Në vitin 2024, Shqipëria ka importuar 2.9 milion litra vaj palme, një sasi alarmante që sipas ekspertëve të sigurisë ushqimore është përdorur kryesisht në prodhimin e qumështit të ambalazhuar dhe nënprodukteve të tij. Ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje serioze mbi cilësinë dhe sigurinë e produkteve ushqimore që konsumojnë qytetarët.
Rënia e numrit të gjedhëve dhe shtimi i kërkesës nga turizmi
Ekspertët pohojnë se numri i krerëve të gjedhëve në vend është në rënie të vazhdueshme. Në të njëjtën kohë, kërkesa për qumësht dhe nënprodukte të tij është në rritje, veçanërisht për shkak të fluksit të turistëve gjatë sezonit turistik. Si pasojë, industria përballet me vështirësi në sigurimin e volumeve të nevojshme dhe gjithnjë e më shumë po mbështetet në shtesa si vaj palme apo proteina qumështi për të plotësuar mungesën.
Çfarë funksioni ka vaji i palmës në përpunimin e qumështit?
Sipas Sokol Abazit, ekspert i sigurisë ushqimore, përdorimi i vajit të palmës lidhet me procesin e prodhimit të gjalpit. “Shpesh herë, nëse do të duam të bëjmë gjalp nga qumështi, ajo që mbetet përmban një sasi të vogël yndyre. Për ta nxjerrë këtë produkt në treg dhe për të qenë brenda normave dhe kërkesave, nevojitet shtimi i yndyrës,” shpjegon ai.
Përfitimet për industrinë dhe ndikimi te konsumatori
Arsyeja kryesore pse industria përdor vaj palme është kostoja e ulët dhe aftësia e tij për të rritur volumin e produkteve. “Përdoret sepse ka çmimin e ulët, rrit volumin, pasi kërkesat janë të mëdha. Në vend që të ndërtojmë ferma dhe të rrisim prodhimin vendas, përdorim shtesa,” thekson Abazi.
Ky fenomen nxit shqetësime të thella për konsumatorët shqiptarë, të cilët shpesh nuk janë të vetëdijshëm për përmbajtjen e produkteve që konsumojnë. Ndërkohë që importi i vajit të palmës po rritet, mungesa e transparencës në etiketim dhe mungesa e kontrolleve të rrepta mund të përbëjnë një kërcënim serioz për shëndetin publik dhe sigurinë ushqimore në vend.
Fenomen i përsëritur!
Shtojmë këtu rrezikun e pesticideve në skandalin e mandarinave, luleshtrydheve e specave. Këto incidente janë pjesë e një serie rastesh të ngjashme që kanë tronditur besimin e publikut tek cilësia dhe siguria e produkteve ushqimore në vend.
Më herët, skandale të ngjashme kanë përfshirë mish pule me salmonelë në KFC, 27 tonë mish të kontaminuar dhe peshk me parazit.
Janë gjetur 13.2 ton akullore të kontaminuara me oksid etileni, një substancë që shkakton kancer dhe leucemi, ndërsa qumështi dhe dhalla e prishur nga kompania “Lufra” arritën deri në tryezat e konsumatorëve. Minjtë u filmuan mbi thasët e miellit të kompanisë “Diamond”.
Eksperti i sigurisë ushqimore, Sokol Abazi, deklaroi gjithashtu më herët se këto substanca ndodhen edhe në një sërë produktesh të përditshme, përfshirë brioshët, drithërat, vajin e ullirit, bimët medicinale dhe erëzat si majdanozi e kopra. Efektet e tyre janë alarmante: kancer, çrregullime të sistemit imunitar, infertilitet dhe dëmtime të sistemit nervor.
Në një kohë kur qytetarët presin përgjigje konkrete, Ministria e Bujqësisë dhe AKU vijojnë të mos reagojnë.
Përballë këtij realiteti të hidhur, ku organet shtetërore nuk ushtrojnë kontrollet e duhura dhe janë të gatshme të rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, zgjidhja e vetme mbetet revolta qytetare. Pa një reagim të fortë nga konsumatorët, nuk mund të presim ndryshim nga një sistem që dështon çdo ditë në mbrojtjen e interesit publik.
Bojkoti i kompanive që shkelin rregullat dhe rrezikojnë shëndetin publik është hapi i parë drejt ndryshimit. Vetëm përmes një veprimi të organizuar qytetar mund të detyrojmë bizneset të respektojnë standardet e sigurisë ushqimore dhe institucionet të kryejnë detyrat e tyre!