Zhduken 700 mijë euro nga fondet e pensioneve, SPAK shton akuzën për grup kriminal

Hetimi për zhdukjen e 700 mijë eurove nga fondet e destinuara për pensione dhe ndihmë sociale në Shijak dhe Krujë ka kaluar në duart e SPAK. Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal ndaj ish-drejtueses së filialit të Postës Shqiptare, Elisabeta Mataj, ndërsa hetimit i është shtuar edhe vepra penale e “grupit të strukturuar kriminal”.
Sipas burimeve pranë SPAK, krahas akuzës për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, tashmë po hetohet edhe dyshimi se përvetësimi i fondeve publike është kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Prokuroria e Durrësit shpalli moskompetencën dhe ia kaloi çështjen SPAK, pas dyshimeve se Mataj dhe dy ish-vartëset e saj, Valbona Duni dhe Paola Dana, mund të kenë vepruar në një formë të veçantë bashkëpunimi.
Hetimi mund të zgjerohet edhe te ish-drejtoresha e filialit, Etleva Budini, aktualisht deputete e Partisë Socialiste në Kuvend. Sipas burimeve, prokurorët mund të verifikojnë veprimet e saj gjatë periudhës kur drejtonte institucionin, për të përcaktuar nëse kanë lidhje me çështjen.
Ndërkohë, avokatët e Elisabeta Matajt pretendojnë se nuk janë njoftuar zyrtarisht për vendimin e Prokurorisë së Durrësit për shpalljen e moskompetencës. Në një prononcim për A2, ata kanë deklaruar se për këtë zhvillim janë informuar vetëm përmes mediave.
Më 20 nëntor, në Gjykatën e Durrësit është planifikuar një seancë për informacionin dy mujor të hetimit, ku mbrojtja do të kërkojë vendimin e moskompetencës dhe arsyetimin përkatës.
Elisabeta Mataj u arrestua në korrik dhe fillimisht u la në burg. Tre muaj më vonë, masa e sigurisë ndaj saj u ndryshua në “arrest shtëpie”.
Me të njëjtën masë sigurie po hetohen edhe ish-shefja e financës në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, Valbona Duni, dhe ish-arkëtarja Paola Dana.
Kalimi i dosjes në SPAK dhe shtimi i akuzës për grup të strukturuar kriminal e zgjerojnë hetimin për përvetësimin e dyshuar të 700 mijë eurove, para të destinuara për pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale.