Jo vetëm bizneset, por edhe konsumatorët familjarë në Shqipëri e kanë tarifën e çmimit të energjisë elektrike për kilovat/orë më të shtrenjtin nga të gjitha vendet e rajonit edhe pa taksa.
Këto përfundime i ka dhënë instituti prestigjioz europian i statistikave, “Eurostat”, në një raport të fundit mbi çmimin e energjisë elektrike në kontinent, duke publikuar statistikat për çmimin e energjisë për familjarët, përjashtuar taksat.
Pra mos u çudisni kur dëgjoni se në Greqi, Mal të Zi apo Kosovë, qytetarët paguajnë më pak para për faturën e energjisë elektrike, edhe pse konsumojnë më shumë dhe e kanë me cilësi optimale voltazhin (që nuk u prish pajisjet elektro-shtëpiake).
Sipas Eurostat, një familje shqiptare e paguan energjinë elektrike me 0.0778 euro për kilovat orë.
Çmimet në raport me rajonin
Konsumatori shqiptarë tashmë është ndërgjegjësuar se ai villet rregullisht nga shteti në shërbimin e furnizimit me energji elektrike, si në sasinë që konsumon ashtu edhe në cilësi (voltazhi/fuqia).
Por tashmë këto të dhëna, madje edhe më të shtrenjtat në rajon për familjarët, i jep edhe Eurostati.
Kështu, në tarifa më e shtrenjtë sesa Bosnjë Hercegovina (0.0728 euro për kilovat orë), Maqedonia e Veriut (0.0669 euro) dhe Serbia (0.0551 ero), është pikërisht Shqipëria.
Ndërsa më e lira në rajon është Kosova (0.0528 euro për kilovat orë). Të dhënat për malin e Zi mungojnë. Ballkani në tërësi e ka energjinë për familjarët më lirë se shtetet e Bashkimit Europian.
Mesatarja e Bashkimit Europian është 0.1312 euro për kilovat orë. Energjinë e paguajnë më shtrenjtë Belgjika, Qipro, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Holanda, Austria.
Ndërsa më të lirat në Europë janë, Gjerogjia dhe Ukraina (përkatësisht 0.0524 dhe 0.0406 euro).
Shqipëria më e shtrenjta
Një raport i mëparshëm “Komunitetit të Energjisë” nënvizoi se, Shqipëria paguan më shtrenjtë se të gjitha vendet e marra në analizë pjesën e sigurimit të sasisë së energjisë që duhet për konsum. Ndërsa në kosto rrjeti disi më pak. Raporti nënvizoi se, bizneset në Shqipëri e paguajnë energjinë më shtrenjtë se rajoni.
“Në vendet e marra në analizë pjesë e Komunitetit të Energjisë ka ndryshime s ai takon pjesëve përbërëse në një faturë energjie. Pjesa e treguesit të energjisë në faturën përfundimtare ishte më e lartë në Shqipëri me 63% dhe më e ulëta në Serbi me 34% ndërsa pjesa e kostove të rrjetit në çmimin e përgjithshëm të energjisë elektrike për familjarët ishte mes 20% për Shqipërinë dhe 49% për Kosovën”,- thuhet në raport.
I njëjti analizon edhe kostot e energjisë për konsumatorët e biznesit duke nënvizuar se në Shqipëri, ata kanë paguar sërish më shtrenjtë.
“Nga viti 2013 deri në vitin 2017 në shumicën e vendeve që janë në Komunitetin e Energjisë u vu re ulje e çmimeve për konsumatorët industrialë. Gjithsesi ky trend u përmbys me një rritje të çmimeve në vitin 2018 dhe 2019 sipas të dhënave të regjistruara. Rritja më e lartë e vitit të kaluar u regjistrua në Malin e Zi me 16.6% ku çmimet kaluan nga 5.36 euro cent/kW/h në 2018 në 6,25 euro cent/ kW/h në 2019”.
Çmimet më të ulëta të energjisë elektrike për konsumatorët e energjisë elektrike industriale ishin në Gjeorgji me 5.89 euro cent/kW/h, ndërsa çmimi më i lartë industrial u raportua në Shqipëri me 12.48 euro cent/kW/h.
Për Shqipërinë raporti i referohet të dhënave të Eurostat dhe nënvizon se, ky është një vlerësim dhe jo një shifër e saktë.
/Burimi: EUROSTAT/ GazetaReforma.com/