Policia e Lezhës ka vënë në pranga pak pas mesnate katër persona të cilët kishin lidhje familjare me njër-tjetrin pasi kanë dhunuar dhe kanë kërcënuar një 37 vjeçar.
Burime zyrtare nga Policia e Lezhës bënë me dije se janë ndaluar shtetasit Mirash Paplekaj, 46 vjeç, banues në Torovicë; Gëzim Paplekaj, 50 vjeç, banues në lagjen ‘Besёlidhja’ Lezhё; Donald Paplekaj, 22 vjeç, banues në lagjen ‘Besëlidhja’ Lezhё dhe Jetmir Palekaj, 29 vjeç, banues në fshatin Bleran, Shkodёr.
Këta persona ditën e djeshme në mesditë në Torovicë nё bashkëpunim me njёri-tjetrin kanë dhunuar, kanosur pёr jetën pёr tё bёrё deklarim tё rrem, si dhe i kanë dëmtuar automjetin me targa AA2185JM, shtetasit Ylli Kacoli, 37 vjeç, banues nё Kamёz, Tiranё.
Sipas burimeve arsyeja ka qenë shpërndarja në rrjete sociale e një videoje ku jepet dëshmia e një banori se është paguar me 200 mijë lekë të vjetra për 4 vota për të votuar Partinë Socialiste. Qytetari që denoncoi ngjarjen është arrestuar ndërsa tashmë është dhunuar Kacoli, që dyshohet se e ka shpërndarë videon në media. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lezhё.
Kujtojmë se edhe Partia Demokratike ka bërë një denoncim ditën e djeshme për blerje të votës, ku akuzonin në mënyrë direkte kryeministrin e vendit Edi Rama dhe Ministren e Infrastukturës Belinda Balluku.