Dy ditë më parë Partia Demokratike ka përshëndetur vendimin e Presidentit Ilir Meta, i cili ktheu në parlament “koncesionin antikushtetues dhe antiligjor për kthimin e Porto Romanos në një port privat për oligarkët e Edi Ramës”.
Këtë vendim PD e ka cilësuar si të drejtë dhe që mbron interesin publik duke mos lejuar grabitjen dhe faljen e pasurive të vendit pa garë dhe në kundërshtim me ligjin tek një grusht oligarkësh të hajdutit ordiner Edi Rama.
“Oligarkë” është fjala më e përdorur në ligjërimin publik të Partisë Demokratike, që kur ishte në Parlament.
Partia Demokratike ka hedhur dyshime për raportet që mazhoranca ka krijuar me njerëz të biznesit, duke i etiketuar si oligarkë dhe ka provokuar debate të ashpëra asokohe në Kuvend.
Kryedemokrati Lulzim Basha kujdeset që në çdo dalje publike apo statuse në rrjetet sociale të flasë për oligarkë që po vjedhin shqiptarët.
Po ashtu,e njëjta retorik vihet re edhe tek figura të tjera të djathta, si Gazment Bardhi, Bardh Spahia, apo edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Disa ditë më parë Sekretari i Partisë Demokratike Gazment Bardhi në një intervistë u shpreh se oligarkët janë në zyrën e Ramës dhe bashkë me të zhvasin paratë nga buxheti i shtetit.
Mirëpo, i pyetur për emra konkretë ai foli vetëm për tendera, koncesione dhe shuma të mëdha parash, duke bërë analiza të gjata dhe duke mos përmendur asnjë emër.
Sipas numrit 2 të PD, partia e tij ka zero varësi nga këta oligarkë.
“Varësia krijohet në 2 drejtime. Së pari, që të na mbyllin gojën për t denoncuar aferat ku janë përfshirë. Nuk ka shqiptar të besojë se PD ka mbyllur gojën për ndonjë aferë korruptive. Është opozita, kryesisht PD, ajo që i ka qendruar ballazi çdo aferë korruptive. Drejtimi i dytë është pranimi i financimeve në partinë politike nga këta oligarkë. Si Sekretar i Përgjithshëm po të konfirmoj se, të paktën që nga koha për të cilën unë jam në ketë detyrë, PD pranon zero financime nga këta oligarkë.”
Vetë Basha në një takim me të rinjtë një vit më parë deklaroi se pesë oligarkë kontrollojnë sot Shqipërinë, por as ai nuk përmendi emra.
“Pesë oligarkë kontrollojën sot Shqipërinë, ky që bën stadiumin me kullë, ky merr edhe tender për çdo gjë, për realizimin e zyrave, pse s’ka biznese të mesme, të vogla? Kjo do marrë fund, gjithçka që kanë marrë ne do ta zhbëjmë,” tha Basha.
Por, kush janë këta oligarkë? A janë këta biznesmenë që kanë filluar të punojnë që prej fillimit, apo rreziku më i madh vjen prej biznesmenëve të rinj? Pse opozita nuk përmend emra konkretë dhe t’i denoncojë ata?
Një tjetër pikëpyetje që është ngitur këtë periudhë pandemie është fushata e premtimeve dhe marrjes përsipër për të zgjidhur gjithçka, për bizneset nga PD.
“Përse i ke lënë bizneset e mëdha në mëshirë të fatit? Pse nuk i financoni? Pse i trajtoni në këtë mënyrë të diferencuar dhe po i lini pa asnjë mbështetje, duke i rrënuar?”, janë pyetjet e PD për qeverinë.
Si është e mundur që oligarkët e shpallur armiq, tani janë bërë njerëz që duhen mbështetur dhe qeveria e shpallur, si bashkëpunëtorë në krim, si ortake e tutore e oligarkëve po shpallet armike e tyre?
Por, çfarë është oligarkia?
Oligarkia është një formë qeverisje ku pushteti i është rezervuar një grupi të vogël të njerëzve të cilët formojnë një klasë dominuese pushteti.
Mund të dallojmë oligarkitë institucionale dhe oligarkitë e faktit.
Oligarkia institucionale është një regjim politik ku kushtetutat dhe ligjet i rezervojnë pushtetin vetëm një pakice të vogël të qytetarëve.
Oligarkia e faktit është kompani në të cilën qeveria është kushtetuese dhe demokratike e hapur për të gjithë qytetarët, ku në fakt pushteti është i marrë nga një pjesë e vogël e këtyre.