Rëndohet pozita penale e ish-kryetarit të bashkisë Himarë, Jorgo Goro! Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar nga GJKKO për një tjetër masë sigurie “arrest me burg” për Goron. Sipas gazetarit Elton Qyno, i cili shkruan për “OraNews“, shkruan se Goro po hetohej nga prokurori i Vlorës Arjan Xhaferaj, por dosja kaloi në SPAK dhe iu dorëzua hetuesit, Elvin Gokaj. Kësaj here çështja ka të bëjë me një sipërfaqe toke në Himarë, për të cilën gjithashtu është kërkuar sekuestro. Toka, 4900 metra katrorë, i është dhënë në mënyrë të parregullt Arqile Bollanos, i cili aktualisht është caktuar si kryetar i komanduar në bashkinë e Himarës.
“Hetimet e SPAK janë përqëndruar dhe tek përfituesi i këtyre dy pasurive Arqile Bollano dhe një person tjetër që kanë qenë pjesë e grupit të punës, të cilët ndërtuan listën emërore të personave që fituan tokë në mënyrë të padrejtë në Himarë,“-bën me dije gazetari në shkrimin e tij.
Sipas dosjes hetimore, kallëzimi është bërë fillimisht në Komisariatin e Himarës nga një banor i Himarës, i cili ishte edhe pronari i tokës në bazë të ligjit “7501”. Por 9 vite më parë ( në periudhën kohore 2015-2016), Bollano ndërtoi një listë emërore për disa banorë të zonës, të cilët duhet të trajtoheshin me tokë nga bashkia Himarë. Kjo listë u hartua me pretendimin se emrat e shënuar nuk ishin trajtuar me tokë bujqësore në vitin 1991-1992 dhe se tani kjo duhet të “korrigjohej” nga ana e bashkisë Himarë. Edhe pse ishte pjesë e grupit të punës, Arqile Bollano kishte futur në listë edhe emrin e tij duke marrë një sipërfaqe totale prej 4900 m2 në zonën e Himarës.
Pasuria që Bollano i dha vetes iu mbivendos në pothuajse 80 për qind mbi pasurinë e një mësuesi në Himarë, fakt që është provuar nga një akt-ekspertimi topografik të kryer nga Prokuroria e Vlorës. Po ashtu, nga hetimet rezultoi se Bollano nuk duhet të ishte përfitues, pasi ishte “trajtuar” me tokë në vitin 1991, megjithatë kjo nuk e pengoi që të kërkonte sërish dhe Goro ta “ndihmonte” me firmën e tij për t’i marrë pronën bashkëqytetarit.
“Ligji e përcakton qartë se familjet bujqësore që janë trajtuar me tokë nga komisionet e ndarjes së tokës, përjashtoheshin nga përfitimi, edhe nëse ishin përdorues faktikë të një sipërfaqe toke. Kjo pasi pjesën takuese. Por kjo gjë nuk është mbajtur parasysh, sikundër nga ana e kreut të bashkisë Himarë, Jorgo Goro, nuk është marrë asnjë masë për të kryer verifikime në teren nëse tek këto sipërfaqe toke, ka mbivendosje ose jo, nëse mbi këto sipërfaqe toke ka ndërtime me leje ose pa lejë, nëse për këto sipërfaqe toke ka apo jo pretendentë të tjerë të pronësisë, nëse është e rregulluar marrëdhënia mes kufitarëve etj.Për shkak të këtyre shkeljeve të njëpasnjëshme dhe nisur nga pozita juridike e Arqile Bollanos, i cili mban funksionin e kryetarit të komanduar të bashkisë Himarë, prokuroria e Vlorës vendosi të shpallë moskompetencën dhe dosjen t’ia kalojë për hetime të mëtejshme prokurorisë së posaçme SPAK,”-shkruhet ndër të tjera në artikull.
Kështu, dosja ka kaluar në SPAK. Prokurori ka kërkuar masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-kryetarin e bashkisë Himarë, Jorgo Goro, i cili për momentin vijon të jetë në burg për shkak të një tjetër toke. Ai akuzohet se i ka dhënë 5 mijë metra katrorë Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.