Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 24 vite burg Ilir Beqarajn, i akuzuar si autor i vrasjes së ish-policit të burgjeve Gentjan Bejtja.
Vendimi u dha pas shqyrtimit të pretencës së Prokurorisë dhe konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes, duke përcaktuar dënimin me 24 vite burgim për Ilir Beqaraj.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 15 mars 2024, kur Gentjan Bejtja u ekzekutua në banesën e tij. Ai ishte një person i njohur për organet e drejtësisë dhe ishte përmendur si i dyshuar në disa episode kriminale të mëparshme.
Më herët, më 9 janar 2022, Bejtja i kishte shpëtuar një atentati me armë zjarri në afërsi të Niklës, në Fushë-Krujë. Gjatë atij sulmi mbeti i plagosur në krah miku i tij, 31-vjeçari Klodian Stafuka, i cili ndodhej në automjet me Bejtjan në momentin kur kishin ndaluar për t’u furnizuar me karburant në një pikë karburanti.







