Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në një komunikim për mediat, ka folur për situatën në vend, ku deklaroi se pandemia e koronavirusit i ka dhënë goditje të gjithanshme ekonomisë shqiptare.
Sejko tha se, pritet një rënie e ndjeshme e ekonomisë në bazë të treguarve të 3-mujorit të parë. Piku i rënie pritet të arrihet në 3-mujorin e dytë të vitit, ndërkohë që vendi sipas parashikimeve do t’i rikthehet rritjes ekonomike vetëm në vitin 2021.
Sejko nënvizoi se “pandemia e coronavirus ka goditur ekonominë shqiptare”, pasi ka një tkurrje prej 2.5% në periudhën janar-mars, ndërsa papunësia ka shkuar në mbi 11%, pasi 17 mijë persona kanë humbur vendin e punës për shkak të masave shtrënguese gjatë 3 muajve të para të 2020-s.
“Sipas të dhënave të Instat-it, ekonomia shqiptare u tkurr me 2.5% në tremujorin e parë të këtij viti, duke pasqyruar rënien e eksportit dhe të investimeve. Po kështu, të dhënat e tregut të punës tregojnë se ekonomia shqiptare humbi rreth 17000 mijë vende pune në këtë periudhë, ndërsa norma e papunësisë u rrit në 11.4%”, u shpreh Guvernatori i BSH-së.
Guvernatori tha se, rritja e borxhit publik është një kompromis i pranueshëm në këtë situatë, ndërsa shtoi se, rikthimi i një vale të dytë të pandemisë do të rrisë problemet ekonomike. “Në gjysmën e dytë të vitit 2021 do të ketë një stabilizim të ekonomisë. Politikat që kemi marrë kanë zbutur krizën. Është rritur borxhi publik. Ekonomia gjithsesi do të varet nga fakti sesa do të zgjasë pandemia e COVID-19, tha ai.
“Skenari ynë bazë i zhvillimeve të pritura është ndërtuar mbi supozimin e shmangies së një vale të dytë të pandemisë dhe reduktimin gradual deri në zhdukje të plotë të pasojave të saj. Në këtë skenar, ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rënie të ndjeshme për vitin 2020 dhe norma relativisht të shpejta dhe të qëndrueshme rritjeje në vijim. Aktiviteti ekonomik në vend pritet të shënojë pikun e ngadalësimit në tremujorin e dytë, të vijojë të mbetet në territor negativ në dy tremujorët në vijim, dhe ti kthehet rritjes në vitin 2021”, u shpreh z. Sejko.
Edhe pse të dhënat e 3-mujorit të dytë nuk janë ende të plota, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se, nga të dhënat paraprake eksportet kanë rënë me 33%, kurse importet janë tkurrur me 30%.
“Eksportet e mallrave u tkurrën me 33% gjatë dy muajve të parë këtij tremujori, në përgjigje të rënies së kërkesës së huaj dhe të pengesave në qarkullim. Po ashtu, importet u reduktuan me rreth 30%, duke sinjalizuar ngadalësimin e shpejtë të konsumit dhe të investimeve në vend, ndërsa të ardhurat buxhetore u tkurrën me rreth 30% në dy muajt e parë të tremujorit, duke pasqyruar rënien e përgjithshme të aktivitetit ekonomik”, përfundoi Sejko.