Skip to content
Kryesore

WizzAir anullon fluturimin, denoncon ish-deputeti: Duhet të jetë në akuzë penale

· 2 min lexim

Kompania ajrore ‘WizzAir’ vazhdon të shkaktojë probleme serioze për udhëtarët shqiptarë, duke anuluar fluturime pa paralajmërim dhe duke lënë pasagjerët pa zgjidhje të qarta për kthimin në shtëpi.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka denoncuar publikisht një incident të fundit ku WizzAir anuloi një fluturim nga Milano pa ofruar datë alternative kthimi. Sipas Boçit, pasagjerët u lanë pa shpjegime dhe pa ndihmë për të gjetur mënyra të tjera për t’u kthyer në Shqipëri, duke i detyruar të kalojnë nëpër një “kalvar të gjatë vuajtjesh”.

Boçi kritikoi ashpër kompaninë, duke e quajtur atë “skandaloze dhe të papërgjegjshme”. Ai shkroi në denoncimin e tij: “WIZZAIR kompania më skandaloze dhe e papërgjegjshme, përsëri le në mes të katër rrugëve shqiptarët. Anullon fluturimin nga Milano dhe nuk garanton asnjë kthim, as për nesër e as për pasnesër.”

Ish-deputeti shkoi edhe më tej, duke sugjeruar se WizzAir duhet të përballet me akuza penale për sjelljen e saj të vazhdueshme problematike. “Është pak të thuash që kjo kompani skandaloze duhet të jetë nën akuzë penale!”, deklaroi Boçi.

Ai gjithashtu kritikoi qeverinë shqiptare për mungesën e veprimit, duke e quajtur “një shtet i ngordhur… që nuk ka në konsideratë qytetarët, i del zot një kompanie të diskredituar.”

Të dhënat për periudhën janar-dhjetor 2023 tregojnë se WizzAir ka pasur performancën më të dobët ndër kompanitë që operojnë në Shqipëri. Kompania ka pasur numrin më të lartë të vonesave mbi 3 orë, me një koeficient prej 26.7 për 1000 fluturime. Gjithashtu, WizzAir renditet e dyta për anulimet e fluturimeve, me një koeficient prej 4.9 për 1000 fluturime, pas Lufthansa-s me 5.2 dhe para Air Albania me 2.5.

Problemet vazhduan edhe në fillim të tetorit, me një fluturim nga Hahn i Gjermanisë që mbërriti në Shqipëri me dy orë vonesë më 3 tetor, duke shkaktuar ankesa të shumta nga pasagjerët e lodhur dhe të irrituar.

Gazeta Reforma ka ngritur vazhdimisht problematikën e shfaqur nga kompanitë ajrore, veçanërisht WizzAir, duke raportuar për vonesat e fluturimeve, mungesën e korrektësisë, anulimet e papritura dhe moskompensimin e udhëtarëve. Në redaksinë e Gazetës Reforma kanë mbërritur denoncime të shumta lidhur me WizzAir, raste këto të cilat janë bërë publike për të informuar publikun dhe për të kërkuar përgjegjësi nga kompania.