Gentian Sula është një nga ata emra që shfaqet kudo, por rrallë del në dritë. Biznesmeni i ndërtimit, i njohur për projektet e tij tek “Kodra e Diellit” dhe rezidencat turistike në bregdet, është kthyer në sinonim të lidhjeve të errëta midis pushtetit politik, gjyqësorit dhe interesave të mëdha të ndërtimit në Shqipëri.
Sot ai u paraqit në ambientet e SPAK, për t’ju komunikuar zyrtarisht akuza në lidhje me dosjen “Veliaj”. Sula po hetohet për korrupsion dhe pastrim parash në marrëdhënie të dyshimta me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Ai ndodhet nën masën “detyrim paraqitje”.
Hetimi i SPAK zbulon se lidhja mes Sulës dhe Veliajt nis që nga koha kur ky i fundit ishte ministër i Punës. Pikërisht në atë kohë, Veliaj blen një banesë tek “Kodra e Diellit”, kompleks në pronësi të Sulës. Pak më vonë, bashkëshortja e Sulës emërohet zëvendësministre. Dhe më pas, me Veliajn tashmë kryetar bashkie, kompania e Sulës, “Agi Kons”, nis të përfitojë në mënyrë të përsëritur leje ndërtimi në Tiranë.
Sipas SPAK, këto favore nuk ishin rastësore. Ato janë shpërblyer me prona të paluajtshme në bregdet, përfshirë tre vila në fshatin rezidencial Qerret në Kavajë, ku njëra është në pronësi të vetë Veliajt, tjetra e vëllait të tij dhe e treta është shembur për të krijuar hapësira shtesë.
Lidhja e tyre klienteliste është denoncuar nga një burim që mendohet të jetë mbajtur anonim nën emrin “Nesti Angoni”, i cili ka dhënë informacione të detajuara për pronat dhe lëvizjet e familjarëve të Veliajt.
Kompania e Sulës ndërkohë ka fituar tendera të shumtë nga Bashkia e Tiranës, duke përfshirë projekte infrastrukturore dhe investime në arsimin publik, që përkthehen në miliona euro të parave publike.
Por a është kjo tabloja e vetme që e lidh Gentian Sulën me klientelën politike?
Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit konfirmoi konfiskimin e një apartamenti 81.41 m² në pronësi të tij, që rezulton të jetë pronë e fshehur e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro. Ky i fundit, i dënuar për tjetërsim tokash dhe falsifikim dokumentesh në favor të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres Olta Xhaçka, kishte përdorur emrin e Sulës për të mbuluar këtë pasuri. Kjo tregon se prona në emër të Sulës ishte thjesht një tjetër copëz e rrjetës së zhvatjes së pronës publike nga politikanët.
Rasti Goro është vetëm një nga shumë episodet që tregojnë se Gentian Sula nuk është një biznesmen i zakonshëm. Ai është kthyer në portën hyrëse për pushtetin që kërkon të pastrojë paratë e pista dhe të strehojë vetveten. Ai ka ndërtuar një sistem ku politika, drejtësia dhe media gjenden komodë, të ushqyer me vila, apartamente dhe favore të tjera.
Sula, ashtu si Samir Mane, është nga ata biznesmenë që nuk janë vetëm ndërtues, por edhe kujdestarë të një elite që e ka bërë Shqipërinë pronë të interesave të veta private.
Ata janë kthyer në strehues të një kaste të tërë që përfshin politikanë, gjyqtarë, prokurorë e gazetarë, të cilët shpërblehen me apartamente dhe prona në këmbim të heshtjes apo bashkëpunimit.
Nga njëra anë kemi shqiptarë që nuk mbyllin dot muajin, nga ana tjetër kemi një kastë që jo vetëm që grabit fondet publike dhe pronat shtetërore, por edhe fshihet pas emrave si Sula.
Ky i fundit është një hallkë thelbësore në zinxhirin e kapjes së shtetit. Dhe SPAK sot e ka për detyrë jo vetëm ta komunikojë akuzën, por ta shembë këtë mur që ka mbrojtur për vite me radhë hajdutët më të sofistikuar të kësaj republike.