Një tjetër histori e pacipë e grabitjes urbane në Tiranë u rikthye në vëmendje, një shkelje që Gazeta Reforma e ka raportuar që prej shtatorit të vitit 2024. Bashkia dha leje mbi leje në rrugën publike, duke zënë vendkalimin e qytetarëve dhe duke bllokuar brenda në parkimin nëntokësor makinat e banorëve të pallatit!
View this post on Instagram
Pallati shumëkatësh “Green Tower” po ngrihet mbi lirinë, sigurinë dhe pronën e qytetarëve me bekimin e vetë kryeministrit Rama dhe numrit të tij dy në qeveri, Belinda Balluku.
Me një firmë të hedhur më 20 gusht 2024, kompania Titan Konstruksion e Refki Peposhit mori leje për të ngritur një kullë 18-katëshe mbi tokë dhe 3 kate nëntokë, pranë ish-Ekspozitës. Më pas, në mënyrë të dyshimtë, leja u ndryshua për të shtuar edhe një kat të katërt nëntokësor, pa transparencë, pa një studim të ri mbi ndikimin në mjedis, pa analizë për sigurinë e themeleve, por me një nënshkrim të shpejtë dhe të heshtur të vetë shefit të qeverisë.
Kjo kullë po ndërtohet në një nga zonat më të ndjeshme të kryeqytetit, ku kryeministri ka jetuar vetë, në një truall me sipërfaqe 2658 metra katrorë, ku 1340 metra do të jenë ndërtim dhe pjesa tjetër, sipas ligjit, duhet të jetë hapësirë publike.
Por në praktikë, siç ndodh gjithnjë me “titanët” e ndërtimit, hapësirat publike janë përfshirë pa mëshirë në projekt, duke zhdukur rrugën që përdorin përditë banorët e pallatit “Swarovski” dhe pallatit portokalli, për të hyrë në parkimet e tyre nëntokësore, si dhe një lulishte e ndërtuar prej vetë banorëve që sot po zëvendësohet me beton.
Titan Konstruksion, një kompani që deri dje deklaronte zero të ardhura dhe zero shpenzime, sot ndërton një kështjellë betoni në zemër të Tiranës, duke bllokuar më shumë se 50 parkime nëntokësore të dy pallateve përreth dhe duke paralizuar jetën e përditshme të qindra banorëve.
Sipas dokumenteve, Refki Peposhi ka përfshirë në truallin e deklaruar jo vetëm lulishten, por edhe një rrugë publike. Asnjë tabelë, asnjë konsultim, asnjë transparencë për këtë vjedhje brutale të territorit publik.
Për më tepër, ndërtesa po ngrihet në një distancë më pak se 3 metra nga pallatet ekzistuese, në shkelje flagrante të normave urbanistike, duke tronditur strukturat dhe vendosur në rrezik të përhershëm jetën dhe pasurinë e banorëve. IMT hesht. Bashkia hesht. Ministria e Infrastrukturës, bashkëfirmëtare.
Ironikisht, ndërsa kryeministri flet çdo ditë për “çlirimin e hapësirave publike” nga baret dhe ndërtimet pa leje, në këtë rast rrethimi i Green Tower ka zhdukur totalisht trotuaret përballë Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe bulevardit në krah të Lanës.
Qytetarët nuk kanë më ku të ecin. Në vend të hapësirës për komunitetin, u është imponuar një perimetër ndërtimi që nuk kursen as frymëmarrjen. Propaganda për qytete të jetueshme shndërrohet në farsë përballë këtij përbindëshi që rritet me bekim nga lart.
Refki Peposhi nuk është një emër i panjohur në botën e ndërtimit problematik. Ai është pronari i pallatit portokalli pranë pallatit Swarovski, ku, sipas banorëve, (në pallatin portokalli) janë shitur apartamente të njëjta disa herë dhe asnjë prej tyre nuk ka hipotekë. Madje, ndërtimi i atij pallati është rritur me 3 kate pa leje. Të njëjtët banorë që sot nuk kanë një dokument pronësie, janë ata që po humbasin edhe aksesin në parkimet e tyre nëntokësore, ndërsa vetë ndërtuesi ka marrë në dorë edhe shkatërrimin e këtyre hapësirave me premtimin e një zgjidhjeje “pas 48 muajsh”.
Bashkëpronar në truallin e kullës Green Tower rezulton Etnik Sopoti, i cili në prill të vitit të kaluar i dhuroi Peposhit 50 për qind të aksioneve të Titan Konstruksion. Por emri i Sopotit është sërish aty si bashkëpronar i truallit, duke ngritur dyshime për një skemë fiktive pronësie, dhurime dhe rikthime aksionesh me qëllim shmangien e përgjegjësisë ligjore dhe fiskale.
Kjo histori është shembulli i qartë i kapjes totale të institucioneve nga klientela ndërtimore. Këtu nuk ka më as qytetari, as ligj, as rend urban. Ka vetëm pushtet, arrogancë dhe beton. Dhe ky beton mbulon jo vetëm rrugë e lulishte, por edhe çdo fije shprese për një qytet që u përket qytetarëve dhe jo një grushti ndërtuesish me bekim politik.