Qendra e Tiranës nga një ansambël monumental dhe historik i kohës së fashizmit, duket se pas disa vitesh do të thërritet me emrin “Grand Casino Tirana”.
Qeveria “Rama” dhe Rilindja, kanë projektuar që ta kthejnë të gjithë qendrën e kryeqytetit në një “kuplala” gjigante kumari, bixhozi dhe prostitucioni, të cilën edhe Montecarlo me Las Vegasin do ta kishin zili.
Ruleta, tavolina pokeri, zaresh, slot-machine (makina elektronike), hotele me pesë yje, klube nate, striptiste, escorta dhe deri të fortë me makina luksoze, kjo duket se do të jetë pamja e qendrës së Tiranës shumë shpejt.
Pasi po e betonizon me shpejtësi supersonike dhe po e ngre në lartësi, si dhe po e mbyll për qarkullimin e automjeteve, me ndihmën e zellshme edhe të bashkisë së Tiranës, qeveria ka parashikuar rrethimin e qendrës me kazino të mëdha.
Vetëm shtëpitë publike do të ishin pjesa e fundit e “mozaikut” të shthurjes dhe pastrimit të parave, pas kësaj në qendër të Tiranës.
Në datën 2 shtator, qeveria “Rama” përcaktoi me anë të një VKM-je, se qendra e kryeqytetit që tashmë po rrethohet me kulla, do të ketë si destinacion mbushjen edhe me kazino.
Pas “Regency Casino” të kompleksit Tajvan në parkun “Rinia”, qendrës do t’i shtohen me dhjetëra të tjera, në disa hotele me 5 yje por edhe në disa qendra tregtare që janë në ndërtim e sipër.
VKM-ja me firmën e Erjon Braçes
Për 7 vite me radhë në pushtet kryeministri Edi Rama trumbetoi mbylljen e lojërave të fatit, por vetëm një vit e gjysmë pas ndalimit të tyre me ligj, qeveria “Rama 2” vendosi që me anë të një VKM-je të lejojë sërish hapjen e kazinove.
Vendimi mban emrin dhe firmën e Zv.kryeministrit Erjon Braçe, ndërkohë që do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Me vendimin e datës 2 shtator, pas një ndryshimi me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe Këshillit të Ministrave, në ligjin “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, janë përcaktuar zonat ku do të lejohet vendosja e lojërave të fatit të kategorisë “Kazino” në qytetin e Tiranës.
Sipas hartës që i bashkëlidhet vendimit, kazinotë do të ndodhen brenda kufizimeve të rrugëve: Rruga: “Barrikadave”; Rruga: “Urani Pano”; Rruga: “Dedë Gjo Luli”;, Rruga: “Ibrahim Rugova”; Bulevardi: “Zhan D’Ark”; Rruga: “Xhorxh W. Bush”.
Qeveria ka miratuar edhe kriteret për licencimin e kompanive për hapjen e kazinove në këto ndërtesa. Sipas, vendim të miratuar nga qeveria, kompania duhet të jetë shoqëri aksionere, me eksperiencë në fushën e lojërave të fatit dhe me kapital prej 1, 2 miliardë lekë.
Harta e kazinove
Zona e qendrës së Tiranës ku do të zhvillojnë aktivitetin kazinotë me vendimin e ri, përfshin sheshin “Skënderbej”, parkun “Rinia”, zonën pranë Sahatit, zonën pas Teatrit Kombëtar, përfshirë edhe Qendrën Toptani, si dhe sheshin pas Pallatit të Kulturës.
Po ashtu në këtë zonë përfshihen edhe dy hotele ekzistuese, “Tirana International Hotel” dhe “Plazza”, kompleksi “Tajvan”, si dhe ndërtimet e reja që po zhvillohen në këtë zonë, si ndërtesa pas Hotel Dajtit “Met Building”; kulla “Skënderbej”, në krah të Hotel Tiranës; kulla 25-katëshe “Book Building”, menjëherë pas Kullës së Sahatit dhe ndërtesës së Bashkisë, si dhe të gjitha kullat e planifikuara për ndërtim në zonën pas ish-Teatrit Kombëtar.
Më 1 janar 2019, u mbyllën të gjitha bastet sportive dhe kazinotë. Sipas vendimit të qeverisë tani lejohen vetëm kazinotë elektronike në resorte dhe hotele me pesë yje, të cilat do të licencohen para fillimit të punës.
