Ditën e sotme SPAK në bashkëpunim me antimafian italiane kanë kryer një operacion kompleks, ku është zbuluar një grup kriminal që synonte pastrimin e parave në vendin tonë.
Biznesmeni Rezart Taçi është shpallur në kërkim nga shteti shqiptar për akuzat e “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “grupit të strukturuar kriminal” dhe “kryerjes së veprave nga grupi i strukturuar kriminal”. Njëri prej njerëzve më të fuqishëm në Shqipëri prej shumë vitesh tashmë i duhet të përballet me drejtësinë shqiptare për një sërë shkeljesh serioze.
Kush është Rezart Taçi?
Rezart Taçi ishte njëri prej personazheve më të fuqishëm në vendin tonë përpara gati 10 vitesh. Aktiviteti i tij kryesor u shtri në fushën e përpunimit dhe tregtimit të hidrokarbureve, duke shkaktuar një dëm të madh financiar. Arriti të blinte rafinerinë e naftës “ARMO” për 128 milionë euro, tentoi të blinte “Albpetrolin” për 850 milionë euro, por nuk ia doli.
Fillimisht, ai themeloi kompaninë “Taçi Oil” në vitin 2003 dhe brenda pak vitesh arriti të kontrollonte një pjesë të mirë të aktivitetit të tregtimit të hidrokarbureve.
Taçi u përfshi dhe në investimin në futboll. Bleu klubin e Gramozit, të cilin e ngjiti në Kategorinë Superiore, solli në Shqipëri dy klubet e mëdha Real Madrid dhe Milan. Më tej, ia doli të bëhej njëri prej sponsorëve të klubit legjendar kuqezi si dhe u përfol se do të ishte njëri prej aksionerëve të Çelsit.
Kulmi i fuqizimit të tij ekonomik arriti kur bleu ARMO-n për 128 milionë euro. Pastaj, hapi zyra dhe luajti në Bursën e Singaporit, kërkoi të privatizonte “Albpetrol”-in për 850 milionë euro, xhiroi në vitin 2012 rreth 350 milionë euro, nga kompanitë e naftës dhe u largua në gusht të 2013, duke i shitur të gjitha, pasi ishte i mbytur në borxhe.
Gjithashtu, ish-bosi i naftës bleu dhe televizionin “Alsat”.
Me daljen e Partisë Demokratike në opozitë në vitin 2013 erdhi dhe fundi i shkëlqimit të Rezart Taçit. Ai e zhyti kompaninë ARMO në borxhe të shumta (75 milionë euro), e cila më pas iu kalua një konsorciumi azer të quajtur “Heaney Assets Coorporation”.
Në vitin 2016 u arrestua nga shteti zviceran për akuzat e “mashtrimit”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe “falsifikimi i vulave dhe i stampave ose i formularëve”.
Pas largimit të tij nga Shqipëria, shteti shqiptar nisi hetimet për biznesmenin 50-vjeçar për “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “grupit të strukturuar kriminal” dhe “kryerjes së veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.
Sot, SPAK vendosi arrestimin e tij dhe Rezart Taçi duhet të përballet me drejtësinë e shtetit shqiptar