Në gazetën Dielli në SHBA botohet një analizë nga Rafael Floqi me titullin “Kujdes nga grekët edhe kur ju sjellin dhurata!”. Artikulli zbulon ndër të tjera, se ideja e Gjykatës së Hagës për marrëveshjen e detit është një tezë e vjetër e diplomacisë greke.
Pjesë nga artikulli:
“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me siguri nuk e ka lexuar librin tim, reagonte pak kohë më parë gazetari dhe diplomati Shaban Murati “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë greke apo shqiptare?”, i vetmi libër që trajton bisedimet diplomatike detare 2008-2018 midis dy vendeve, ndaj nuk do të dilte në 16 shtator 2020, pas darkës së ngushtë me kryeministrin grek, me pretendimin e madh se “Unë kam një ide shumë të thjeshtë, ne mund ta zgjidhim çështjen më mirë nëpërmjet gjykatave ndërkombëtare”. Nuk do të dilte me apoteozën tipike ballkaniko-bizantine “unë kam idenë”; në librin për çështjen e detit botuar në mars 2018 trajtohet alternativa e gjykatës ndërkombëtare, e propozuar diplomacisë shqiptare nga diplomacia greke si zgjidhje.”
Mirë librin dhe dosjen zyrtare të bisedimeve nuk i ka lexuar Rama, as e ka lexuar dhe as dëgjuar se në 16 shtator përpara kryeministrit shqiptar në tryezën e rrumbullakët të organizuar në Athinë nga revista britanike “The Economist” ish-ministrja e jashtme greke Dora Bakojanis duke folur për marrëveshjen e detit deklaroi “t’i drejtohemi gjykatës ndërkombëtare për këtë çështje”. Bakojanis, që ishte firmëtarja e marrëveshjes së zezë të detit të vitit 2009 midis dy vendeve, nuk tha që është “idea ime”, sepse ajo e din që, është ide e vjetër diplomatike greke.
Autogoli i Ramës
Shihni djallëzinë greke: I thotë Shqipërisë për ta çuar në gjykatë ndërkombëtare, por vetë Bakojanis si ministre e jashtme dhe gjithë qeveritë greke që nga 2009 e deri tani nuk e kanë dërguar në gjykatë ndërkombëtare marrëveshjen e detit të anuluar me të drejtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Nuk e dërgon Athina, sepse nuk ka çështje për t’u dërguar. Greqia nuk ka dërguar në gjykatë ndërkombëtare çështjen e caktimit të zonave ekonomike detare me Italinë, ku bisedimet zgjatën 43 vjet. Nuk ka dërguar çështjen e kufijve detarë dhe të zonave ekonomike ekskluzive me Turqinë, që ka nisur bisedimet që në 1973, pra 47 vjet më parë.
Dhe me dinakërinë diplomatike greke ia hodhën kurthin e gjykatës ndërkombëtare qeverisë shqiptare. Athina e nxiti diplomacinë dhe qeverinë shqiptare dhe Rama bëri autogolin e madh të gjykatës ndërkombëtare, autogol që tani e shpall me krenari se ta gjuajë personalisht vetë kryeministri i Shqipërisë”.
/GazetaReforma.com/