Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e avokatit mbrojtës të të pandehurit Festim Bexhdili, për të shfaqur në sallën e gjyqit pamjet e sigurisë të kompleksit “Golden”, ku dyshohet se është mbajtur dhe zhdukur trupi i Jan Prengës.
Avokati Ilir Murati kërkoi shfaqjen e këtyre pamjeve, duke pretenduar se ato janë interpretuar në mënyrë të gabuar nga SPAK dhe se do të ndihmonin në sqarimin e rolit të klientit të tij.
Por gjykata nuk e pranoi kërkesën, duke mbështetur versionin e Prokurorisë së Posaçme. Sipas SPAK, pamjet tregojnë momentin kur trupi i Jan Prengës transportohet nga një automjet në një tjetër, në garazhin e kompleksit “Golden”.
Po sipas organit të akuzës, Festim Bexhdili ishte prezent në këtë skenë dhe është larguar nga vendi së bashku me persona të tjerë të përfshirë në rrëmbim.
Kompleksi “Golden” mbetet pika kyçe në këtë hetim, pasi aty dyshohet se është mbajtur dhe zhdukur trupi i viktimës.
Procesi ndaj Bexhdilit po vijon, ndërsa mbrojtja deklaron se do të kundërshtojë çdo provë që, sipas saj, është e njëanshme dhe e interpretuar në mënyrë të gabuar nga SPAK.
Seanca e radhës do të zhvillohet më 26 qershor.