Opozita e Bashkuar mbajti sot një takim në Durrës. Pjesë e mbledhjes ishin edhe Flamur Noka, Fatmir Mediu e Oerd Bylykbashi. Gjatë takimit u hodhën disa propozime. Për kreun e republikanëve Fatmir Mediun, prioritare në draftin e propozimeve duhet të jetë kthimi i koalicioneve ndërsa diasporës t’i mundësohet jo vetëm votim, por edhe kandidim në zgjedhje.
“Çështja që është më proekupante në çdo nivel politik është reforma zgjedhore. Ne kërkojmë që të kemi një diskutim me të gjithë spektrin opozitar, për të parë secila duhet të jetë qasja më e mirë për reformën. Kjo jo thjesht për interesin e opozitës por se deformimi i votës është i dukshëm në favor të maxhorancës me prishjen e reformës zgjedhore duke marrë mandate në tryezë. Ne jemi dhe kemi qenë në mbështetje të diasporës që jo vetëm të votojë, por edhe të kandidojë. Më e rëndësishme është ndëshkimi me ligj jo vetëm i atyre që bëjnë sekserin, por edhe kandidati e partia që vjedh vota,”-tha Mediu.
Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deklaroi nga Durrësi se koalicioni duhet të thyejë dhe barrierën ideologjike, duke afruar dhe parti të majta që janë kundër Ramës.
“Bashkimi i opozitës është detyrë sepse vendi është në një emergjencë kombëtare, e shkaktuar nga korrupsioni masiv dhe nga krimi i organizuar që dominon vendin. Jemi në momentin që nevojitet bashkimi i shumë aktorëve dhe faktorëve politikë që shohin Edi Ramën dhe qeverinë e tij si rrezikun më të madh të vendit. Ka edhe parti të majta, parti të qendrës që nuk mund të pajtohen dhe që e refuzojnë regjimin e Edi Ramës. Ndaj dora jonë për ta duhet të jetë e shtrirë, dera jonë duhet të jetë e hapur. Kjo opozitë duhet të përbashkojë të gjithë ata që kanë nevojë për ndryshim dhe duan të kontribuojnë për një Shqipëri ndryshe”,-u shpreh Noka.
“Zgjerimi i zonave, mos të jenë më 12 por të jenë 3-4, listat e hapura e emigrantët jemi dakord”, u shpreh Agron Duka.
Gjithashtu gjatë takimit së Opozitës së Bashkuar në Durrës, nënkryetari demokrat, Oerd Bylykbashi, prezantoi Mekanizmin e Dialogut Politik.
‘Është një mekanizëm i vështirë, nuk ka rregulla të mirëpërcaktuara, por aq më shumë kjo na bën ne si opozitë të jemi maksimalisht kontribuues në mënyrë që oferta jonë të qartë për publikun, sigurisht për aleatët, dhe vështirësisht e kundërshtueshme. Si çështje kryesore ne mendojmë se duhet patjetër të rikthehemi te ajo që ishte marrëveshje politike jo vetëm me konsensus politik, por edhe me mbështetje ndërkombëtare. Pra te marrëveshja e 5 qershorit. Ishte një marrëveshje, në atë gjendje siç ishte, nëse nuk do ishin prekur themelet e Kushtetutës, koalicioni opozita do ishte sot në pushtet. Çështje kryesore aty është rikthimi i koalicioneve me lista të përbëra, koalicioni siç e kemi njohur në vitin 2013.
Praktikisht çdo parti e koalicionit të ketë të drejtën të ketë emrin e saj në fletën e votimit, qartazi të dukshëm, kutinë e saj për të votuar, të mbledhë ajo votat që i takon dhe nëpërmjet asaj vote, çdo parti e koalicionit të ketë mundësi të marrë mandatin. Në këtë mënyrë, rezultati do jetë i drejtë. Kemi sot provën se si një parti, LSI në vitin 2021 mori 108 mijë vota dhe vetëm 4 mandate. PSD vetëm me 30 mijë vota, mori 3 mandate. Diçka e tilla është në dëm të të gjitha partive, sidomos në dëm të partive të vogla. Po ashtu jemi plotësisht për listat e hapura. Zgjedhësi të ketë të drejtë të përcaktojë kandidatin që do të zgjidhet dhe të jetë përfaqësues i partisë përkatëse.
Një çështje tejtër më rëndësi është trajtimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Edhe këto lidhen me marrëveshjen e 5 qershorit, por janë ato që janë nënvizuara si problemet më të mëdha në zgjedhjet: shitblerja e votës, cenimi i votës sekrete, përdorimi i shtetit për të ushtruar presioni, përdorimi i burimeve shtetërore në favor të kandidatëve në qeveri edhe përmes akteve qeveritare, siç janë rritjet e rrogave, sepse kjo është e ndaluar sepse ndikon në procesin zgjedhor. Kemi ndërmend të trajtojmë me seriozitet të mbështetur me shembuj të qartë, problemin e blerjes së të drejtës së votës,“-tha Bylykbashi.