Skip to content
Bota

Vrau burrin që tentoi ta përdhunonte, Irani shpall fajtore 23-vjeçaren dhe e ekzekuton në burg

· 4 min lexim

Irani ka ekzekutuar në burg 23-vjeçaren Marzieh Nieri, pasi drejtësia iraniane rrëzoi pretendimin e saj se kishte vepruar në vetëmbrojtje ndaj një burri që, sipas dëshmisë së saj, po tentonte ta sulmonte seksualisht.

Nieri u ekzekutua në orët e para të së shtunës në burgun qendror të Qazvinit. Sipas organizatës Iran Human Rights, ajo është të paktën gruaja e 14-të e ekzekutuar në Iran që nga fillimi i vitit 2026.

Ngjarja për të cilën 23-vjeçarja u dënua me vdekje kishte ndodhur në tetor 2021, kur ajo ishte vetëm 18 vjeçe. Iran Human Rights thotë se Nieri ishte detyruar nga familja të martohej që në moshën 17-vjeçare.

Gjatë procesit gjyqësor, e reja deklaroi se një prej partnerëve të biznesit të bashkëshortit të saj, pasi ishte dehur, kishte tentuar ta sulmonte seksualisht. Nieri tha se kishte marrë një thikë kuzhine dhe e kishte plagosur në përpjekje për t’u mbrojtur. Gjatë përleshjes mbeti i vrarë edhe bashkëshorti i saj.

Katër ditë pas ngjarjes, ajo u dorëzua në polici, pasi kishte shkuar në shtëpinë e vëllait të saj.

Gjykata iraniane nuk e pranoi pretendimin e 23-vjeçares se kishte vepruar në vetëmbrojtje. Pas kërkesës së familjeve të viktimave për zbatimin e parimit “qisas”, Nieri u dënua me vdekje dhe më pas u ekzekutua.

“Qisas” është një parim i së drejtës penale iraniane, i mbështetur në jurisprudencën islame, sipas të cilit familja e viktimës mund të kërkojë ekzekutimin e personit të dënuar për vrasje ose të pranojë kompensim financiar, të njohur si “diyah”. Në raste të tilla, ekzekutimi mund të kryhet vetëm pas miratimit të familjarëve të viktimës, sipas kuadrit ligjor iranian.

Rasti i Nierit vjen mes raportimeve për një rritje të fortë të ekzekutimeve të grave në Iran. Sipas të dhënave të cituara në raportime, të paktën 61 gra u ekzekutuan gjatë vitit 2025, numri më i lartë në 25 vitet e fundit.

Një prej akuzave më të zakonshme ndaj grave të dënuara me vdekje është vrasja e bashkëshortit ose partnerit. Organizatat e të drejtave të njeriut argumentojnë se në një pjesë të rasteve këto gra kanë pasur histori dhune në familje, ndërsa martesat në moshë të re, varësia ekonomike dhe vështirësitë për t’u divorcuar ua kanë kufizuar mundësitë për t’u larguar nga marrëdhëniet abuzive.

Në të njëjtën ditë, drejtësia në provincën Mazandaran njoftoi se Kolthoum Akbari ishte dënuar me 10 dënime me vdekje për vrasjen e 10 personave.

Hetimi ndaj saj nisi në shtator 2023, pas vdekjes së dyshimtë të një 82-vjeçari në Mahmoudabad, i cili kishte hyrë në një martesë të përkohshme me Akbarin disa muaj para vdekjes. Denoncimi i familjes së tij çoi në një hetim më të gjerë, gjatë të cilit autoritetet zbuluan raste të tjera.

Pas arrestimit, Akbari pranoi se kishte vrarë disa burra të moshuar, shumica e të cilëve kishin qenë gjithashtu bashkëshortë të saj në martesa të përkohshme. Në rastin e një viktime të 11-të, familja nuk kërkoi dënimin me vdekje dhe pranoi kompensimin financiar. Autoritetet dyshojnë se numri i viktimave të saj mund të jetë edhe më i madh.

Irani vijon të jetë një nga vendet ku dënimi me vdekje zbatohet në shkallë të gjerë. Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, gjatë vitit 2025 u kryen të paktën 1,639 ekzekutime, shifra më e lartë vjetore e regjistruar që nga viti 1989.

Edhe Kombet e Bashkuara kanë ngritur shqetësime për rritjen e ekzekutimeve gjatë vitit 2026. Më 5 gusht, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, deklaroi se të paktën 56 persona ishin ekzekutuar që prej 19 marsit për akuza të lidhura me sigurinë kombëtare dhe bëri thirrje për ndalimin e ekzekutimeve.