Periudha e pandemisë në Shqipëri nuk u menaxhua ashtu siç duhet dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim.
Kjo gjë është vërtetuar edhe nga një raport i zhvilluar nga marsi i vitit 2020 kur u shënua rasti i parë e deri në 2021-shin, ku vihen re qartë dhe lehtësisht politikat e gabuara të Ministrisë së Shëndetësisë.
Teksa qytetarët kishin mundësi që t’i drejtoheshin vetëm laboratorit të vetëm publik në Shqipëri, atë të ISHP-së, shteti nuk ngurroi fare dhe u hapi dyert mjaft laboratorëve të tjerë privatë për të bërë testet COVID.
Së fundmi, KLSH ka nxjerrë në dritë fakte që jo vetëm shkelin apektin ligjor, por dhe vënë në pikëpyetje të madhe nëse përgjigjet e tamponëve kanë qenë të sakta.
“Përjashtimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit ka sjellë pasoja të mungesës së vërtetësisë së analizave, pasi nuk ka marrë pjesë në akreditimin e aparaturave laboratorike të përdorura për këtë qëllim. Marrja e kompetencave nga Komiteti i Ekspertëve dhe MSHMS-ja, ka sjellë përjashtim të padrejtë të DPA-së duke cenuar vërtetësinë e të dhënave laboratorike për Covid-19”, pohohet në auditim.
Në auditin e kryer nga institucioni i drejtuar nga Arben Shehu u evidentuan kosto shumë të mëdha që sërish ishin në kurriz të shqiptarëve për shkak të vendimit që u siguronte sherbim falas.
KLSH i ka bërë kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë të rishikojë akreditimet për laboratorë privatë COVID.
“Mungesa e një urdhri administrativ nga MSHMS për ofrimin falas/ rimbursim të vizitave dhe mjekimeve në institucionet jopublike për COVID-19, tregojnë një efektivitet jo të lartë të politikave shëndetësore në menaxhimin e situatës”, vlerëson KLSH.
As shpenzimet për trajtimet mjekësore nuk janë mbuluar dot nga sigurimet shëndetësore të shumë qytetarëve në periudhën e pandemisë.
“Shpenzimet nga xhepi për shëndetësinë ishin të larta si për personat e siguruar, ashtu dhe për personat e pasiguruar, gjë e cila ngre pikëpyetje dhe mbi efikasitetin e skemës aktuale të sigurimeve. Për Shqipërinë kjo shkon deri në 50%, në krahasim me 14,9% në BE, shifra që tregojnë se sa i cënueshëm është sistemi shëndetësor edhe pa u përballur me sfida të jashtëzakonshme, siç është rasti i pandemisë së COVID-19”, vlerëson KLSH.
KLSH thotë se rimbursimi i ilaçeve COVID u bë 9 muaj pas shfaqjes së pandemisë, ndërkohë që shumë qytetëve as nuk u vunë në dijeni në lidhje me këtë fakt.
“Bazuar në Ligjin Nr. 15/2016 “Për parandalimn dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjet infektive” të ndryshuar, si edhe Ligjin Nr. 10138 /2009 “Për shëndetin publik”, të ndryshuar, në një situatë të tillë, duke qenë se shëndetësia është një e mirë publike, qeveria e Republikës së Shqipërisë ka detyrimin ligjor ta ofrojë këtë shërbim falas dhe të marrë të gjitha masat për zbatimin korrekt të tij. Gjykuar në sa më sipër citojmë se: Urdhri Nr. 545 datë 19.11.2020 “Për disa shtesa në Urdhrin nr. 392, datë 01.07.2019 “Për caktimin e kufizimeve në përdorimin, sasinë dhe kohëzgjatjen e trajtimit me barna të listës së barnave që rimbursohen nga fondi”, i ndryshuar””, për rimbursimin e pacientëve Covid ka dalë 9 muaj pas shfaqjes së pandemisë. Ndërkohë dhe pas daljes pacientët nuk kanë qenë në dijeni të këtij urdhri, pasi ka munguar informacioni nga mjekët e familjes”, vijon më tej auditimi.
Përsa i përket testimit të popullatës që është një ndër pikat kyçe për luftimin e përhapjes së Covid-19, KLSH vlerëson se ka pasur mungesë të gjurmimit të rasteve dhe shumë herë përgjigjja ka dalë pas 10 ditësh dhe jo pas 72 orësh.
“Këto vonesa rritën si numrin e pacientëve që filluan trajtimin me antibiotikë pa u konfirmuar si të infektuar me COVID-19 ashtu dhe të atyre që filluan trajtimin vonë pasi prisnin për rezultatet e testit”, thuhet në auditim.
“Iconstyle.al” ka denoncuar për një kohë të gjatë abuzimet që janë bërë me laboratorët në spitale.
Prej muajsh ju kemi informuar se disa laboratorë, duke shfrytëzuar situatën e krijuar nga pandemia dhe lirinë e dhënë nga autoritetet përkatëse, kanë vendosur oligopol me tamponët.