Bie monopoli i “Regency Casino”, vjen “Apex”
Më 1 janar 2019, pas një operacioni policor dhe kërcënimeve në media, qeveria e Rilindjes i mbylli lokalet e lojërave të fatit dhe ato të basteve sportive, duke shkaktuar ndër të tjera mbetjen pa punë të mijëra punonjësve që ditët e para të vitit i gjetën të papunë.
Monopoli i të vetmes kazino në kryeqytet dhe në Shqipëri, u duk sikur i mbeti në atë kohë vetëm “Regency Casino”, brenda kompleksit “Tajvan” në parkun “Rinia”, në qendër të Tiranës, me pronar biznesmenin e njohur Besnik Sula, ose i njohur me nofkën “Beso i Tajvanit”.
Ky i fundit dukej si i “privilegjuari” i qeverisë së Rilindjes, i favorizuar jo vetëm për biznesin e kazinove, por edhe në investimet në ndërtim dhe në sektorin e hidrokarbureve.
Por kjo deri në momentin kur ndaj tij një ditë të nxehtë gushti të vitit 2019 u “derdhën” policia, Hetimi Tatimor dhe organet e shtetit, duke e lidhur të gjithë kompleksin “Tajvan” në qendër të Tiranës me shiritat që tregonin “zonë krimi”.
Pretendimi i qeverisë ishte se kompleksi “Tajvan” dhe kazinoja nën të, ku ishin klientë personazhe VIP nga e gjithë bota e politikës, mediave, biznesit, drejtësisë dhe shoqërisë civile në kryeqytet, bënte evazion fiskal.
Pas bllokimit të disa muajve dhe gjobave me vlera të konsiderueshme, u duke se monopoli i Besos dhe “Regency Casino” kishte rënë.
Një emër jo i ri kompanie, pasi kishte ekzistuar edhe më parë, nisi të përflitej përsëri në analet e botës së parave në Tiranë. Bëhej fjalë për kompaninë e lojërave të fatit “Apex”, e cila duket se ja kishte dalë të çante “bllokadën” e monopolit “Tajvan”.
“Apex-al” ishte tashmë kompania e vetme e licencuar për hapjen e kazinove në hotele me 5 yje nga Rilindja.
Kohët e fundit, “Apex” ndryshoi edhe emrin në “Adria Entartainment”, duke marrë më 19 maj 2020 dhe licencën nga qeveria “Rama”, për të hapur kazino elektronike në hotele me pesë yje, për 10 vjet.
Pronari i kompanisë “Apex”, Dajlan Avdia, është aktualisht një nga ndërtuesit e disa prej ndërtimeve kryesore në qendër të Tiranës, përfshirë edhe godinën “Book Building”.
Kjo e fundit, është përfshirë në zonën e hartës së re kufizuese, ku do të zhvillohet aktiviteti e lojërave të fatit brenda qendrës së Tiranës.
Pas datës 28 qershor 2020, skadoi edhe leja e të vetmes kazino të licencuar në vend “Regency International Casino Tirana”, e vendosur tek “Tajvani” në parkun “Rinia”.
Pas kësaj, kompania “Apex-al” duket se do të ketë monopolin e lojërave të fatit në vend.
Kush është Daljan Avdia, pronari i “Apex-al”
Biznesmeni Dajlan Avdia, është aktualisht një nga ndërtuesit e disa prej ndërtimeve kryesore në qendër të Tiranës, të projektuara nga arkitektët e preferuar të Kryeministrit Rama, shuma e secilës prej tyre kap vlera marramendëse.
Në 2 shkurt 2018, Këshilli Kombëtar i Territorit, i drejtuar nga kryeministri Rama, miratoi lejen e ndërtimit për objektin “Book Building”, e cila ndodhet pas Bashkisë Tiranë dhe pas kullës së Sahatit monumental të kryeqytetit.
Kulla shumëkatëshe është projektuar nga studio e arkitekturës “51N4E”.
Në nëntor 2017, të njëjtit person, Dajlan Avdia, por nën emrin e një kompanie tjetër, “Invest Society”, kryeministri Rama, i miratoi, dy leje të tjera për ndërtimin e kullave në zonën e ish-bllokut, godinës shumëfunksionale “Blloku” dhe “West Residence”.
