Skip to content
Kryesore

Dosja “Metamorfoza”/ Apeli dënon Oltion Bistrin me 7 vite e 4 muaj burg, i konfiskon 1 mln euro pasuri

· 2 min lexim

Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë për ish-shefin e Forcës Operacionale, Oltion Bistri, në kuadër të dosjes së njohur si “Metamorfoza”. Përveç dënimit me burg, gjykata ka vendosur edhe konfiskimin e pasurive që më herët i ishin kthyer nga Shkalla e Parë.

Bistri është dënuar me 11 vite burgim për veprat penale që përfshijnë edhe korrupsionin pasiv dhe pastrimin e parave. Për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar është ulur në 7 vite e 4 muaj burgim.

Një nga vendimet më të rëndësishme të Apelit lidhet me pasuritë e ish-zyrtarit të Policisë. Trupa gjykuese ka urdhëruar konfiskimin e pasurive me vlerë të raportuar prej rreth 1 milion eurosh, ku përfshihen tre apartamente dhe dy biznese.

Këto pasuri i ishin kthyer më parë Bistrit me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, por Apeli ka ndryshuar këtë pjesë të vendimmarrjes.

Vendimi është marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga Dhimitër Lara, në cilësinë e relatorit, si dhe gjyqtarët Daniela Shirka dhe Engert Pëllumbi.

Ndërkohë, për të pandehurit e tjerë të dosjes “Metamorfoza”, Edmond Preka, Astmer Bilali dhe Behar Bajri, Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimet e dhëna nga Shkalla e Parë.

Ndryshim ka pasur edhe për Xhevahir Litën, i cili është dënuar me 5 vite burgim. Pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i tij është reduktuar në 3 vite e 4 muaj burg.

Vendimi i Apelit ndryshon kështu si masën e dënimit, ashtu edhe trajtimin e pasurive të Oltion Bistrit, ndërsa lë të pandryshuara vendimet për tre nga të pandehurit e tjerë të përfshirë në këtë proces gjyqësor.