Aktivistët thonë se diga do të përmbysë së paku 30 fshatra, qeveria e cilëson si projektin më të rëndësishëm në sektorin energjitik
Në Tiranë, Gjykata Kushtetuese pritet të zhvillojë nesër një tjetër seancë gjyqësore, kërkuar nga tre organizata për shfuqizimin e ligjit dhe vendimit qeveritar, të cilët i hapin rrugën ndërtimit të një hidrocentrali mbi Drinin e Zi në Skavicë të Kukësit.
Përfaqësues të këtyre organizatave pohojnë se këto dy akte bien ndesh me Kushtetutën, si dhe shkaktojnë dëme të mëdha në ekonominë dhe mjedisin e Dibrës.
Ata theksuan se kjo digë përmbyt së paku 30 fshatra dhe lë pa strehë mijëra banorë, ndaj të cilëve nuk po bëhet asnjë transparencë.
Përfaqësues të qeverisë nga ana tjetër, e kanë cilësuar hidrocentralin e Skavicës si projektin më të rëndësishëm në sektorin energjitik.
Shoqata “Për Mbrojtjen e Pronave dhe Mjedisit të Pellgut të Drinit të Zi”, Shoqata “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës” dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese në maj të këtij viti që të shfuqizojë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ligjin e 23 marsit 2021 mbi “përcaktimin e procedurës së veçantë për negocim dhe ekzekutim të kontratës me shoqërinë Bechtel International Inc, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.
Ato kërkuan po ashtu shfuqizimin edhe të VKM-së së 30 korrikut të po atij viti “Për miratimin e kontratës së fazës së parë për shërbime teknike- projekti hidroenergjitik i Skavicës ndërmjet KESH dhe Bechtel Limited”.
Një muaj pas kërkesës së tre organizatave Gjykata Kushtetuese rrëzoi në qershor një pjesë të kërkesës, për të pezulluar zbatimin e dy akteve, ndërsa vijoi më tej gjykimin mbi kërkesës për t’i shfuqizuar ato.
Veprimtarët besojnë se projekti nuk i nënshtrohet marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara nga Shqipëria si dhe shmang thelbësisht konkurrencën dhe transparencën, thotë Ferzileta Gjika, përfaqësuese e njërës prej shoqatave që iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës”
“Ligji dhe VKM-ja janë antikushtetues, sepse shkelin disa ligje kombëtare dhe ndërkombëtare mbi të drejtën e konkurrencës së lirë. Asnjë kompani tjetër private nuk është ftuar të marrë pjesë në këtë garë, por iu dha kompanisë Bechtel pa një tender. Ligji në parlament u miratua duke kapërcyer disa procedura pa u marrë parasysh, duke kryer një miratim të shpejtë të ligjit”, tha zonja Gjika.
Përfaqësues të qeverisë kanë pohuar se “hidrocentrali i Skavicës siguron pavarësinë e plotë energjitike të vendit”, dhe maksimalizon prodhimin në kaskadën e hidrocentraleve mbi lumin Drin.
Qeveria e cilëson hidrocentralin e Skavicës si “projektin më të rëndësishëm dhe më strategjik për sektorin energjetik shqiptar, të cilën është gati për ta bërë realitet”, si dhe “me fitime të drejtpërdrejta në energji, punësim, turizëm dhe ekonominë kombëtare”.
Ajo ka ngarkuar kompaninë amerikane Bechtel që të kryejë studime dhe propozime për digën. Kontrata për fazën e parë të projektit u nënshkrua me këtë kompani në korrik 2021, ndërsa në shtator të një viti më pas kompania kishte gati një raport mbi studimet në terren.
Por përfaqësuesit e organizatave pohojnë se banorët e krahinës janë të shqetësuar për përmbytjen dhe zhvendosjen e së paku 30 fshatrave dhe izolimin e shumë të tjerëve, zhdukjen e bujqësisë dhe blegtorisë, bimëve dhe kafshëve të egra në sipërfaqe disa dhjetëra kilometra katrore.
Ndërsa veprimtarët besojnë se ndërtimi i një tjetër hidrocentrali do ta thellonte varësinë e sistemit energjitik të Shqipërisë nga rreshjet dhe ujërat.
“Banorët kanë të drejtën njerëzore të jetës, por ata nuk janë pyetur fare për çfarë po ndodh. Për ta nuk janë kryer konsultime publike, nuk kanë marrë pjesë në vendimmarrje dhe nuk janë konsideruar si palë kryesore në çështjet e vendimmarrjes në lidhje me hidrocentralin e Skavicës. Kanë vazhduar punimet në fazë të parë me kërkime shkencore gjeologjike në vend, ndërkohë që populli mbahet i painformuar dhe në errësirë, si të thuash, pa ditur se çfarë ndodh me jetën e tyre”, tha zonja Gjika.
Sipas të dhënash jozyrtare, diga mund të shkojë mbi 440 metra e lartë me një kosto mbi 500 milionë euro.
Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) në publikimet e veta thotë se po kryen me kompaninë Bechtel një studim realizueshmërie për ndërtimin e HEC-it Skavica, e më tej një projektim paraprak, si dhe vlerësim mbi kostot e projektit, me qëllim që të sigurohet furnizim shtesë me energji elektrike, përmirësohet menaxhimi i kaskadës së Drinit si dhe reduktohen përmbytjet nga reshjet sezonale.
Ndër botimet publike të KESH-it gjendet edhe Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis i këtij projekti.
Mbi lumin Drin janë ndërtuar deri tani tre hidrocentrale, Vau i Dejës, Komani, dhe Fierza, ndërsa projekti për Skavicën synon një digë të sipërme kontrolluese për mirëmenaxhimin e gjithë kaskadës.
Por veprimtarët theksojnë se ndërtimi i Skavicës është shumë i shtrenjtë për shtetin dhe qytetarët shqiptarë, se nuk është i domosdoshëm, se aq sa pritet të prodhojë ky HEC Shqipëria mund t’i prodhojë me impiante të erës dhe të diellit, që janë me kosto dhe dëme më të ulëta dhe duke pakësuar varësinë nga ujërat dhe duke shmangur dëmet e pakthyeshme nga përmbytja e një territori të gjerë në Dibër./VOA