Ndërkohë që qeveria shqiptare ka ndërmarrë një aksion në shkallë kombëtare për lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme nga biznese apo individë të ndryshëm, një rast i denoncuar në zemër të kryeqytetit ka tronditur edhe njëherë opinionin publik për shkak të lidhjeve direkte me pushtetin.
Të dielën, më 6 korrik 2025, rreth orës 10:00, një grup i Task Forcës së Bashkisë së Tiranës ndërhyri në zonën e Pazarit të Ri, në përputhje me urdhrin e drejtpërdrejtë të Ramës për lirimin e hapësirave të zëna padrejtësisht. “S’ka më tokë e xanun. Hiqni vetë ato trarë, mblidhni plaçkat dhe lironi hapësirat e përbashkëta midis pallateve. Do ndërhyjmë me gjoba dhe ndjekje penale,” paralajmëroi ai pak ditë më parë në një video live.
Por menjëherë pasi inspektorët u larguan nga lokali që ndodhet në hyrje të pazarit, punonjësit e tij nisën të mbërthejnë sërish tendat dhe të vendosin tavolina në hapësirën publike, duke vazhduar me pushtimin e trotuarit si më parë. Sipas qytetarëve dhe raportimeve të shumta, lokali në fjalë është në pronësi ose menaxhim të drejtpërdrejtë të bashkëshortes së ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, Marinela Lika.

Në denoncimin e publikuar, një qytetar shkruan: “5 minuta sapo ky taborr administrativo-patronazhist u largua, tek lokali që publikisht është denoncuar si i gruas së ministrit Mazniku, punëtorët filluan të zaptojnë rrugën përpara këtij lokali siç dëshmohet në fotot që po ju dërgoj.”
Kjo ngjarje ka ngritur edhe njëherë pikëpyetje të mëdha mbi sinqeritetin dhe barazinë në zbatimin e këtij operacioni kombëtar. Në vend që të ndëshkohen abuzuesit me pushtet, duket se sanksionet dhe kontrollet ushtrohen kryesisht mbi qytetarët apo bizneset e zakonshme pa mbështetje politike.
Marinela Lika, për të cilën bëhet fjalë, nuk është një emër i panjohur; këshilltare për Parlamentin pranë Kryeministrit Rama dhe ish-koordinatore e lëvizjes “Mjaft”. Por ndryshe nga profili aktivist i së kaluarës, sot emri i saj lidhet me biznese të favorizuara dhe afera të dyshimta publike.
Aktualisht, bashkëshorti i saj Arbjan Mazniku ndodhet nën hetim zyrtar nga SPAK. Dosja hetimore ndaj tij është një nga më të rëndat që ka përfshirë një zyrtar të lartë të qeverisë. Pas shumë vite denoncimesh për abuzim me detyrën, pasurim të paligjshëm dhe konflikt interesi, më në fund SPAK ka hapur një hetim të thelluar që përfshin kontrolle në banesën e tij dhe një verifikim të tenderave në Bashkinë e Tiranës, ku Mazniku ka shërbyer më herët si zëvendëskryetar.
Një nga pikat kyçe të hetimit është pikërisht restoranti “The Home”, një biznes i menaxhuar nga Marinela Lika. Gjatë viteve 2021–2022, ky restorant ka përfituar afro 800 mijë euro nga tendera të dhënë nga Bashkia e Tiranës dhe kompania publike “Tirana DC”, ku Mazniku ka mbajtur postin e Kryetarit të Këshillit Administrativ deri në gusht 2024. Ky përfitim i dyfishtë përmes lidhjeve familjare dhe pushtetit institucional është një rast tipik i kapjes së shtetit.
Për më tepër, “The Home” është aktualisht nën masë sigurimi nga Drejtoria e Tatimeve për detyrime të papaguara në vlerën e 27 milionë lekëve të vjetra. Ky fakt flet për një arrogancë të pashembullt administrative, duke injoruar hapur rregullat fiskale që përndjekin çdo biznes të vogël në vend.
Mazniku është një emër që del vazhdimisht në dosjet më të errëta të abuzimit me fondet publike në Tiranë. Ai është përfshirë në skandalin e Barcelonës, ku mori dy herë pagesë për të njëjtën natë hoteli, një herë nga kompania “Fusha” dhe një herë nga Bashkia, e më pas pretendoi se i kishte kthyer paratë “cash” pa asnjë dokument. Prokuroria e rihapi çështjen, por nuk pati asnjë ndëshkim.
Ai përmendet edhe në dosjen e famshme “5D”, ku dhjetëra zyrtarë të Bashkisë së Tiranës rezultuan të përfshirë në tendera fiktivë për shërbime të padorëzuara. Po ashtu, është i lidhur me skemat e biletave të transportit publik, një mekanizëm tjetër që për vite ka zhvatur miliona euro nga qytetarët e Tiranës.
Të gjitha këto çojnë drejt një modeli të ngritur mbi abuzimin, pasurimin përmes pushtetit dhe mbrojtjen politike.
Ndërsa qytetarët e zakonshëm gjobiten për çdo shkelje të vogël dhe u rrëzohen tendat e biznesit për 30 cm jashtë vijës së lejuar, pranë bashkëshortes së një ministri ndodh e kundërta: hapësira publike rifitohet brenda pesë minutash nga largimi i “Task Forcës”.
Kjo është arsyeja pse shumë qytetarë po e quajnë këtë nismë selektive, të padrejtë dhe hipokrite. Në vend që të shërbejë për rivendosjen e rendit urban dhe përfitimin e hapësirave nga publiku, ajo duket se është kthyer në një mjet për të ndëshkuar të vegjlit dhe për të kursyer të pushtetshmit.
A do të guxojë ndonjë institucion ta zbatojë ligjin edhe për Marinela Likën dhe Arbjan Maznikun, apo drejtësia do të ndalet sërish aty ku nis pushteti?
Nëse ky rast kalon në heshtje, atëherë çdo aksion për “hapësira publike” do të mbetet si gjithmonë një spektakël bosh i kryeministrit, ndërsa qytetarët do të vazhdojnë të përballen me padrejtësinë e përditshme, në një sistem ku emri dhe mbiemri vlejnë më shumë se ligji.