Sot u krijua një kaos në media, pas publikimit të lajmit nga RTSH Sport, në bazë të të cilit kampionati shqiptar rrezikon të mos vijojë më tej.
Arsyeja ishte se skuadra e Bylisit nuk duhej të luante futboll, meqë lojtarët duhet të qëndronin në karantinë pas shpalljes pozitiv të shokut të tyre të skuadrës, Qardaku.
Skuadra e Tiranës dhe ajo e Apolonisë janë të detyruara të bëjnë tamponët, edhe pse protokolli nuk e parashikon këtë, kështu që Federata në orët e vona të mbrëmjes ka bërë një reagim zyrtar.
FSHF dënon ashpër Inspektoriatin e Higjienës në Ballsh, që përpara duelit Bylis-Tirana, kërkoi që kjo ndeshje mos luhej dhe ekipi të karantinohej pavarësisht se testet dolën negative.
Institucioni i futbollit tregon se në marrëveshjen e arritur me Ministrinë e Shëndetësisë për protokollin sanitar, nëse një lojtar prekej nga koronavirusi, kampionati do të vijonte normalisht pas testeve.
Njoftimi i FSHF-se:
Federata Shqiptare e Futbollit kërkon t’i bëjë me dije klubeve të futbollit, medias dhe sidomos opinionit publik dhe futbolldashës shqiptar, gjithçka ka lidhje me situatën e krijuar pas ndeshjeve të javës së 27-të të Kategorisë Superiore.
Rifillimi i aktivitetit futbollistik në Shqipëri, në shenjë të kthimit të normalitetit dhe si një mundësi për të nxitur futbollin pas goditjeve që mori gjatë periudhës së pandemisë, ka qenë një proces i nxitur dhe iniciuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Pas kërkesave të shumta të saj, është kërkuar komunikim me instancat shtetërore të cilat ishin të plotfuqishme për të vendosur në lidhje me rifillimin. Është përgatitur një protokoll për zhvillimin e ndeshjeve, mbështetur sipas modelit më të përparuar në botë të ekspertëve të Federatës Gjermane të Futbollit. Ky protokoll është miratuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve.
Më datë 3 qershor kanë nisur sipas urdhrit të Ministres Manastirliu, aktivitetet futbollistike, të cilat kanë qenë një shembull perfekt i zbatimit të protokollit. Një ditë përpara ndeshjes Bylis-Tirana, një lojtar i Bylisit ka patur shqetësimeve dhe i është nënshtruar analizave, pas të cilave ka rezultuar pozitiv dhe është karantinuar sipas rregullave të vendosura me protokoll. Po sipas protokollit të miratuar nga institucionet zyrtare shqiptare dhe insistimit të FSHF-së dhe Klubit të Futbollit Bylis, testeve me tamponë i është nënshtruar i gjithë klubi i Bylisit. Të gjithë kanë dalë negativë. Kaq mjafton që ndeshja të zhvillohet normalisht.
Por në mënyrë absurde ka patur një reagim nga Drejtoria e Higjienës në Ballsh që ndeshja të mos zhvillohet. Madje është këmbëngulur fort në këtë pikë pavarësisht se protokolli thotë qartë të kundërtën. “Zullumi” trashet edhe më tej, sa për të bërë opinionin të kuptojë se asgjë nuk është “harresë” apo “injorancë zyrtare”.
Një shkresë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i kërkon Klubit të Futbollit Tirana, që më datë 7 qershor të kryejë testet për Covid -19, meqë kanë luajtur kundër Bylisit (i cili ka rezultuar negativ pas analizave). Në shkresë thuhet që Bylis duhet të hynte në karantinë përpara kësaj ndeshjeje, pavarësisht se protokolli i zhvillimit të aktiviteteve nuk e parashikon një gjë të tillë.
Këto shkelje të njëpasnjëshme, të institucioneve shtetërore, pavarësisht përpjekjeve dhe durimit të klubeve dhe ndërhyrjeve të FSHF, ne i konsiderojmë si dashakeqëse dhe i denoncojmë në publik. Ne kërkojmë t’ju rikthejmë njerëzve futbollin, duke zbatuar çdo protokoll, duke ruajtur çdo jetë. Por protestojmë ndaj burokratëve të “paditur”, ose dashakeqësve që kërkojnë t’i lënë shqiptarët pa një kënaqësi të pazëvendësueshme.
Pa futboll.