Një skandal i fundit në vend mezi gjeti dritën në media: Dhëndri dhe krushku i Shefqet Kastratit, Ilir dhe Dario Jashari, u arrestuan nga SPAK si organizatorë të një skeme gjigante kontrabande cigaresh. Hetimet zbuluan se ata shfrytëzonin një fabrikë cigaresh në Shqipëri për të shmangur taksat dhe doganat, duke prodhuar cigare që nuk eksportoheshin, por që kontrabandoheshin brenda vendit dhe drejt BE-së. Dëmi ndaj buxhetit shqiptar kap mbi 29 milionë euro, ndërsa për vendet e BE përllogariten humbje prej 12.8 milionë eurosh.
Fabrika e tyre, e licencuar me “Regjim Përpunimi Aktiv”, përjashtohej nga detyrimet fiskale nëse produktet eksportoheshin. Por hetimi zbuloi se cigaret nuk dilnin asnjëherë nga Shqipëria. Ngarkesat shkarkoheshin në depo lokale dhe shpërndaheshin ilegalisht, me ndihmën e zyrtarëve doganorë që mbyllnin sytë dhe manipulonin sistemin digjital të doganave. U zbuluan mbi 30 raste të tilla. E gjithë kjo, në një skemë që kishte bashkëpunim të gjerë institucional. Dhe megjithatë, emri i Shefqet Kastratit, lidhja direkte familjare dhe ekonomike me këta persona, thuajse nuk u përmend në asnjë nga mediat kryesore. As ato të opozitës. Heshtja foli më fort se faktet.
Disa media, për të shmangur përmendjen e Kastratit, zgjodhën të mos shkruajnë as emrat e plotë të të arrestuarve, por vetëm inicialet. Në të njëjtën kohë, në disa portale të lidhura me opozitën, vëmendja u zhvendos qëllimisht nga rrënja e aferës drejt një emri tjetër më të lehtë për konsum publik – Ergys Agasi. Emri i tij u artikulua gjerësisht, megjithëse lidhja e tij me pushtetin është e pakrahasueshme me rolin që luan Kastrati, jo vetëm në PS por edhe në PD. Kastrati ka ndikim të thellë në të dy krahët e politikës, por emri i tij mbetet i papërmendshëm. Media preferon të zmadhojë figurat dytësore dhe të fshehë të vërtetën që ndodhet në majë.
Shefqet Kastrati kontrollon rrjetin e shpërndarjes së karburantit në Shqipëri, rrugët, doganat, portet, koncesionet më të mëdha, bankat, hotelet, aeroportet dhe në heshtje edhe media të tëra. Ai ka krijuar një sistem kapjeje ekonomike dhe informacioni. Emri i tij është tabu. Jo sepse nuk ka lidhje me skandalet, por sepse ka lidhje me gjithçka që paguan heshtjen për to.
Bashkë me të, një grup oligarkësh të tjerë kontrollojnë Shqipërinë si në një sistem që nuk pyet më për popull, por vetëm për kontrata, ndikim dhe kontroll absolut. Ata janë të përhapur në çdo sektor strategjik: nga ndërtimi te infrastruktura, nga tregtia te energjia, nga turizmi te sistemet bankare. Ndërtojnë rrugë, shembin godina publike, fitojnë tenderë pa garë, kapin tregun e medias dhe shfaqen në çdo projekt të rëndësishëm publik. Ata nuk përmenden, nuk hetohen, nuk sfidohen. Janë të mbrojtur. Sepse janë vetë sistemi.
Këta oligarkë kanë ngritur struktura të mbrojtura që i mbajnë larg çdo forme transparence. Ndërhyjnë në planifikimin urban dhe proceset ligjore. Investimet e tyre nuk kontrollohen, por promovohen. Media flet për projekte, por jo për pronarët e tyre. Politika flet për zhvillim, por jo për interesat që qëndrojnë pas. Ata diktojnë jo vetëm tregun ekonomik, por edhe agjendën publike. Emrat e tyre nuk figurojnë në kritika, por në bordet e fondeve dhe eventeve zyrtare. Nuk shfaqen në raportet hetimore, por në ceremoni përurimi dhe darka me pushtetarë.
Ky sistem ka vetëm një funksion: të krijojë pasuri private me buxhet publik, pa pyetur për popullin. Janë strukturat që kontrollojnë gjithçka: institucionet, tenderët, lejet e ndërtimit, tokat, rrugët, energjinë, reklamën, median. Janë partnerë të qeverisë dhe të opozitës. Nuk ndryshojnë sipas rezultatit zgjedhor. Janë aty gjithmonë.
Një dhunë e heshtur. Në emër të rrugëve, përçahen komunitete. Në emër të investimeve, humbin prona. Në emër të progresit, mbyllen gojë. Në emër të ekonomisë, sundon pakica. Dhe gjithmonë, në çdo raportim, mungon diçka: emri i vërtetë i atij që komandon.
Kontroll total në duart e pak vetëve. Një skenar i njohur: grabitje, izolim, heshtje. Dhe ndërsa qytetarët largohen në emigrim, mediat shkruajnë pa emra, politika hesht në kafe, oligarkët vazhdojnë të marrin gjithçka. Dhe askush nuk flet. Sepse çdo fjalë ka kosto. Por heshtja, e ka pasojën më të madhe: ajo i lë ata të fitojnë gjithmonë.