Skip to content
Kryesore

Shtatë vite pas tërmetit, 29 banorë ndërruan jetë pa marrë shtëpitë e reja, qindra ende në pritje

· 8 min lexim
Shtatë vite pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, procesi i rindërtimit në Tiranë vazhdon të jetë i papërfunduar. Njëzet e nëntë qytetarë kanë ndërruar jetë pa arritur të marrin çelësat e banesave të premtuara, ndërsa qindra familje vazhdojnë të presin strehimin. Megjithëse për rindërtimin në shkallë vendi janë shpenzuar rreth 104 miliardë lekë, ende nuk ka një afat për përfundimin e plotë të procesit.

Një investigim i BIRN zbulon se në regjistrin zyrtar të Bashkisë së Tiranës, ku duhet të shënohen adresat e apartamenteve të reja, për 29 përfitues është vendosur shënimi: “Ka ndërruar jetë”.

Sipas dokumentacionit të bashkisë, në dhjetor 2025 rezultonin 463 familje ende pa banesë, rreth 80% e të cilave nga zona e Kombinatit, një prej më të dëmtuarave nga tërmeti.

Miliarda lekë të shpenzuara, por rindërtimi mbetet i papërfunduar

Të dhënat e Kontrollit të Lartë të Shtetit tregojnë se nga viti 2020 deri në fund të vitit 2025 janë miratuar 124 miliardë lekë për rindërtimin, ndërsa shpenzimet faktike kanë tejkaluar 103 miliardë lekë.

Duke përfshirë nëntë muajt e parë të vitit 2026, shpenzimet arrijnë në rreth 104 miliardë lekë, ekuivalente me afro 1 miliard euro. Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka financuar me 75 milionë euro programin EU4Schools për rindërtimin dhe rehabilitimin e 63 objekteve arsimore.

Por pavarësisht këtyre financimeve, ritmi i rindërtimit ka pësuar një rënie të ndjeshme.

Sipas auditimit të KLSH-së, gjatë vitit 2025 shpenzimet për rindërtimin ranë me rreth 62% krahasuar me vitin 2024. Nga 5 miliardë lekë të planifikuara u shpenzuan vetëm 3.2 miliardë lekë.

Auditimi evidentoi gjithashtu se shtatë vendime qeverie, me vlerë 763 milionë lekë, u miratuan më 30 dhjetor 2025, në përfundim të vitit buxhetor.

Situata vijoi të përkeqësohej edhe gjatë vitit 2026. Në nëntë muajt e parë u shpenzuan vetëm 1.2 miliardë lekë, ose 42% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Bashkia e Tiranës shpenzoi vetëm 10% të fondeve në dispozicion

Problematika paraqitet veçanërisht e theksuar në kryeqytet, ku është përqendruar më shumë se një e katërta e fondeve kombëtare të rindërtimit.

Nga nisja e programit deri në shtator 2026, në Tiranë janë shpenzuar rreth 28 miliardë lekë, kryesisht për ndërtimet në Kombinat dhe në lagjen “5 Maji”.

Megjithatë, gjatë vitit 2025 Bashkia e Tiranës përdori vetëm 37% të fondeve të disponueshme.

Në nëntë muajt e parë të vitit 2026, situata u rëndua më tej: nga 1.86 miliardë lekë të trashëguara, bashkia shpenzoi vetëm 189 milionë lekë, duke lënë të papërdorura rreth 1.67 miliardë lekë.

Kjo përfaqëson një realizim prej vetëm 10% të fondeve në dispozicion dhe një rënie prej 73% të shpenzimeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ekonomisti Zef Preçi, i intervistuar nga BIRN, vlerëson se problemi nuk lidhet vetëm me financimin, por edhe me mënyrën e administrimit të tij.

“Problemi nuk duket të jetë thjesht mungesa e parave, por pamundësia për t’i kthyer fondet e miratuara në banesa të përfunduara dhe familje të sistemuara,” thotë ai.