Laboratorët Intermedica, Alnet, Genius dhe Noval e ofronin këtë shërbim me të njëjtin çmim, 12 000lekë të reja.
Mirëpo, vendosja e njëkohshme nga këto laboratore e çmimeve për kryerjen e testit ka të bëjë me shkelje të kushteve të konkurrencës dhe marrëveshjeve të ndaluara në treg, siç janë të ashtuquajturat “Kartele”. Për ata që nuk e dinë, kartelet janë marrëveshje që bëjnë bashkë dy ose më shumë biznese me qëllim që të shmangin konkurrencën e lirë në treg. Ato gjithnjë formohen për qëllime të caktuara si p.sh. karteli i çmimeve ka për qëllim që anëtarët e kartelit të mos konkurrojnë me njëri-tjetrin në uljen e çmimeve.
Në mënyrë të qartë dhe në shumicë institucionet rregullatore të tregjeve dhe Autoriteti i Konkurrencës, që lidhet drejtpërdrejtë me çështjen, dhe që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë për të mbrojtur interesat publike, me veprimet dhe mosveprimet e tyre i shërbejnë interesave të tilla me shenja të qarta subjektivizmi dhe korrupsioni. (Kujto: sektorët financiarë, të sigurimeve, telekomunikacioneve, bankarë, karburanteve, etj.)
Sidomos në raste të tilla, ku vihet në lojë shëndeti i shqiptarëve në një kohë pandemie, është e papranueshme që Autoriteti i Konkurrencës nuk ka ndërmarrë paraprakisht masa për të ndaluar rritjen e njëkohshme në grup të çmimeve të testeve serologjike dhe njëkohësisht nuk ka njoftuar publikun në zbatim të detyrimeve të tij ligjore kundër marrëveshjeve të ndaluara të dyshuara të tipit “kartel” nga biznese në tregje të rregulluara.
Abuzimet në kohë pandemi nuk mbarojnë me kaq në Shqipëri.
Biznesmeni Janis Karatahanos, koncesionari i Laboratorëve me ndihmën e ministres Ogerta Manastirliu, ua ka vështirësuar jetën të sëmurëve me Covid. Analizat kryhen me pikatore në dy laboratorët që gjenden në administrimin e tij.
Paktet e Manastirliut me Karathanon
Më 17 korrik 2020, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e shoqëruar nga shefi i laboratorit të mikrobiologjisë, Andi Koraqi dhe Silva Bino, shefe e laboratorit të referencës në ISHP, inspektoi laboratorin e QSUT dhe ndau lajmin se tashmë edhe në këtë laborator mund të kryheshin testet në ‘Real Time PCR’ për identifikimin e SARS-CoV-2.
“Me hapjen e këtij laboratori të dytë, krijojmë baza të mira për të rritur dhe për të zhvilluar testimin, i cili në fakt do të vijojë të ketë një objektiv kyç: gjurmimin e rasteve dhe izolimin e tyre,” deklaroi Manastirliu. Por as dy javë pas kësaj deklarate, Manastirliu urdhëroi që ky laborator të mbyllet. Vendimi është marrë pas kërkesës së koncesionarit, i cili ka fituar të drejtën që për 10 vitet e ardhshme të bëhet pronar i të gjithë laboratorëve dhe setit të analizave që do të kryejnë shqiptarët nëpër spitalet publike,
Laboratori i dytë i testimeve të COVID-19 u hap pas një raundi negociatash mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë koncesionare; ku përcaktohej kryerja e një numri të caktuar testesh brenda një periudhe 4-mujore, që parashikohej fillimisht të përfundonte në fund të dhjetorit. Megjithatë, testimet ecën me ritëm të ngadaltë dhe laboratori u detyrua të punonte me staf të patrajnuar gjatë muajit nëntor.
Në muajin gusht të vitit të shkuar, koncesionari mori nën administrim tre laboratorët kyçë të QSUNT-së; laboratorin Mikrobiologjik, atë të Imunologjisë si dhe shërbimin Klinik-Biokimik, të cilat iu nënshtruan rikonstruksionit. Ndërsa laboratori i COVID u vendos brenda ambienteve të shërbimit laboratorik të Mikrobiologjisë.
Sipas marrëveshjes së shkruar mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë koncesionare, laboratori do të realizonte 12 mijë teste PCR për pacientët e shtruar në spitalet e dedikuara për kurimin e COVID-19 si dhe teste serologjike për grupin më të rrezikuar të mjekëve dhe infermierëve gjatë periudhës shtator-dhjetor.
Marrëveshja parashikonte gjithashtu që kitet dhe reagentët do të vendoseshin në dispozicion nga QSUNT dhe do të realizoheshin nga personeli i spitalit, ndërkohë që koncensionari do të vendoste në dispozicion ambientet.
Sa absurde që është, ministrja negocionin me koncesionarin për të shfrytëzuar ambientet e spitalit publik.
