Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Sokol Mjacajt për heqjen e regjimit të posaçëm 41-biss, pas vendimit të Ministrit të Drejtësisë për zgjatjen e tij edhe për një vit.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, kërkesa e Mjacajt për kundërshtimin e vendimit nr. 619, datë 11.12.2024, që parashikonte vijimin e regjimit të posaçëm të sigurisë së lartë, është refuzuar.
Sokol Mjacaj, i dënuar me burgim të përjetshëm, ndodhet në këtë regjim për shkak të rrezikshmërisë së lartë.
Më 15 dhjetor 2023, ai vrau me armë zjarri bashkëvuajtësin e tij, Arben Lleshi, dhe plagosi një tjetër të burgosur, Indrit Shaqja, brenda qelisë në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.
Gjykata arriti në përfundimin se nuk ka bazë për heqjen e regjimit 41-biss, ndërsa Mjacaj ka të drejtën të apelojë vendimin në instanca më të larta.