Ilir Meta kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, të vendosur nga Gjykata e Posaçme në tetor 2024.
Avokatët e tij dorëzuan këtë të enjte në gjykatë një kërkesë për verifikimin e kushteve dhe për zëvendësimin e masës aktuale me një më të butë.
Sipas mbrojtjes, në çështjen ndaj Metës janë shkelur afatet procedurale, pasi kanë kaluar mbi tetë muaj nga vendosja e masës dhe, sipas tyre, SPAK nuk ka paraqitur asnjë raportim dy mujor për ecurinë e hetimeve, siç parashikohet nga ligji.
Në kërkesë janë përfshirë edhe referenca ndaj disa vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, përfshirë rastin “Gëllçi”, të cilat mbrojtja i cilëson si precedentë të ngjashëm.
Avokati Kujtim Cakrani ka deklaruar gjithashtu se SPAK ka njoftuar së fundmi zgjatjen e afateve hetimore ndaj Metës, por kjo masë ende nuk është kundërshtuar në gjykatë.
Ai ka njoftuar se po përgatitet një tjetër kërkesë, që do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ku do të kundërshtohet masa e sigurisë si e paligjshme. Sipas Cakranit, depozitimi i kësaj kërkese pritet të bëhet javën e ardhshme.