Prej disa ditësh, vatra e zjarrit në malin e Dukatit mbetet ende aktive, ndërsa përpjekjet për shuarjen e flakëve vijojnë pa ndërprerje.
Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë edhe me mjete rrethanore për të frenuar përhapjen e zjarrit.
Ndërkohë, një tjetër vatër e re u aktivizua ditën e djeshme në fshatrat e Delvinës. Si pasojë e erës së fortë në orët e vona të mbrëmjes, flakët u përhapën edhe në zonën midis fshatrave Borsh dhe Piqeras, në njësinë administrative Lukovë.
Situata mbetet veçanërisht e rënduar në disa fshatra të Delvinës, ku flakët po përparojnë në Kalas, Tatzat, Senicë, Vergo, Kopaçës dhe Palavli. Rreth 100 forca janë të angazhuara në këtë zonë.
Edhe në bashkinë e Selenicës, vatra të reja janë përhapur në fshatrat Velç, Ramicë, Verbas dhe Matogjin, duke shtuar vështirësitë për ndërhyrje, për shkak të terrenit të thyer malor.
Në disa raste është kërkuar ndërhyrje nga ajri për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Në fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz të Delvinës, situata u përkeqësua ndjeshëm gjatë ditës së djeshme, duke detyruar Ministrinë e Mbrojtjes të urdhërojë evakuimin e banorëve.
Sipas dëshmive në terren, rreth 40 banesa janë dëmtuar nga flakët, 8 prej të cilave ishin të banuara. Dëme të konsiderueshme janë shkaktuar gjithashtu në pemëtari dhe në blegtori. Në të njëjtët fshatra është raportuar edhe ndërprerje e energjisë elektrike.
Ngjarja ka sjellë edhe pasoja shëndetësore. Shefi i Komisariatit të Policisë së Delvinës, Agim Troci, u asfiksua gjatë operacionit për shuarjen e zjarreve dhe u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Përveç tij, edhe pesë persona të tjerë janë trajtuar për djegie të shkallëve të ndryshme dhe probleme me frymëmarrjen të shkaktuara nga tymi i dendur.
Autoritetet janë në alarm dhe po monitorojnë situatën me shqetësim, ndërsa përpjekjet për kontrollin e zjarreve pritet të intensifikohen në ditët në vijim.