Tirana ka ndezur mbrëmjen e djeshme dritat e pemës gjigante të Krishtlindjeve në Sheshin Skënderbej. Veliaj ftoi këdo që t’i bashkohet kryeqytetit shqiptar në këto festa magjike.
“Teksa numërojmë të gjithë mbrapsht për të ndezur dritat e pemës, për të hapur këtë fshat të madh, për të ftuar të gjithë shqiptarët dhe këdo që të vijë dhe t’i kalojë festat në Tiranë”
Por ajo që evidentohet është fakti se në një kohë kur virusi po rrit gjithnjë e më shumë rrezikun për jetën e qytetarëve, duket se kjo nuk është një arsye për ndalimin e grumbullimeve. Bota po alarmohetpër variantin e ri të Covid-19, Omicron, shumë vende po mbyllen sërish, mirëpo në Shqipëri vazhdon sërish të bëhet nami !
Madje, zyrtarët e vendit tonë i mbështesin këto grumbullime duke i organizuar dhe duke qenë vetë prezentë. Mesa duket për kryebashkiakun më shumë rëndësi ka eventi i ndezjes së dritave të pemës së Krishtëlindjeve sesa jeta e qytetarëve.
Ky grumbullim i njerëzve për ceremoninë e ndezjes së dritave të pemës së Krishtëlindjeve është zhvilluar në kundërshtim me rregullat anti-Covid të vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve .
Kujtojmë që Komiteti Teknik i Ekspertëve deklaroi se për shkak të stinës së dimrit dhe mutacionit të ri Omicron, masat kufizuese anti Covid do të shtohen me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit.
Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve.
Vlen të përmendet se ky urdhër i Komitetit Teknik të Ekspertëve është shkelur haptazi mbrëmjen e djeshme ku qindra njerëz “harruan” virusin dhe u entuziazmuan për atmosferën festive të ndezjes së dritave të pemës së Krishtëlindjeve.
Gjithashtu vijon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj, e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00, ndërsa qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:
- Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.
- Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.
Për sa përket masave të reja të ndërmarra nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, deri më 31 dhjetor të gjithë punonjësit e administratës publike, qendrave tregtare dhe supermarketeve do të duhet të vaksinohen. Nga data 4 janar, atyre do u kërkohet certifikata e vaksinimit.
Po ashtu, duke filluar nga data 3 dhjetor e në tre javët në vazhdim do të ndalohet hyrja në Shqipëri për shtetasit që kanë udhëtuar në vendet e Afrikës së Jugut.
Kurse për të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë udhëtuar drejt vendeve të Afrikës së Jugut, do të bëhet karantinimi për 14 ditë në shtëpinë e tyre në momentin që kthehen në Shqipëri.
Siç mund të shihet edhe nga pamjet në ceremoninë e ndezjes së dritave të krishtëlindjeve janë mbledhur njerëz jashtë kapacitetit të lejuar.