Sipas Preçit, dokumentacioni evidenton probleme me prokurimet, përgatitjen e investimeve dhe përdorimin e fondeve, ndërsa ngre edhe dyshime për korrupsion dhe vendimmarrje klienteliste.

Ai shpjegon se një pjesë e fondeve të trashëguara kërkojnë vendime dhe miratime shtesë përpara përdorimit.

“Ekzistenca e fondit në buxhet nuk do të thotë domosdoshmërisht që ai është menjëherë i përdorshëm për nevojën aktuale”, shpjegon ai.

“Kur ky problem përsëritet nga viti në vit, ai nuk mund të trajtohet më si një hollësi teknike: mendoj se kemi të bëjmë me çështje koordinimi dhe përgjegjësie ndërmjet institucioneve”, shton Preçi.

Rama fajëson mungesën e kryebashkiakut, por problemet shtrihen në gjithë vendin

Gjatë prezantimit të buxhetit të vitit 2027, kryeministri Edi Rama e cilësoi rindërtimin një histori suksesi, por pranoi se procesi në Tiranë ka mbetur pas.

“Kemi problem me rindërtimin në Bashkinë e Tiranës, sepse ka dy vjet pa kokë. Një shumë e madhe nuk është vënë në lëvizje,” deklaroi Rama.

Megjithatë, të dhënat zyrtare tregojnë se ngadalësimi nuk kufizohet vetëm në kryeqytet.

Në vitin 2025, bashkitë e prekura nga tërmeti shpenzuan mesatarisht vetëm 35% të fondeve në dispozicion.

Në Durrës dhe Kurbin u realizuan 28% e fondeve, në Vorë 33%, ndërsa në Shijak dhe Rrogozhinë vetëm 19%. Institucionet e qeverisë qendrore shpenzuan vetëm 14% të fondeve të akorduara.

KLSH konstatoi gjithashtu probleme në planifikimin financiar dhe miratimin e projekteve të reja pa siguruar më parë financimin për përfundimin e investimeve ekzistuese.

Dyshimet për përdorimin elektoral të rindërtimit

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngre dyshime se fondet dhe dorëzimi i apartamenteve janë përdorur për qëllime elektorale.

“Tempizmi i qeverisë është aq perfekt sa nuk mund ta quaj veçse karrotë elektorale për votuesit,” deklaron ajo për BIRN.

“Shqetësimi im është se qeveria ka miratuar financime dhe ka krijuar angazhime për rindërtimin pa i pasqyruar siç duhet në planifikimin buxhetor të viteve pasardhëse,” thotë Tabaku.

Deputetja i referohet vitit 2021, kur realizimi i fondit të rindërtimit tejkaloi planin fillestar, në kontrast me rënien e shpenzimeve gjatë viteve pasardhëse.

Ajo përmend gjithashtu konstatimet e OSBE/ODIHR për përdorimin e burimeve shtetërore gjatë zgjedhjeve të vitit 2021 dhe shpërndarjen e transfertave të rindërtimit përpara zgjedhjeve vendore.

Tabaku evidenton edhe parregullsitë e dokumentuara nga KLSH në procedurat e financimit dhe prokurimit, përfshirë tenderin për shkollën “14 Nëntori” në Durrës.

Ekonomisti Zef Preçi e konsideron të mundshëm rrezikun e përdorimit politik të apartamenteve, por thekson se kjo kërkon verifikim të afateve të përfundimit dhe dorëzimit të banesave.

“Rreziku ekziston, por nuk provohet vetëm nga shpenzimet e ulëta në vitet e zakonshme”, shprehet ai.

“Strehimi pas fatkeqësisë apo në rastet e familjeve në nevojë është detyrim publik, jo favor i politikanit apo i maxhorancës”, thekson Preçi.

Kombinati mes pallateve të shembura dhe premtimeve të papërmbushura

Në Kombinat, ku ndodhet pjesa më e madhe e familjeve që presin banesat e reja, gjurmët e ndërtesave të shembura mbeten ende të dukshme.

