Federata Evropiane e Gazetarëve ka reaguar me tone të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke dënuar përjashtimin e gazetares së SYRI TV, Ambrozia Meta, nga konferenca për shtyp e 13 marsit 2026 në Tiranë. Nga salla u largua edhe gazetari Isa Myzyraj i Report Tv, njëkohësisht kryetar i Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë.
Në reagimin e saj, EFJ e konsideron këtë veprim si pjesë të një modeli të përsëritur presioni dhe sulmesh ndaj mediave kritike në Shqipëri. Organizata ndërkombëtare i bashkohet Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe SafeJournalists Network, duke dënuar sjelljen e kryeministrit si të papranueshme për një vend demokratik.
Sipas deklaratës, gjatë konferencës për shtyp, Rama ndërpreu aktivitetin pasi u përball me pyetje me interes publik dhe i komunikoi Ambrozia Metës se nuk do të lejohej më në konferencat e tij. Ndërkohë, Isa Myzyraj u urdhërua të largohej dhe, sipas raportimeve, u nxor fizikisht nga salla.
EFJ shpreh shqetësim edhe për gjuhën e përdorur nga kryeministri ndaj mediave kritike, të cilat ai i ka etiketuar me termin përçmues “tenxhere” dhe i ka akuzuar për aktivitete kriminale si pastrim parash dhe evazion fiskal. Organizata kërkon që Rama të ndalojë menjëherë diskreditimin e mediave dhe të respektojë detyrimin për transparencë dhe llogaridhënie.
DEKLARATA E PLOTË
Më 13 mars 2026, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbajti një konferencë për shtyp në Tiranë gjatë së cilës ai shfaqi edhe një herë mungesë respekti ndaj përfaqësuesve të medias. Gazetarja Ambrozia Meta nga Syri TV dhe Isa Myzyraj nga Report Tv, i cili shërben gjithashtu si kryetar i Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë (AGSH), përfundimisht u përjashtuan nga konferenca.
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) i bashkohet organizatave të saj partnere në Shqipëri, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJA) dhe Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë (AGSH), si dhe SafeJournalists Network (SJN), në dënimin e sjelljes së kryeministrit si pjesë e një modeli shqetësues të ngacmimeve ndaj gazetarëve shqiptarë.
Ne i bëjmë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij të ndalojnë së shënjestruari median dhe të sigurojnë që të gjithë gazetarët të kenë qasje transparente dhe të drejtë në aktivitetet zyrtare për shtyp. Kryeministri dhe qeveria e tij janë të detyruar të jenë transparentë dhe t’u përgjigjen pyetjeve me interes publik.
Sipas raportimeve, më 13 mars, kur u përball me pyetje legjitime për çështje me interes të qartë publik, kryeministri Rama ndërpreu konferencën për shtyp dhe i bëri të ditur Ambrozia Metës se ajo nuk do të lejohej më të merrte pjesë në asnjë nga konferencat e tij të ardhshme për shtyp. Në mënyrë të ngjashme, Isa Myzyraj u urdhërua të largohej dhe, sipas raportimeve, u nxor fizikisht nga salla.
Gjithashtu thuhet se kryeministri iu referua disa mediave kritike si “tenxhere” (një term përçmues dhe nënvlerësues në Shqipëri) dhe i akuzoi në mënyrë të rreme për aktivitete kriminale si pastrim parash dhe evazion fiskal. Kryeministri Rama duhet të ndalojë menjëherë diskreditimin e mediave për kryerjen e detyrës së tyre dhe të përmbushë detyrimin e tij për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie.
“EFJ shpreh solidaritetin e saj të plotë me gazetarët Ambrozia Meta dhe Isa Myzyraj, si dhe me të gjithë gazetarët e tjerë që shënjestrohen vazhdimisht për raportimin e tyre të pavarur. Që nga fillimi i vitit, EFJ ka dokumentuar disa raste të abuzimit verbal nga kryeministri Edi Rama, kryesisht në formën e diskreditimit. Një sjellje e tillë nga zyrtari më i lartë i zgjedhur në vend është e papajtueshme me parimet demokratike,” tha Maja Sever, Presidente e EFJ.








