Skip to content
Të Gjitha

Zhdukja e tre të rinjve në Malësinë e Madhe, Ardi Veliu niset me urgjencë drejt Shkodrës

· 2 min lexim

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu është nisur me urgjencë drejt Shkodrës, pas zhdukjes së mistershme të tre të rinjve në Vrith të Malësisë së Madhe.

Veliu ka  mbërritur në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, ku ka kërkuar mbledhje me drejtuesit e policisë.

Tre personat e zhdukur prej disa ditësh në Malësinë e Madhe janë  Vilson Çutaj, banues në fshatin Bajzë, Klement Pepaj dhe Danjel Pepaj, banues ne fshatin Vrith kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre.

Familjarët e tyre dyshojnë se të rinjtë mund të jenë vrarë. 3 të rinjtë janë kushërinj, ndërsa policia ka nisur kontrollet për gjetjen e këtyre shtetasve. Dyshimet janë se ata mund të jenë vrarë për konflikte droge.

“Më datë 04.10.2020, rreth orës 17:30, në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe, ka bërë kallëzim shtetasi O. Ç., banues në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, se me datë 03.10.2020, rreth orës 15:00, ka humbur kontaktet me vëllanë e tij shtetasin V. Ç. 37 vjeç, banues në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, dhe me dy afërmit e tij (kushërinjtë) shtetasit K. P. 21 vjeç, dhe D. P. 25 vjeç, të dy me banim në fshatin Vrith, Malësi e Madhe”, deklaron policia. Policia po ashtu mësohet të ketë nisur kontrollet në të gjithë territorin pasi dyshojnë se janë vrarë.