Edmond Çata, banor i zonës dhe përfaqësues i Grupit për Mbrojtjen e Kombinatit, kundërshton shpjegimet e qeverisë për vonesat.

Grupi ka zhvilluar një betejë gjyqësore kundër shembjes së disa pallateve, duke argumentuar se dëmtimet e tyre nuk e justifikonin prishjen.

“Rama para disa kohësh në Kombinat fajësonte gjykatën për bllokimin e procesit të rindërtimit, tani para disa ditësh tha që ka ngecur se bashkia është pa kryetar, gjë që nuk është as kjo e vërtetë,” pohon ai.

Çata shprehet se ndihet i lehtësuar që nuk pranoi shembjen e pallatit ku jeton, ndërsa shumë prej familjeve që besuan premtimet për apartamente të reja vazhdojnë të presin.

“Çdo gjë që bën Rama tani e bën për mbijetesën e tij politike”, thotë ai. “Unë nuk pres asgjë nga Rama dhe qeveria e tij.”

Qeveria premton 1.8 miliardë lekë të tjera, por detyrimet mbeten më të larta

Më 16 nëntor, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, zhvilloi një takim ndërinstitucional për zhbllokimin e procesit dhe njoftoi përgatitjen e një financimi shtesë prej 1.8 miliardë lekësh për Bashkinë e Tiranës.

“Vështirësitë mes institucioneve duhet t’i zgjidhim ne. Familjet nuk duhet të vazhdojnë të presin për shkak të tyre,” deklaroi Demo.

Megjithatë, dokumentet financiare të bashkisë tregojnë se kontratat e rindërtimit arrijnë në rreth 33 miliardë lekë, nga të cilat 5.3 miliardë lekë mbeten të papaguara.

Prej kësaj shume, 3.6 miliardë lekë nuk kanë ende financim të miratuar nga shteti.

Edhe nëse financimi i ri prej 1.8 miliardë lekësh miratohet dhe jepet i plotë, ai do të mbulojë vetëm rreth një të tretën e detyrimeve të mbetura.

Ndërkohë, projektbuxheti i vitit 2027 parashikon vetëm 2 miliardë lekë për rindërtimin në të gjithë Shqipërinë. Ende nuk është sqaruar nëse financimi i premtuar për Tiranën do të përfshihet në këtë fond apo do të sigurohet nga burime të tjera.

865 familje me bonus qiraje, ende pa një datë për kthimin në shtëpi

Vonesat e rindërtimit vazhdojnë të rëndojnë edhe mbi financat publike.

Vetëm gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, Bashkia e Tiranës shpenzoi rreth 137 milionë lekë për bonusin e qirasë të 865 familjeve që presin përfundimin e procesit.

Sipas të dhënave të bashkisë, në fund të vitit 2025 gjashtë pallate dhe një objekt arsimor ishin ende në rindërtim, ndërsa 13 pallate të tjera ndodheshin në proces riforcimi.

Asnjë prej dokumenteve të shqyrtuara nga BIRN nuk përcakton një afat për përfundimin e plotë të punimeve dhe sistemimin e të gjitha familjeve.

Për ekonomistin Zef Preçi, institucionet duhet të japin llogari jo vetëm për fondet që miratojnë, por edhe për rezultatet e tyre.

“Unë do ta zhvendosja debatin nga ‘sa para u miratuan’ te ‘çfarë zgjidhjeje u dha dhe brenda cilit afat’”, thotë ai.

Shtatë vite pas tërmetit, 29 qytetarë të Tiranës nuk arritën ta shihnin të përmbushur premtimin për një banesë të re. Ndërsa qindra familje të tjera vazhdojnë të jetojnë me qira ose në strehim të përkohshëm, institucionet ende nuk kanë përcaktuar një datë se kur procesi i rindërtimit do të përfundojë.