Fadromat që goditën befas ndërtesat në Theth në kulmin e sezonit turistik nuk ishin thjesht makineri të IKMT-së. Ato ishin simboli i një shteti që vepron jo me parim, por me selektivitet, jo me drejtësi, por me hakmarrje politike, jo me vizion, por me improvizim të rrëmujshëm. Dhe më keq akoma: me një hipokrizi të pamaskuar, pasi të njëjtët banorë që para zgjedhjeve u gënjyen me premtime për falje gjobash, sot përballen me shembje brutale pa plan, pa paralajmërim dhe pa zgjidhje afatgjatë për zhvillimin e zonës.
Në vend të një reflektimi institucional serioz, kryeministri Edi Rama gjeti rastin, si zakonisht, të hedhë fajin te të tjerët. “Zinxhiri nuk ka funksionuar” deklaroi ai, duke treguar me gisht drejt institucioneve si Prokuroria, konkretisht prokurorja Elsa Gjeli. Sipas tij, administrata nuk është ende në nivelin e vendeve të BE-së. Por, zoti Kryeministër, në këtë “zinxhir”, hallka më e rëndësishme dhe komanduesi i tij je ti vetë. Kur ai këputet, përgjegjësia e parë dhe më e rëndësishme bie mbi drejtuesin e shtetit. Në çdo vend normal, kjo do të shoqërohej me dorëheqje. Këtu, dorëheqja mbetet një koncept i panjohur, sepse demokracia është vetëm në fasadë, ndërsa thelbi është i kalbur nga një kulturë autoritarizmi të veshur me retorikë teknologjike.
Kur Rama flet për zinxhirë të këputur, i kujtojmë se zinxhiri i kontrollit fillon nga ai vetë. Ai ishte në Theth në prill. I pa kioskat te Kisha? Po mirë, Thethi është larg, por po ndërtime pa leje në mes të Bllokut në Tiranë? Po pallatin në Vlorë që u sekuestrua, pse nuk u prish me të njëjtën vrull si në Theth? Apo sepse atje nuk preken interesat e “të fortëve”? Qasja selektive e këtij shteti e ka katandisur ligjin në një mjet presioni mbi të dobëtit, dhe në mburojë për të fuqishmit.
Të gjithë ata që janë shkarkuar në Policinë e Shkodrës pas këtyre zhvillimeve, janë të njëjtët që duhet të ishin monitoruar dhe kontrolluar nga IKMT, ASIG, Bashkia, IVN, e në fund nga vetë qeveria që paguan satelitë me para publike. Satelitët e trumbetuar me krenari, që do të ndalonin ndërtimet pa leje, po rezultojnë të jenë thjesht propagandë. Ose nuk funksionojnë, ose askush nuk i përfill të dhënat që sjellin. Atëherë, çfarë ndodh me pamjet e territorit që gjoja monitorohen 24 orë në ditë? Pse nuk ndërhyet në kohë? Apo bëhet qëllimisht vonë, që më pas të krijohet mundësia për spektakël televiziv dhe propagandë?
Administrata që vetë Rama ka ngritur dhe mbështetur ndër vite, është përgjegjëse për të gjitha këto ndërtime pa leje. Janë po ata drejtorë, inspektorë, punonjës të bashkive dhe institucioneve që kanë dhënë leje në mënyrë të paligjshme, në këmbim të favoreve dhe ryshfeteve. Shkarkimi i tyre sot është thjesht një farsë. Këta njerëz duhet të përballen penalisht, dhe jo vetëm të flaken si mish për top për të shpëtuar imazhin e një shteti që nuk funksionon.
Qeveria ka dështuar t’i japë zgjidhje banorëve të zonave si Thethi, që prej vitesh kërkojnë plane zhvillimi dhe legalizim të tokave që punojnë prej dekadash. Por përgjigja e vetme që marrin është forcë, fadroma, polici. Nuk ka plan urbanistik, nuk ka strategji për zhvillim lokal, nuk ka dialog, vetëm urdhra. Dhe për ironi, ndërsa ata që shembin paguhen me taksat e qytetarëve, po me ato taksa janë paguar edhe ata që dhanë lejet e paligjshme më parë.
Kjo histori është tregues i qartë i një kulture të kalbur politike, ku servilizmi ndaj liderit është i vetmi “kualifikim” që të mban në administratë. Po të shprehësh mendim ndryshe, të flakin nga puna, të nxjerrin nga forumi i partisë, të izolojnë. Ndaj administrata është mediokre, ndaj sistemi nuk funksionon, ndaj zinxhiri këputet. Sepse kështu sigurohet pushteti afatgjatë: mbi një rrjet të varur, të korruptuar dhe të heshtur.
Në vend që të çojë para drejtësisë gjithë këtë “zinxhir të këputur”, kryeministri zhvendos vëmendjen. Nuk përmend të korruptuarit që kanë lejuar ndërtimet, por i shemb ato pa paralajmërim dhe i lë njerëzit në mëshirë të fatit. Asnjë analizë, asnjë përgjegjës institucional nuk del para publikut. Vetëm ai, me gishtin drejt “hallkave”, pa parë një herë veten në pasqyrë.
Pas 12 vitesh në pushtet, është e papranueshme të thuash që ende nuk funksionon administrata. Ky është dështim total i qeverisjes. Ky është thelbi i krizës së shtetit. Dhe më e rënda është që edhe në këtë krizë, nuk ka reflektim, por vetëm një propagandë e pafund për teknologji, BE, reforma dhe satelitë që nuk ndryshojnë dot realitetin e dhimbshëm të një vendi të braktisur nga drejtësia, e që jeton në një shtet ku drejtimi është një show personal i një kryeministri që nuk njeh as përgjegjësi, as ndjeshmëri dhe as kufij.