Gjykata e Lartë ka rrëzuar ankimin për sekuestrimin e disa pajisjeve kompjuterike të kompanisë “Gogel”, në pronësi të Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj. Vendimi lidhet me hetimin që po zhvillon Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbi dyshimet për një skemë të mundshme pastrimi parash të krijuar mes kompanisë “Gogel” dhe operatorit të telefonisë celulare “One”.
Në tetor të vitit 2025, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit sekuestruan pajisje kompjuterike dhe materiale të tjera në zyrat e “Gogel” shpk, në kuadër të hetimeve që lidhen me procedimet ndaj Erion Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxe. Ata janë akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Sipas dyshimeve të SPAK, kompania “One” përfitonte tendera nga Bashkia e Tiranës, institucion i drejtuar nga Erion Veliaj, ndërsa më pas një pjesë e fondeve transferoheshin përmes kontratave të shërbimeve reklamuese tek kompania “Gogel”, në pronësi të Arbër Veliajt.
Hetimi nuk është përqendruar vetëm tek këto dy kompani. Prokuroria ka kryer kontrolle dhe sekuestrime edhe në subjekte të tjera që operojnë në fushën e prodhimit dhe menaxhimit të reklamave, përfshirë “ASVL” shpk dhe “Kuadr.com”.
Në dosjen hetimore të cituar nga “Boldnews.al”, SPAK thekson se gjatë verifikimit të marrëdhënieve financiare mes “One” dhe “Gogel”, janë evidentuar edhe lidhje tregtare me kompanitë “ASVL” dhe “Kuadr.com”. Sipas hetuesve, këto dy kompani kanë përfituar fonde të konsiderueshme nga Bashkia e Tiranës përmes kontratave dhe sponsorizimeve për organizimin e eventeve kulturore dhe artistike.
Verifikimet në sistemin e Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe në të dhënat tatimore tregojnë se këto subjekte, përveç marrëdhënieve me institucionet publike, kanë pasur ndërveprime të vazhdueshme financiare edhe me kompaninë “Gogel” sh.p.k., e cila zotërohet nga Arbër Luan Veliaj.
Në korrik të vitit 2025, Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxe dhe disa biznesmenë të tjerë, të akuzuar për krijimin e një skeme korruptive që, sipas prokurorëve, shërbente për qarkullimin e fondeve të Bashkisë së Tiranës në favor të familjes së tij.
Gjatë hetimeve janë ngritur dyshime se në një skemë të ngjashme mund të jetë përfshirë edhe Arbër Veliaj përmes kompanisë së tij “Gogel” shpk. Hetimi ndaj tij është ndarë nga dosja kryesore dhe vijon ende.
Në tetor të vitit të kaluar, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit u rikthyen në Bashkinë e Tiranës, ku sekuestruan dokumente financiare që dyshohet se mund të hedhin dritë mbi përgjegjësinë e mundshme penale të Arbër Veliajt.
Nga dokumentet e administruara rezulton se gjatë periudhës 2020–2024 kompanitë “ASVL” dhe “Kuadr.com” kanë përfituar shuma të konsiderueshme nga fondet publike për organizimin e eventeve. Sipas analizës paraprake të hetuesve, Bashkia e Tiranës ka shpenzuar mbi 240 milionë lekë për kontrata dhe sponsorizime të lidhura me këto dy kompani.
Shoqëria “ASVL” sh.p.k., me NIPT L31329009M, operon në fushën e tregtimit të pajisjeve audiovizuale dhe shërbimeve të konsulencës teknike. Administrator i saj është Altin Alizoti, ndërsa ortakë janë Altin Alizoti, Bledar Cara dhe Florind Tenolli, secili me nga 33.33 për qind të kuotave.
Ndërkohë, “Kuadr.com” sh.p.k., me NIPT L72216039R, ka si objekt veprimtarie krijimin dhe menaxhimin e reklamave, shërbimet grafike, prodhimet audiovizuale dhe organizimin e eventeve artistike. Administrator dhe pronar i vetëm i kësaj shoqërie është Aleksandër Çifligu.
Sipas verifikimeve të kryera mbi librat e shitjeve dhe blerjeve të kompanisë “Gogel” sh.p.k., është konstatuar një marrëdhënie tregtare e vazhdueshme mes saj dhe shoqërive “ASVL” dhe “Kuadr.com”, të cilat kanë përfituar fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Nga analiza e të dhënave të deklaruara në Portalin Qendror të Kontrollit dhe Menaxhimit, i njohur si sistemi i fiskalizimit, rezulton gjithashtu se shoqëria “Arts Lab” sh.p.k., e lidhur me Ajola Xoxa, ka regjistruar disa fatura shitjeje gjatë vitit 2024. Mes tyre përfshihet edhe një faturë ndaj “Kuadr.com” sh.p.k., me vlerë 698,285 lekë.
Mbi bazën e këtyre të dhënave, Prokuroria e Posaçme mori autorizim nga gjykata për kontrollin personal të administratorit të “ASVL”, Altin Alizoti dhe drejtuesit të “Kuadr.com”, Aleksandër Çifligu. Gjykata gjithashtu autorizoi kontrollin e zyrave të këtyre dy shoqërive me qëllim sekuestrimin e provave dokumentare dhe elektronike, përfshirë pajisje kompjuterike, telefona celularë dhe çdo material tjetër që mund të shërbejë për hetimin.








