Rainer Wieland, zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, tha të mërkurën në Prishtinë se sipas tij nuk ishte ide e mirë ndryshimi i kufijve ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku u diskutua për sfidat që priten në 2019-të, ai tha se ndryshimi i kufijve mund të sjellë më shumë probleme sesa arritje pozitive.
“Pothuajse fjalë për fjalë i thash kryeministrit tuaj se në momentin e parë që kam dëgjuar që njerëzit po propozonin ndryshimin e kufijve duke u bazuar në disa marrëveshje, unë isha shumë i dëshpëruar, por u ndjeva shumë i lumtur nga qëndrimi i kancelares Angela Merkel dhe të koalicionit tonë qeverisës që e sqaruan se ne nuk mendojmë se është një hap i mirë për të ndryshuar kufijtë.”- tha Rainer Wieland.
Ai bëri thirrje që të mos premtohen afate për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës pasi disa qeveri nëpër Europë nuk janë akoma të bindur që të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës.
Pavarësisht kushteve të përmbushura dhe premtimet e politikanëve që kjo çështje do të ndodhë gjatë vitit që lamë pas, Kosova hyri në vitin 2019 pa liberalizim të vizave për qytetarët e saj.
Viti 2019-të pritet të jetë i vështirë për Kosovën e cila pret të hyjë në një periudhë bisedimesh me Serbinë për të arritur një marrëveshje normalizimi.
Kjo marrëveshje është kusht për integrimet në Bashkimin Europian ku në pranverë pritet të jetë në një periudhë zgjedhjesh në të cilën mund të shkaktohen shumë probleme, shkruan Voa.