“Gjaku lahet me gjak”, është ky mesazhi i gjetur mes luleve të lëna në parkimin e një qendre tregtare në La Favorita, në Mantova të Italisë, aty ku natën mes të enjtes dhe së premtes së shkuar u vra brutalisht 23-vjeçari shqiptar Atilio Ndreca, ndërsa 35-vjeçari italian Pierfrancesco Ferrari përfundoi në koma.
Të dy personat u sulmuan brutalisht nga persona ende të paidentifikuar me shkopinj bejsbolli e shufra hekuri. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur rreth orës 3 të natës, ndërsa identifikimin e autorëve e bënë më të vështirë fakti që ata janë tërhequr në një cep ku nuk kishte kamera dhe janë dhunuar barbarisht. Mesazhi në foto është bërë publik në të përditshmen italiane La Repubblica, e cila shkruan se mesazhi është një paralajmërim për një hakmarrje të mundshme ndaj grupit që fshihet pas këtij krimi.
Gjithashtu bëhet me dije se mesazhi i gjetur mes luleve i është dorëzuar karabinierëve që së bashku me prokurorinë po hetojnë ngjarjes. Në vendin e ngjarjes autoritetet kanë gjetur rroba të mbuluara me gjak, që nuk i përkasin të rinjve, dhe që janë çuar për ekzaminim. Nga këto rroba hetuesit shpresojnë që të mund të bien në gjurmët e autorëve.
“Para se të gjenden nga ndonjë që do dojë të aplikojë rregullat e nderit të Kanunit, kanuni shqiptar që aplikohet ndonjëherë nga fiset”, shkruan e përditshmja italiane.
Sa i përket motiveve që çoi në këtë sulm barbar që i kushtoi jetën të riut shqiptar, media italiane shkruan se hetuesit janë ngurues për ta përcaktuar sulmin si një larje të mundshme hesapesh për shpërndarjen e drogës.