Gazetari Blendi Fevziu ka komentuar procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si “skandaloz” dhe duke shprehur shqetësimin se mund të ketë një vendim dënues ndaj tyre.
I ftuar në emisionin “Të paekspozuarit”, Fevziu tha se mënyra si është zhvilluar procesi deri tani ngre pikëpyetje serioze. Sipas tij, gjykata u krijua fillimisht për hetimin e trafikut të organeve, por prokuroria nuk arriti të provojë akuza të tilla. Ai shtoi se më pas çështja u fokusua në krime individuale, ndërsa theksoi se asnjëri prej të akuzuarve nuk ka akuza personale.
“Skandaloze. Gjykata u bë për trafikun e organeve, prokuroria nuk gjeti gjë për këtë. U bë për krime individuale, asnjëri prej tyre nuk ka akuza personale. Po dënohen sepse është vërtetuar që UÇK ka patur tortura, izolime, dhe për këtë si drejtues, po kërkohet 45 vjet burg për secilin. Komandantët që kanë shkuar për raste konkrete në Hagë, kanë dalë të pafajshëm,” u shpreh Fevziu.
Ai u ndal edhe te një deklaratë e prokurorit gjatë procesit, duke thënë se është befasuar nga pretendimi se ish-drejtuesit e UÇK-së kishin futur raketahedhës për të goditur stacionet policore serbe.
“Jam shokuar me fjalën e prokurorit, që deklaroi që Thaçi dhe Veseli, kanë futur raketahedhës, që kanë goditur stacionet policore serbe. Ato janë goditur me raketat e NATO-s. Është çmenduri. Kërkon llogari pse Thaçi ka ndërmarrë akt ndaj policisë serbe. Ata kanë dalë në luftë me Serbinë,” deklaroi ai.
Në fund, Fevziu theksoi se ekziston mundësia që ish-krerët e UÇK-së të dënohen, duke paralajmëruar për pasojat që një vendim i tillë do të kishte në perceptimin historik.
“Kam frikë se ata po tentojnë t’i dënojnë dhe dënimi i tyre do të jetë njollë e zezë për historinë e UÇK dhe Kosovës,” përfundoi Fevziu.








