Prokuroria e Tiranës, ka nisur verifikimet në lidhje me akuzat e PD, ndaj nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Arbian Maznikut, ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe ish-ministrit të Bujqësisë, Niko Peleshi, shkruan “Balkanweb”
Sipas PD, Gjonaj dhe Mazniku kanë shpenzuar shuma të mëdha, për akomodimin e tyre në hotelet jashtë vendit.
Gjonaj akuzohet se ka shpërdoruar para nga buxheti i shtetit për akomodimin e saj, ndërsa Maznikut nga ana tjetër ia ka paguar faturën një biznesmen i njohur, i cili ushtron aktivitetin në fushën e ndërtimit dhe ka marrë disa tendera nga Bashkia e Tiranës.
Nga ana tjetër, Peleshi akuzohet se ka lejuar futjen në vend të një insekticidi, shumë të dëmshëm për shëndetin e njeriut.
Pas publikimit në mediat të faturës 700 euro të një hoteli ku kishte kaluar natën, ministrja e Drejtësisë, u justifikua, duke thënë se shuma ishte paguar për të gjithë stafin dhe përfshin dy netë fjetje.
Në reagimin e saj, Gjonaj shtoi, se është e hapur për çdo ankesë të publikut.