Beteja për kujdestarinë e tre fëmijëve të mitur, të gjetur në kushte të rënda jetese në Durrës, është zhvendosur tashmë në dyert e gjykatës. Denis Hajmerraj, babai i fëmijëve që rezultuan të prekur nga zgjebja dhe që kishin munguar prej javësh në shkollë, ka depozituar një kërkesë padi në Gjykatën e Durrësit për heqjen e kujdestarisë nga nëna e tyre dhe kalimin e saj tek ai.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se kërkesë padia është dorëzuar zyrtarisht në sekretarinë e gjykatës, ku Hajmerraj ngre një sërë pretendimesh të shoqëruara me prova konkrete. Sipas tij, ish bashkëshortja, Blerina Basha, nuk ndodhet në gjendje fizike, sociale, emocionale dhe ekonomike për t’u kujdesur dhe për të prindëruar tre fëmijët e mitur.
Në dosjen e paraqitur në gjykatë, babai ka dorëzuar edhe dokumentacion financiar nga institucione arsimore në Brescia të Italisë, ku sipas tij fëmijët kanë ndjekur rregullisht shkollën gjatë periudhës që kanë jetuar me të. Këto fatura, sipas Hajmerrajt, vërtetojnë se ai ka siguruar kushte të qëndrueshme jetese dhe arsimimi për fëmijët.
Një pjesë tjetër e provave lidhet me aktivitetin e nënës në rrjetet sociale. Në gjykatë janë dorëzuar video të shkarkuara nga TikTok dhe Instagram, të cilat sipas padisë tregojnë se Blerina Basha kalonte kohë duke qëndruar live me burra të tjerë në rrjete sociale, ndërkohë që fëmijët e saj ndodheshin të lënë pas dore dhe pa kujdes prindëror.
Në padi përmendet edhe fakti i udhëtimeve të shpeshta jashtë Shqipërisë të Blerina Bashës, pa praninë e tre fëmijëve. Sipas pretendimeve të babait, ajo i ka lënë fëmijët vetëm në banesë dhe është larguar jashtë shtetit. Për këtë, Hajmerraj ka dorëzuar si prova të dhëna nga sistemi TIMS, ku evidentohet se udhëtimet e ish bashkëshortes janë kryer pa fëmijët.
Lidhur me këtë çështje, në ditët në vijim pritet të hidhet shorti elektronik për përzgjedhjen e gjyqtarit që do të shqyrtojë rastin e kujdestarisë së tre fëmijëve të mitur.
Rasti tronditi opinionin publik dhe mori vëmendje të gjerë mediatike pasi tre fëmijët u gjetën fillimisht nga komshinjtë e pallatit në kushte të rënda higjieno sanitare. Më pas ishte gjyshja e tyre ajo që denoncoi publikisht gjendjen e tmerrshme në të cilën fëmijët kishin jetuar për disa ditë të vetëm. Ata rezultuan të prekur nga zgjebja dhe kishin rreth një muaj e gjysmë pa ndjekur shkollën.
Pas bërjes publike të skandalit, nëna e fëmijëve, Blerina Basha, u procedua penalisht nga policia e Durrësit për veprën penale të keqtrajtimit të të miturve. Ndërkohë, rasti ishte referuar më herët edhe nga psikologia e shkollës “Bajram Curri” në Durrës për marrjen e masave sociale, por sipas të dhënave, bashkia nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim deri në momentin kur ngjarja u bë publike.