Laboratori u përballë me vonesa në sigurimin e testeve dhe deri në fillim të dhjetorit kishte kryer rreth 4 mijë teste PCR nga 12 mijë të parashikuarat.
Me 8 mijë teste të pakonsumuara dhe me numra të lartë të të infektuarve ditorë, palët u takuan sërish më 11 dhjetor dhe e rinegociuan marrëveshjen. Tashmë Karathano lejon të kryhen analizat COVID deri në fund të vitit 2021.
Kontrata koncesionare u firmos në 24 prill 2019 me konsorciumin e tre kompanive; Labopharma sh.p.k me 41.7%, Exalab France me 25% dhe AB Laboratory Solution BV, një kompani e regjistruar në Holandë me 33% pjesë në konsorcium. Ajo parashikohet t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë mbi 13 miliardë lekë ose rreth 104 milionë euro për dhjetë vitet e ardhshme.Kontrata ka përfitues fundor biznesmenin Janis Karathano si dhe kompaninë franceze Exalab –të cilat zotërojnë së bashku kompaninë koncesionare Laboratory Netëork.
Testet e shpejta, laboratorët privatë rrisin fitimet
Nëse një qytetar paraqitet në një nga poliklinikat e Tiranës dhe kërkon të bëjë testin e shpejtë për Covid, do t’i thonë të shkojë tek mjeku i familjes dhe ky i fundit do ta nisë tek Urgjenca dhe do t’i vijë radha ta bëjë testin në rastin më të mirë pas një jave kur të të vijë radha. Në këtë situatë qytetarët detyrohen ta bëjnë testin në një nga katër laboratorët privatë që ka licencuar Ministria e Shëndetësisë.
Maqedonia ka filluar testet e shpejta masive të popullsisë për virusin Covid-19., kurse Shqipëria gjithnjë në dorë të koncesioneve dhe të politikanëve të korruptuar. Çdo hap të pandemisë, qeveria e ka shfrytëzuar në favor të klientëve të saj me koncesione dhe të drejta ekskluzive. Pas tamponëve qeveria ka bërë pazar me testet e shpejta. Në kushtet e shifrave alarmante të të prekurve me koronavirus, analiza e shpejta serologjike marrin përparësi në përcaktimin e prezencës së Covid, po deklarojnë mjekët. Kjo situatë e re përkthehet në më shumë Lekë tek privatët e lidhur me qeverinë. Një analizë serologjike për të dy nivelet e anitkorpeve IgM dhe IgG, që jep përgjigje për 15 minuta, kushton minimalisht 40 mijë lekë (të vjetra) tek Laboratorët Privatë të licencuar këtë verë nga ministria.
Marrëveshjet e ndaluara të çmimeve dhe heshtja e AK
Për një tampon në Laboratorin shtetëror të Virologjisë të duhet presësh një javë të marrësh përgjigje ose mund të mos e marrësh fare. Laboratori i virologjisë, i vetmi institucion shtetëror i certifikuar për analizën e COVID-19, e ka kapacitetin deri në 500 testime në 24 orë. Arsyeja e vonesave nuk është kapaciteti, por referimi i analizave të laboratorët privatë që punojnë me çmime të larta.
Prova që ky laborator mbahet me pikatore nga Ministria e Shëndetësisë (sepse po nuk pate tampon nuk bën dot analiza) doli para disa javëve, kur me urdhër të Kryeministrit Rama, këto kompani me marrëveshje dolën dhe ulën çmimin nga 120 mijë lekë në 85 mijë lekë. Tani mbetemi në pritje që të dalë sërish Rama, para se të mbarojë pandemia, të ulë çmimin e analizave aerologjike. Ndërkaq, Autoriteti i Konkurrencës nuk ndërhyn, edhe kur këto laboratorë shpallin marrëveshje çmimesh, që janë të ndaluara.
Tenderi 1 milion dollarësh për Karathanon
Karathano është i preferuar edhe për tenderat e e Manastirliut. Kompania “Pegasus” e biznesmenit Janis Karathanos, i cili ka fituar koncensionin e Laboratorëve Mjekësorë, është shpallur fituese në një tender pa garë me vlerë mbi 1 milion dollarë amerikanë. Tenderi është zhvilluar nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, një strukturë varësie e Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Në 11 Maj 2020 është shpallur njoftimi se “Pegasus” është shpallur fituese në procedurën e prokurimit publik me objekt “Reagentë dhe aksesorë të nevojshëm për testimin në laboratorin e agjenteve infektiv”.
Fondi limit për këtë tender ishte në vlerën e 98.4 milionë lekë të reja (pa Tvsh), rreth 1 milionë USD. I pari ishte “Pegasus”, i cili ka paraqitur ofertën ekonomike në vlerë 97.4 milionë lekë të reja. Operatori i dytë ishte “Medical Distribution”, kompani e regjistruar në Shkodër, me administrator Alban Xhaferi. Kompania “Medical Distribution” rezulton se nuk ka dorëzuar asnjë dokumentacion dhe asnjë ofertë ekonomike për këtë tender./Iconstyle.al