtori i Policisë së Vlorës Jaeld Çela është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg i akuzuar për shpërdorim detyre. Në nëntor të 2017 prokuroria e akuzoi Çelën se në bashkëpunim me Ministrin Tahiri ndihmoi bandën e Habilajve për të trafikuar drogë.
Gjithashtu Valdrin Pjetri ish-kreu i Bashkisë së Shkodrës, ka qenë dënuar në Itali me 18 muaj burg dhe një mijë euro gjobë për shpërndarje droge si dhe akuzohej për veprën penale “Falsifikimi i vulave ose i formularëve”.
Arben Ndoka, deputet i Partisë Socialiste, dënimi i të cilit për trafik droge u zbulua nga opozita më 2014, qe dënuar gjithashtu edhe në vitin 2003 në Romë, Itali për trafikimin e një vajze që qe e fejuara e vëllait të tij.
Deputeti socialist i Kurbinit, Armando Prenga ka qenë i dënuar në Itali për vjedhje dhe në Shqipëri me gjobë për falsifikim dokumentash.
Ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari u dënua me 1 vit burgim për korrupsion me tenderin në uniformat e Policisë së Shtetit.
Fatos Tushe kryebashkiaku i Lushnjes u arrestua korrikun e vitit të kaluar pasi akuzohet për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK.
Edhe pse po shohim disa lëvizje nga ana e SPAK me dënimet e bëra prapë, ka pasur plot raste ku SPAK nuk ka reaguar e ka bërë një ‘sy qorr’ si në rastin e Adriatik Llallës, ku SPAK nuk e ka urdhëruar në kohë Interpolin që të shpallë në kërkim ndërkombëtar ish-kryeprokurorin Llalla.
Gjithashtu figura të rëndësishme e kanë spikatur faktin se SPAK ka raste që ështl selektiv dhe “fle gjumë” me vetëdije.
Gazetari Dritan Kaba ka thënë se SPAK është vënë në lëvizje për pronarin e ‘Ora News’. Por, nuk ka marrë asnjë masë për zyrtarët që i shkaktuan shtetin 120 milionë dëme euro me mbylljen e televizionit “Agon Channel”, si edhe shumë raste të tjera ndër vite e në fund qeveria del e ‘larë’ duke gjetur zgjidhjen e mos mbajtjes së përgjegjësisë!!
Pra siç e shohim emrat e zyrtarëve e qeveritarëve të Ramës nuk kanë të mbaruar,,por një gjë vazhdon të mbetet e pazgjidhur e ‘mister’ në mendjen e gjithsecilit nga ne është pyetja, si ka mundësi që me gjithë këta zyrtarë, ministra, administratorë e drejtora nëpër qeli, nën hetim e akuza vazhon në krye kjo qeveri?! Si ka mundësi që Rama mbetet ende i ‘pamposhtur’ kushdo që të bjerë nga ana e tij? A do ketë fund kjo histori që ka kapluar vendin tonë? A do të kemi ne si popull një qeveri e një vend të qetë e me të ardhme për secilin prej nesh një ditë?
Po kjo ka një të mirë për ‘Rilindjen’ të mësoje se po vodhe duke firmosur kontrata korruptive e jo vetëm, vjen dita që përfundon pas prangave!