Ditën e sotme zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo ka denoncuar performancën e Ambasadorit të Ramës në Komisionin e Parlamentit Britanik, duke e quajtur kambanë alarmi për shndërrimin e Shqipërisë në çiflig të çrregullimeve të Edi Ramës. PD i bën thirrje ambasadorëve të mbrojnë Shqipërinë dhe dinjitetin e saj, jo pushtetin e Ramës, narkoshtetin dhe karrigen e tij.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ZËDHËNESJA FLORIANA GARO
Ambasadori i Edi Ramës në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu si shefi i tij në Tiranë, mbrojti Ramën dhe i turpëroi shqiptarët dhe Shqipërinë në seancën dëgjimore para një Komisionit të Parlamentit Britanik. Diplomati foli sikur të ishte ambasador i Enver Hoxhës. Ai nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej shumicës së pyetjeve të parlamentarëve. Të vetmet herë që përgjigjej, ai ashtu si shefi i tij në Tiranë, shfajësonte qeverinë e vet dhe fajësonte vendin pritës, Britaninë e Madhe. Ambasadori ia hidhte fajin sa qeverive të huaja, dhe sa shqiptarëve nga trojet etnike në Ballkan duke përdorur një tezë të Sajmir Tahirit para disa vitesh se ata që emigrojnë në Gjermani janë shqiptarë të Greqisë.
Shkoi deri aty sa fajësoi edhe mediat sociale, të cilat sipas tij “u prishin mendjen shqiptarëve”, sikur të ishte thirrur në dëgjesë si psikolog për dëmin e komunikimit virtual, dhe jo përfaqësues zyrtar i shtetit.
I dorëzuar para pyetjeve të ligjvënësve britanikë, ai e pranoi se qeveria shqiptare do ta mbështeste një plan depërtimi dhe riatdhesimi të emigrantëve shqiptarë, duke i hedhur ata dy herë në det. Një herë duke i përzënë nga vendi amë, dhe të dytën nga vendi pritës. Në përpjekje për të mbuluar të vërtetën, për të pranuar se Shqipëria ka një problem që lidhet me qeverisjen, të cilën ai përfaqëson, zotëria në fjalë e bëri veten të duket si një nxënës filloreje, që i ngritur në dërrasë të zezë nuk e di mësimin.
Partia Demokratike ndjen keqardhje dhe alarm për degradimin e diplomacisë shqiptare nën qeverisjen e Edi Ramës.
Ne u bëjmë thirrje ambasadorëve të mbrojnë Shqipërinë dhe dinjitetin e saj, dhe jo pushtetin e Ramës, narkoshtetin dhe karrigen e vet. Performanca e Ambasadorit është një kambanë alarmi për tredhjen e trupit diplomatik dhe shndërrimin e simboleve dhe përfaqësive të Republikës së Shqipërisë në një çiflig të orekseve dhe çrregullimeve të Edi Ramës. Shqipëria është në rrezikun e ri, prej të cilit kishte dale njëherë, të kthimit në një Republikë bananesh, në një shtet dhe vend qesharak. Kjo për faj të qeverisjes së Edi Ramës dhe të të marrëve peng që e përfaqësojnë Shqipërinë nëpër botë.