Ishte një helmim i paralajmëruar. Një tragjedi e shkruar me muaj. Një skandal që nisi me vezë të kontaminuara, me pula të ngordhura, me paralajmërime publike, me sinjale të qarta në sistemin e prokurimeve, por që u injorua me një heshtje të frikshme. Dhe sot, kemi 17 fëmijë të helmuar në Gramsh, të cilët janë bërë viktimat e radhës të një shteti që zgjedh të mbrojë biznesin dhe votat para jetës së qytetarëve.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, institucioni që supozohet të garantojë sigurinë e produkteve ushqimore, më në fund ka pranuar se helmimi i ndodhur në Kopshtin nr. 1 në Gramsh ka ardhur si pasojë e vezëve të kontaminuara me salmonelë. Po, të njëjtat vezë për të cilat prej muajsh janë ngritur alarme. Të njëjtat vezë për të cilat AKU nuk mori asnjë masë parandaluese. Dhe si për ironi, në vend që të mbrojë fëmijët, ky institucion i drejtuar nga Olsi Komici mbrojti përsëri interesat e furnitorëve. Historia është e përsëritur dhe e njohur. E kemi parë me mishin e pulës me salmonelë, me mishin e derrit, me qumështin, me produktet e tjera të kontaminuara që futen dhe dalin nga tregu shqiptar pa u ndaluar nga askush.
Ngjarja në Gramsh është pasqyrë e saktë e dështimit sistematik të AKU. Më 20 maj ndodhi helmimi. Fëmijët u shtruan në spital. Institucionet heshtën. Ngjarja nuk u raportua. Prindërit u lajmëruan privatisht. Shifrat u minimizuan. Kopshti vazhdoi të funksiononte sikur asgjë nuk kishte ndodhur. Vetëm kur rasti shpërtheu në media, AKU doli dhe dha një deklaratë të përtypur, duke thënë se po merren masa dhe se kopshti do të mbyllet përkohësisht. Kjo është fasada që ne shohim gjithmonë: një institucion që vetëm reagon pas skandalit, kurrë para tij. Asnjëherë nuk parandalon, gjithmonë pasojat bien mbi qytetarin.
Vezët e kontaminuara janë shpërndarë nga kompania “Nelsa SH.P.K.”, një emër tashmë i njohur për aferat e saj me shtetin. Kompani që prej vitesh ka fituar tenderë për furnizimin e kopshteve, çerdheve, spitaleve e burgjeve, pavarësisht se pronari i saj i vërtetë, Nexhmi Balla, është arrestuar për korrupsion në tenderët e ushqimeve në burgje. Pas arrestimit, ai i kaloi kompaninë vajzës së tij, Elsa Kamber, për të shmangur penalizimet. Sot, kjo kompani me flamuj të kuq në sistemin e prokurimeve vazhdon të furnizojë pa u shqetësuar, pa u hetuar, pa u ndalur.
Për ta bërë edhe më groteske situatën, hetimet për këtë çështje po drejtohen nga Prokuroria e Elbasanit, ku kryeprokuror është Kreshnik Ajazi – vëllai i kryetarit të Bashkisë Gramsh, Besion Ajazi. Po, një vëlla po heton vëllanë. Dhe në vend të masave të menjëhershme, dëgjojmë deklarata qesharake që e minimizojnë ngjarjen si disa raste të izoluara. Një tjetër përpjekje për të fshehur të vërtetën, për të mbrojtur pushtetin lokal, për të zhdukur çdo gjurmë përgjegjësie. A nuk është kjo një tjetër provë se sistemi nuk punon për qytetarët, por për të mbrojtur vetveten?
Dhe ndërsa ndodhin të gjitha këto, historia e vezëve të kontaminuara është shumë më e gjatë. Që prej muajit mars janë raportuar raste të shumta alarmante që AKU i ka injoruar. Në fermën “Rea’s”, 69 mijë pula të ngordhura dhe 250 mijë vezë u bllokuan për shkak të dyshimeve për grip shpendësh. Në Durrës, u raportua një tjetër vatër me mbi 1800 pula të ngordhura. Çfarë bëri AKU? Asgjë. Institucioni vazhdoi të qëndrojë duarkryq, të heshtë përballë rrezikut dhe të mos marrë asnjë masë parandaluese për të shmangur shpërthimin e një skandali të përmasave të Gramshit.
Dhe lista e skandaleve të AKU është shumë më e gjatë. 1,535 kg mish me salmonelë në rrjetin KFC – vetëm 177 kg u sekuestruan. 13.2 ton akullore me oksid etileni që shkakton kancer. Minj mbi thasët e miellit të kompanisë “Diamond”. 985 kg acuge me parazitë. 4,516 kg fileto derri me salmonelë. 35 pesticide kancerogjene të zbuluara në ushqime që konsumohen çdo ditë nga shqiptarët. Dhe çfarë bën AKU? Asnjë përgjegjës nuk dënohet, asnjë kompani nuk mbyllet, asnjë zyrtar nuk shkarkohet. Vetëm një institucion që justifikohet dhe zhduket sa herë që duhet të flasë.
Qeveria nga ana tjetër, dy ditë para zgjedhjeve të 11 majit, vendosi të falë të gjitha gjobat e dhëna nga viti 2015 deri në nëntor 2024. Ndërtime pa leje, mosrespektim të rregullave të sigurisë ushqimore, gjithçka u amnistua. Një falje masive që i dha dritë jeshile të gjitha kompanive problematike që janë dënuar ndër vite. Pra, në vend që të ndëshkojë ato që rrezikojnë jetën e qytetarëve, qeveria i shpërblen me falje dhe kontrata të reja. Kjo është një aleancë mes pushtetit dhe korrupsionit që po shkatërron themelet e sigurisë publike në vend.
Prindërit në Gramsh që dolën në protesta janë të vetmit që ngritën zërin. Të vetmit që kërkojnë drejtësi, ndërsa institucionet shtetërore përpiqen të mbyllin dosjet nën heshtje. “Nuk jam i sigurt ta çoj më vajzën në kopsht,” – tha një baba. Dhe si ai, janë dhjetëra që jetojnë me frikën e përsëritjes së së njëjtës tragjedi. Sepse të gjithë e dimë: kjo nuk do jetë hera e fundit. Historia do përsëritet. Me “Nelsa SHPK” apo me një tjetër kompani, me vezë apo me mish, me një tjetër qytet e një tjetër kopsht. Sa kohë që AKU drejtohet nga njerëz që nuk kontrollojnë, që nuk paralajmërojnë, që nuk ndëshkojnë, fëmijët tanë do të mbeten viktima të një sistemi të kalbur.
Ky është krim i organizuar kundër shëndetit publik. Një krim që ndodh në sy të të gjithëve, ndërsa drejtësia sillet sikur s’ka ndodhur asgjë. Një krim për të cilin askush nuk jep llogari. SPAK duhet të nisë hetim të thelluar për të zbuluar zinxhirin e plotë që nga fermeri, tek inspektori, tek drejtori, tek ministri. Është një pasqyrë e asaj që ndodh kur shteti shitet dhe fëmijët helmohen. Nëse shoqëria nuk reagon tani, nesër do të jetë vonë.