Skip to content
Kryesore

Veliaj kërkon të operohet në spitalin që zgjedh familja, GJKKO rrëzon kërkesën: Për ndërhyrjen kirurgjikale vendos Drejtoria e Burgjeve

· 3 min lexim
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) nuk ka pranuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për t’iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në këmbë në një spital privat të zgjedhur nga familja e tij.

Në vendimin e marrë këtë të martë, më 24 nëntor, GJKKO argumentoi se përcaktimi i institucionit shëndetësor ku duhet të trajtohet një person i paraburgosur nuk është në kompetencën e gjykatës, por të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Vendimi vjen pas kërkesës së Veliajt, i cili ka kundërshtuar që zgjedhja e spitalit dhe e mjekut që do të kryejë ndërhyrjen kirurgjikale të përcaktohet nga autoritetet e burgjeve.

Në një letër të dërguar sot në GJKKO përmes avokatit të tij, Veliaj deklaroi se nuk mund të merrte pjesë në seancën gjyqësore për shkak të këmbës së thyer, ndërsa shprehu mosbesim ndaj personave që, sipas tij, kanë vendosur për transferimin dhe trajtimin e tij.

“Me gjithë vullnetin tim për të marrë pjesë në seancë gjyqësore, e kam të pamundur për shkak të këmbës së thyer. Në vijim të shkresës suaj dhe të Prokurorisë, mbrojtja ime do t’ju vërë në dispozicion disa shkresa shëndetësore. Jam i ndërgjegjshëm kush më transferoi dhe kush do të vendosë për shëndetin tim. Nuk kërkoj as botoks, as mbjellje flokësh, as të zbardh dhëmbët, por të operohem nga një mjek në spitalin që zgjedh familja ime. Nuk duhet të vendosë askush kush më fut në narkozë. Ndaj kërkoj nga GJKKO të ndërhyjë dhe të marrë një vendim”, shkruante Veliaj.

Kjo përplasje vjen pas deklaratave të mëparshme të kryebashkiakut, i cili akuzoi Ramën se kishte ndikuar në transferimin e tij në burgun e Fierit dhe në përcaktimin e spitalit ku duhej të operohej.

Veliaj kishte deklaruar se refuzonte ndërhyrjen në një institucion shëndetësor që, sipas pretendimeve të tij, i ishte imponuar nga Rama, duke theksuar se bëhej fjalë për shëndetin dhe jetën e tij.

Me vendimin e sotëm, GJKKO nuk mori përsipër të përcaktojë spitalin ku do të kryhet operacioni, duke ia lënë përgjegjësinë për trajtimin shëndetësor Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Kështu, kërkesa e Veliajt për të zgjedhur vetë, përmes familjes, institucionin ku do t’i nënshtrohet ndërhyrjes mbetet pa miratimin e gjykatës.