Gjykata e Posaçme ka dënuar me 25 vite burg Aleks Pepën, një nga autorët e grabitjes në aeroportin e Rinasit. Ndaj Pepës rëndojnë akuzat për grup kriminal dhe vjedhje me dhunë.
Ai u dënua për vjedhjen e 990 mijë eurove në vitin 2016 në pistën e aeroportit të Rinasit, ndërsa u gjykua në mungesë, pasi ndodhet në arrati prej 5 vitesh. Pepa është ende në kërkim ndërkombëtar nga INTERPOL. Thuajse një vit pas grabitjes së bujshme, në shtëpinë e Aleks Pepës policia dhe prokuroria bënë kontrolle dhe gjetën 50 mijë euro të fshehura në frigorifer, të cilat u sekuestruan në ciëlsinë e provës materiale.
Dyshimet e Prokurorisë kanë qenë se Pepa ishte autori kryesor i grabitjes, ndërsa bashkëpunoi edhe me persona të tjerë. Sipas informacioneve, pas grabitjes Pepa u largua drejt Rumanisë, por nuk dihet destinacioni i tij më tej.
Grabitja në aeroportin e Rinasit ndodhi në 30 qershor 2016. Dy personat që çanë rrethimin e aeroportit me një mjet tip “Mercedes Benz” rezultuan se ishin të aramtosur. Ata kishin edhe një bashkëpunëtor tjetër i cili priste jashtë pistës në një makinë të vjedhur. Nga hetimet rezultoi se gjithsej ishin përsorur katër makina, që ishin të vjedhura; një prej tyre ishte vjedhur në Pogradec, dy në Elbasan dhe një furgon në Durrës.
Pepa së bashku me një person tjetër këputën me darë çelësat e derës së rrethimit të aeroportit dhe u afruan me mjetet e tyre tek makinat e një shoqërie sigurie e cila ishte kontraktuar nga një bankë e nivelit të dytë në Tiranë, për transportin e parave jashtë vendit. Autorët sulmuan me armë rojet e sigurisë dhe mirën shumën e parave që ndodhej në furgonat e blinduar.