Një grabitje e mirëorganizuar në bashkëpunim mes rojes së sigurisë dhe disa persoanve të paidentifikuar ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm. Një roje në një firmë sigurimi në kryeqytet, është arrestuar nga ana e policisë, pasi ka shpërdoruar detyrën e tij.
Bëhet me dije se 58-vjeçari me inicialet N.A., ka rënë në prangat e policisë, pasi dy ditë më parë në Kodër Mëzez, ka çaktivizuar alarmin e sigurisë në firmën ku punonte si roje sigurie, si dhe nuk ka raportuar për një vjedhje të një shume parash. Kjo vjedhje, është kryer nga persona ende të paidentifikuar në ambientet e firmës. Ndërkohë, policia po punon për kapjen e autorëve.
Njoftimi i Policisë – “Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit N. A., 58 vjeç, me detyrë punonjës i SHPSF, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi më datë 05.06.2021, në Kodër Mëzez, ka çaktivizuar alarmin e sigurisë në firmën ku punonte si roje sigurie dhe nuk ka raportuar për një vjedhje të një shume parash të kryer nga persona ende të paidentifikuar në ambientet e firmës. Punohet për identifikimin e kapjen e autorëve të vjedhjes”, shkruhej në njoftimin zyrtar të Policisë.