Një i ri që shpërndante kokainë në kryeqytet është arrestuar nga policia këtë të diel. Bëhet fjalë për Erald Shullazin, të cilit gjatë kontrollit të banesës iu gjetën dhjetra doza kokaine dhe një peshore elektronike.
Sakaq, materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Njoftimi i plotë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Collaboration”, për goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së drogave të forta.
Vihet në pranga 1 shtetas që shpërndante doza kokaine, në Tiranë.
Sekuestrohen dhjetëra doza kokainë, gati për shitje, rreth 90 gram sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë në proces për tu ndarë në doza, si dhe një peshore elektronike.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Shqiponja, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të shitjes së lëndëve narkotike, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Collaboration”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. Sh., 30 vjeç, banues në Tiranë.
Në Unazë të Re, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin E. Sh. Gjatë kontrollit në automjet, u gjet dhe u sekuestrua sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës dhe të ambientit ku punonte 30-vjeçari, u gjetën sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje, dhe një peshore elektronike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndë narkotike, e shpërndante atë në doza, në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Unazë të Re.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.