Dy kullat në fjalë, janë projektuar nga arkitekti italian Stefano Boeri.
Opozita e mbetur jashtë “lojës” së kazinove?
Opozita ndërkohë me dy partitë kryesore PD-ja dhe LSI-ja, duket se është lënë jashtë vëmendjes, ose jashtë “tepsisë” së madhe të ndërtimit të kullave me kazino brenda.
Këtë e shpjegojnë reagimet e fundit të drejtuesve të dy partive kryesore të opozitës, të cilët kanë nisur deklaratat dhe denoncimet, mbi aferat e Rilindjes dhe kryeministrit Rama, me ndërtuesit dhe biznesmenët e kazinove.
Në fillim PD-ja me zëdhënësen Ina Zhupa dhe pastaj me Sekretarin Edi Paloka, ka hedhur dyshime në lidhje me vendimin e qeverisë, për rihapjen e kazinove, si dhe ka akuzuar kryeministrin Rama se, ka miratuar këtë ligj për interesa të pastrimit të parave të grupeve mafioze, si dhe të një të dënuari shumë të fuqishëm në burgun 313 me të cilin kryeministri sipas Partisë Demokratike, bashkëpunon.
Më pas edhe LSI-ja, me nënkryetarin Petrit Vasili, akuzoi kryeministrin Rama se, ka mashtruar qytetarët në lidhje me premtimin për mbylljen e lojërave të fatit.
Në një deklaratë për shtyp, Vasili u shpreh se, Rama ka deklaruar vetë që lojërat e fatit përdoreshin për pastrimin e parave të pista, por tani ka miratuar një ligj që lejon rihapjen e kazinove në ‘zemër të Tiranës’.
Duket pak e çuditshme se përse këto deklarata nga opozita vijnë në këtë kohë, kur është bërë fakt i kryer nga qeveria, rihapja e kazinove dhe ngritja e kullave, kur prej një viti mediat e kanë denoncuar këtë fakt.
Deklaratat e mëparshme të kryeministrit Rama në lidhje me mbylljen e kazinove:
Në 8 tetor 2018:
“Duke nisur nga data 31 dhjetor të këtij viti do të pushojnë së funksionari të gjitha kazinotë elektronike. Ndryshimi i sotëm përfshin edhe bastet sportive, si dhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë, me kuaj, me qen, apo me çdo lloj skllavi të faunës shqiptare.”
Në 14 tetor 2018:
“Paratë e zeza të basteve po derdhen kazaneve për të jashtëqitur llafin se kjo u bëka që të mbetet një monopol online! Mos u lodhni kot, bastet s’i shpetoni dot më! Edhe bastet, edhe ky monopoli online do vdesin për Vit të Ri.”
Në 18 tetor 2018:
“Jam i sigurt se ky grup parlamentar do tu japë […] një dhuratë të shumëpritur me rastin e Vitit të Ri, mbylljen e kazinove elektronike e basteve sportive që nga ndeshjet e futbollit deri tek garat e çdo lloj katërkëmbëshi të faunës botërore dhe të basteve online. Në 1 janar nuk ka më asnjë lloj basti, kazino elektronike në asnjë zonë të banuar.”
Në 19 tetor 2019:
“Në datë 31 dhjetor, nënat, gratë dhe vajzat do të marrin mbrapsht djalin apo burrin e sëmurë nga bixhozi. Më 1 Janar do të jenë mbyllur të gjitha bastet në rrugë, apo online dhe thënë kjo, online sot lozet me kartë krediti dhe çdo transaksion është i regjistruar, taksohet dhe nuk mund të luash në të zezë. Më 31 Dhjetor nuk ka më. Do t’i mbyllim të tëra.”
Në 22 tetor 2018:
“Aktiviteti i bixhozit në Shqipëri financohet në një masë të madhe nga krimi i organizuar.
Janë burime financimi kriminale, janë para që pastrohen përmes aktivitetit të kumarit dhe janë eksponentë të krimit të organizuar që fshihen ose janë drejtë të përfshirë në këto aktivitete.”
Në 2 janar 2019
“Vit i Ri me këmbë të mbarë, pa kumar e pa kapsolla.”
/GazetaReforma.com/