Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në Sarandë, ku një 26-vjeçar plagosi me thikë një person pas një konflikti të çastit.
Autori, Elvis Ndoji, është vetëdorëzuar disa orë pas incidentit në komisariatin e policisë.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Mitat Hoxha”, ku Ndoji goditi me thikë 44-vjeçarin Klodjan Basholli.
Ky i fundit u transportua menjëherë drejt Spitalit të Sarandës, ku mori ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Të dy personat rezultojnë me precedentë penalë. Elvis Ndoji ishte arrestuar më parë në tetor të vitit 2024 si i dyshuar për disa vjedhje.
Gjatë arrestimit, policia i kishte gjetur një thikë dhe një sopatë, duke ngritur pikëpyetje se si është lënë i lirë në një kohë kaq të shkurtër.
Edhe Klodjan Basholli ka një të kaluar të ngarkuar me drejtësinë. Në vitin 2008, ai u dënua nga Gjykata për Krime të Rënda me 5 vjet e 4 muaj burg për trafik ndërkombëtar droge, pasi në plazhin e Manastirit u kap një skaf me 278 kg marijuanë.
Më pas, në vitin 2017, u arrestua sërish si pjesë e një grupi të dyshuar për vjedhje në zonat kufitare me Greqinë. Në atë operacion, policia bllokoi edhe dy armë zjarri që iu gjetën bashkëpunëtorëve të tij.
Policia po heton rrethanat e konfliktit mes dy personave me të shkuar kriminale.