Zbulohen detaje të reja nga vrasja e 14-vjeçarit Erald Xhejo në fshatin Pirg të Maliqit, ku familjarë të autorit të dyshuar, Enedio Guri, janë përfshirë në fshehjen e krimit dhe pengimin e drejtësisë.
Sipas policisë, Roland Guri, xhaxhai i Enedios, ka marrë thikën e përdorur në krim, e ka larë duke hequr gjurmët e gjakut dhe e ka futur në xhep për ta fshehur. Ndërkohë, babai i autorit, Edison Guri, e ka strehuar të birin në një banesë, me qëllim që ai t’i shmangej arrestimit nga policia.
Në këtë ngjarje është i përfshirë edhe Flori Çela, i cili akuzohet për moskallëzim të krimit, pasi automjeti i tij është përdorur nga Enedio për t’u larguar nga vendngjarja.
Hetimet tregojnë se në momentin e konfliktit, Enedio Guri ishte i armatosur me thikë, ndërsa viktima kishte me vete një dorezë. Të dy ishin të shoqëruar nga miqtë e tyre, të cilët pas marrjes në pyetje u arrestuan për moskallëzim të krimit dhe kryerje veprimesh që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Sipas burimeve hetimore, konflikti mes dy të miturve kishte nisur rreth një vit më parë, ndërsa takimi i rastësishëm një ditë më parë çoi në një debat me fjalë fyese të tipit “pse më shikon”, i cili përfundoi me përdorimin e thikës nga Enedio Guri.
Pas ngjarjes së rëndë, familja e autorit është larguar nga banesa e tyre në fshatin Leminot dhe shtëpia është mbyllur. Pavarësisht se kryefamiljari ndodhet në burg pas arrestimit, pjesëtarët e tjerë janë zhvendosur nga zona. Ndërkohë, edhe lokali ku ndodhi krimi ka qëndruar i mbyllur gjatë gjithë ditës, ndonëse këqyrja e vendit të ngjarjes nga policia ka përfunduar.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa mjeti i krimit, i dyshuar të jetë një thikë, ende nuk është gjetur.